Dita Botërore e Tiroides përkujtohet çdo vit më 25 maj, duke synuar të rrisë ndërgjegjësimin për çrregullimet e tiroides — sëmundje të cilat prekin miliona njerëz në mbarë botën, por që shpesh mbeten të padiagnostikuara për shkak dhe të simptomave të lehta ose të paqarta, si: lodhja, ndryshimet në peshë, luhatjet e humorit, ndjeshmëri e shtuar ndaj të ftohtit dhe të nxehtit, etj.
DITA e këtij viti fokusohet në rëndësinë që ka zbulimi i hershëm, kujdesi parandalues, edukimi i pacientëve dhe ushqyerja e shëndetshme për funksionin e tiroides.
Qëllimi është të krijojë një platformë të gjerë informimi për publikun, profesionistët e shëndetit dhe institucionet e kujdesit shëndetësor lidhur me problematikat e çrregullimit të tiroides dhe rëndësinë e trajtimit të tyre në kohë.
Gjëndra tiroide është një organ i vogël në formë fluture, i vendosur në pjesën e përparme të qafës, që luan një rol thelbësor në kontrollin e metabolizmit, energjisë dhe funksioneve të tjera trupore përmes prodhimit të hormoneve tiroide. Kur kjo gjëndër nuk funksionon siç duhet – duke prodhuar shumë ose shumë pak hormone – mund të preken ndjeshëm gjendja fizike dhe mendore. Shëndeti i tiroides ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ushqimin, stresin, sëmundjet autoimune, gjenetikën dhe faktorë mjedisorë.
Në mbarë botën, shumë njerëz mbeten të painformuar për sëmundjet e tiroides, si hipotiroidizmi dhe hipertiroidizmi. Hipertiroidizmi ndodh kur gjëndra prodhon më shumë hormone se normalja, duke shkaktuar humbje peshe, rrahje të shpejta të zemrës dhe rritje të metabolizmit. Në të kundërt, hipotiroidizmi shfaqet kur prodhimi hormonal është i ulët, duke sjellë lodhje, shtim në peshë dhe ndjesi të ftohti. Simptoma të tjera të zakonshme përfshijnë: dridhje muskulore, djersitje të shtuar dhe ndryshime të papritura në peshë.
Mjekët dhe profesionistët e shëndetit rekomandojnë një stil jetese të shëndetshëm, dietë të balancuar, shmangien e ushqimeve të përpunuara dhe kryerjen e kontrolleve të rregullta shëndetësore për të identifikuar në kohë çdo problem të mundshëm me tiroiden.
Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Tiroiden, përpos të tjerash, është një thirrje globale për bashkëpunim mes mjekëve, studiuesve, institucioneve shëndetësore, politikëbërësve dhe komuniteteve, me qëllim që çdo person të ketë akses në informacion, diagnostikim dhe trajtim të sigurt e të besueshëm.
Si ta mbani gjëndrën tiroide të shëndetshme
Ruajtja e shëndetit të gjëndrës tiroide kërkon një qasje të balancuar që përfshin ushqim të duhur, kujdes mjekësor dhe shmangien e faktorëve që ndikojnë negativisht në funksionin e saj.
Një nga hapat më të rëndësishëm është sigurimi i marrjes së mjaftueshme të jodit nëpërmjet kripës së jodizuar ose ushqimeve natyrale – si produktet e detit dhe vezët. Zgjedhja e një diete të pasur me selen, zink, hekur dhe vitamina si B12 dhe D ndihmon në mbështetjen e funksionit hormonal dhe në forcimin e sistemit imunitar. Rekomandohet evitimi i konsumit të tepruar të ushqimeve të përpunuara dhe pijeve me shumë sheqer apo kafeinë, pasi ato mund të ndërhyjnë në balancën hormonale.
Kontrollet mjekësore të rregullta janë të domosdoshme, sidomos nëse keni histori familjare me sëmundje të tiroides ose përjetoni simptoma të dyshimta. Testet laboratorike të tilla si TSH, T3, T4 dhe antitrupat tiroide ndihmojnë në zbulimin e hershëm të çrregullimeve. Një masë tjetër e rëndsishme për funksionimin normal të gjendrës tiroide është dhe shmangia e ekspozimit të panevojshëm ndaj rrezatimeve dhe kimikateve të gjendura në produkte të përditshme si plastika, kozmetika, detergjentët dhe pesticidet e ndryshme, të cilat mund të ndikojnë negativisht në funksionin e gjëndrës tiroide, duke ndërhyrë në prodhimin dhe rregullimin e hormoneve. Duke e mbajtur trupin të ushqyer mirë, të kontrolluar rregullisht dhe të mbrojtur nga ndikimet e dëmshme të jashtme, gjëndra tiroide mund të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të mbështesë mirëqenien e përgjithshme.
Pyetjet më të shpeshta mbi shëndetin e gjëndrës tiroide
Çfarë e shkakton çrregullimin e tiroides?
Mungesa e jodit, stresi, sëmundjet autoimune, gjenetika dhe disa barna mund të ndikojnë në funksionin e tiroides.
A përmirësohet funksioni i tiroides përmes ushqimit?
Po — ushqimet me jod, selen, zink dhe proteina të shëndetshme mbështesin funksionin normal të tiroides.
Sa shpesh duhet kontrolluar tiroidja?
Pa simptoma — kontroll herë pas here. Me rrezik të shtuar— të paktën një herë në vit.
A ndikojnë shtatzënia dhe menopauza?
Po — ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë dhe menopauzës mund të ndikojnë në funksionin e tiroides.
A është trashëgimia faktor i rëndësishëm?
Po — nëse ka raste në familje, rreziku rritet dhe nevojitet kontrolle dhe monitorim i rregullt.
A shkakton stresi probleme me tiroiden?
Stresi kronik nuk është shkaku kryesor, por mund të përkeqësojë gjendjet ekzistuese.
Cilat analiza laboratorike bëhen për tiroiden?
Analizat laboratorike të tilla si TSH, T3, T4, anti-TPO, etj ndihmojnë në vlerësimin e funksionit dhe sëmundjeve autoimune.
A shërohen sëmundjet e tiroides?
Disa sëmundje kërkojnë trajtim afatgjatë, por me kujdes të duhur funksioni mund të mbahet nën kontroll.
Kujdesi i vazhdueshëm për tiroiden është një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së shëndetit dhe mirëqenies afatgjatë.
Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Tiroiden, 25 Maj 2026