Dita Botërore e Sklerozës Multiple (SM), përkujtohet më 30 maj të çdo viti. Kjo fushatë ndërkombëtare synon të rrisë ndërgjegjësimin, të përmirësojë aksesin në shërbime dhe të mbështesë pacientët në rrugëtimin e tyre drejt kujdesit të duhur.
Skleroza Multiple (SM) e njohur edhe si Skleroza e shumëfishtë, është një sëmundje kronike autoimune dhe që ndodh kur sistemi imunitar gabimisht sulmon qelizat e shëndetshme. Tek njerëzit me SM, sistemi imunitar sulmon qelizat në mielin (mbështjellësin mbrojtës që rrethon nervat në tru dhe palcën kurrizore). Dëmtimi i mbështjellësit të mielinës, me kalimin e kohës, dobëson komunikimin midis trurit dhe pjesëve të tjera të trupit duke dhënë simptoma që prekin trurin, palcën kurrizore dhe sytë.
Dita Botërore për vitin 2026 me temë “Diagnoza ime e SM-së”, fokusohet në rëndësinë që ka diagnostikimi i hershëm dhe i saktë i Sklerozës Multiple.
Çfarë e shkakton Sklerozën Multiple (SM)?
Ekspertët ende nuk e dinë me siguri se çfarë e shkakton sklerozën multiple, por besohet se lidhet me një kombinim faktorësh gjenetikë dhe mjedisorë. Vlerësohet se rreth se mbi 2.8 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me SM.
Disa njerëz kanë më shumë gjasa të zhvillojnë SM për shkak të faktorëve të ndryshëm rreziku. Këtu përfshihen mosha 20–40 vjeç, gjinia femërore, historia familjare, infeksionet e caktuara virale (si virusi Epstein-Barr).
Faktorë të tjerë që ndikojnë mund të ndikojnë janë nivelet e ulëta të vitaminës D, obeziteti, pirja e duhanit dhe prania e sëmundjeve të tjera autoimune. Të kuptuarit e këtyre faktorëve ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe në identifikimin e hershëm të personave që mund të jenë në rrezik më të lartë.
Cilat janë simptomat e Sklerozës Multiple?
Simptomat e sklerozës multiple mund të jenë të ndryshme nga personi në person. Ato mund të shfaqen dhe të zhduken, ose të përkeqësohen me kalimin e kohës. Ja disa nga shenjat kryesore:
- Problemet e shikimit – të tilla si neuriti optik (turbullirë dhe dhimbje në njërin sy).
- Vështirësi në ecje ose ruajtjen e ekuilibrit.
- Vështirësi në të menduarit qartë.
- Mpirje, ndjesi shpimi gjilpërash ose mpirje, veçanërisht në krahët dhe këmbët.
- Ngurtësim të muskujve shoqëruar me spazma dhe dobësi muskulare.
- Depresion.
- Lodhje, mungesë energjie fizike ose mendore dhe një ndjenjë e të qenit i “rraskapitur”.
Nëse SM përparon, përkeqësimi i simptomave mund të çojë në komplikacione, të tilla si:
- Vështirësi në ecje që mund të rezultojë në nevojën për bastun ose karrige me rrota.
- Humbje e kontrollit të zorrëve ose fshikëzës.
- Probleme me memorien.
- Probleme me funksionin seksual ose urinimin
Diagnostikimi i Sklerozës Multiple?
Shumë kushte dhe gjendje të tjera shëndetësore mund të shkaktojnë simptoma neurologjike të ngjashme me SM-në. Përcaktimi i një diagnoze të saktë ndonjëherë është e vështirë. Identifikimi dhe trajtimi i hershëm sipas protokolleve i SM-së, mund të ndihmojë në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes.
Nëse mjeku i familjes dyshon se mund të keni SM, do t’ju rekomandojë një konsultë më mjekun neurolog, i specializuar në trajtimin e kushteve simptomatike. Asnjë test nuk mund të japë një diagnozë përfundimtare të SM, por për të kuptuar se çfarë i shkakton simptomat, mjeku juaj përveç ekzaminimit fizik – mund t’ju rekomandojë kryerjen e analizave të gjakut apo teste imazherike, të tilla si rezonanca magnetike (MRI).
Si mund të trajtohet dhe menaxhohet Skleroza Multiple (SM)?
Aktualisht nuk ka kurë specifike për SM. Trajtimi fokusohet në menaxhimin e shenjave klinike, reduktimin e rikthimeve (periudhave kur simptomat përkeqësohen) dhe ngadalësimin e përparimit të sëmundjes. Duke qenë se shenjat klinike të sklerozës multiple paraqiten të ndryshme nga personi në person, për pasojë edhe trajtimi mund të jetë i ndryshëm dhe që kryesisht varet nga faza e sëmundjes dhe simptomat.
Plani i trajtimit të simptomave të SM mund të përfshijë:
- Medikamente të cilat ndihmojnë në reduktimin e rikthimeve (të quajtura edhe shpërthime ose sulme) të sëmundjes, ngadalësojnë përparimin e saj si dhe mund të parandalojnë formimin e lezioneve të reja në tru dhe palcën kurrizore. Nëse keni një atak të rëndë, mjeku mund të rekomandojë medikamente kortikosteroide, të cilat zvogëlojnë shpejt inflamacionin me qëllim ngadalësimin e dëmtimit të mbështjellësit të mielinës që rrethon qelizat nervore.
- Rehabilitimin fizik – Fizioterapia, që tashmë ofrohet në shumë qendra shëndetësore të kujdesit parësor të vendit tonë, për pacientët me sklerozë multiple ofron një sërë përfitimesh, të tilla si: përmirësimin e funksioneve motorike, reduktimin e spazmave muskulare, lodhjes dhe dhimbjeve, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve.
- Përballja me një gjendje kronike sikurse është kjo sëmundje, mund të jetë emocionalisht sfiduese. Konsultimet me mjekun specialist neurolog, neuropsikiatrin, psikologët apo punonjësit socialë pranë institucioneve të kujdesit shëndetësore ndikojnë në mbështetjen tuaj emocionale, e cila konsiderohet si thelbësore në menaxhimin e kësaj sëmundjeje.
Si mund ta parandaloj një shpërthim të Sklerozës Multiple?
Terapitë modifikuese të sëmundjes janë mënyra më efektive për të reduktuar numrin e shpërthimeve (të quajtura edhe rikthime ose sulme) që përjetohen zakonisht nga pacientët me SM. Një stil jetese i shëndetshëm mund të ndihmojnë në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes dhe të përmirësojë cilësinë e jetës tuaj.
- Konsumimi i një diete të shëndetshme – Rekomandohet një dietë e ekuilibruar me fruta, perime, drithëra të plota dhe yndyrna të mira; kufizim i sheqernave dhe ushqimeve të përpunuara. Marrja e vitaminës D për mbajtjen e saj në vlerat normale, do të ishte një tjetër benefit në përmirësimin e gjendjes shëndetësore për pacientët me SM, por gjithmonë me rekomandimin e mjekut.
- Aktivitet të rregullt fizik të moderuar – Ecja, ushtrimet e buta aerobike, shtrirjet gjymtyrëve, biçikleta fikse (nëse e keni mundësinë) dhe joga janë thelbësore për të ndihmuar në mbajtjen e muskujve aktivë dhe ruajtjen e funksionit fizik.
- Menaxhimi i stresit – Praktika të thjeshta si frymëmarrja e thellë, shtrirjet e muskulaturës, joga, meditimi apo ecja, dëgjimi i muzikës, shpenzimi i kohës me familjen ose një aktivitet i qetë në shtëpi mund të ndikojnë në uljen e stresit.
- E rëndësishme është gjetja e mënyrave për ta menaxhuar atë – të tilla si: joga, meditimi, takimet e vazhdueshme me mjek të shëndetit mendor apo stafet multidisiplinare pranë QSH-ve të kujdesit parësor.
- Shmangia e duhanit dhe alkoolit: Lënia e duhanit dhe kufizimi i alkoolit ngadalësojnë përparimin e SM dhe përmirësojnë shëndetin.
Trajtimi i sklerozës multiple synon jo vetëm kontrollin e simptomave, por edhe ruajtjen e një cilësie sa më të mirë të jetës, veçanërisht për pacientët e moshës së tretë që shpesh përballen me rënie të funksioneve fizike dhe mendore. Për këtë grup, krahas kujdesit të ofruar nga sistemi shëndetësor, mbështetja e familjarëve dhe kujdestarëve është thelbësore për të ruajtur pavarësinë dhe mirëqenien e tyre.
Në Ditën Botërore të Sklerozës Multiple, ISHP mbështet thirrjen se diagnostikimi i hershëm dhe i saktë, të shoqëruar me trajtimin efektiv dhe një stil jetese të shëndetshëm, janë çelësi për ngadalësimin e përparimit të SM dhe për një jetë më cilësore të qytetarëve të prekur nga kjo sëmundje.