SHËNDETI I TRURIT – QASJE PËR TË GJITHË
Dita Botërore e Trurit është një thirrje globale për të njohur rolin jetik që truri luan në shëndetin, funksionimin dhe mirëqenien e çdo individi. Megjithëse shkenca mjekësore ka bërë përparime të rëndësishme, rezulton se më shumë se 3.4 miliardë njerëz – rreth 42% e popullsisë globale – jetojnë aktualisht me sëmundje neurologjike, duke i bërë sëmundjet e trurit shkakun kryesor të paaftësisë në botë.
Aksesi i shërbimeve ndaj kujdesit të sëmundjeve neurologjike ende mbetet i pabarabartë midis vendeve, rajoneve dhe komuniteteve në mbarë botën dhe në këtë kuptim shumë njerëz përballen me pengesa të vazhdueshme për marrjen e shërbimeve për arsye të kostos se lartë të shërbimeve, mungesës së mjekëve specialistë, kohës së gjatë të pritjes për marrjen e shërbimit, stigmatizimit dhe qasjes së kufizuar në shërbime diagnostike dhe trajtuese.
Shëndeti i trurit është një e drejtë universale dhe duhet të mbrohet dhe garantohet në mënyrë të barabartë për çdo qytetar, pavarësisht vendbanimit, të ardhurave apo përbërjes shoqërore. Motoja e fushatës për Ditën Botërore të Trurit: “Shëndeti i trurit – Qasje për të gjithë” – në Shqipëri nënkupton sigurimin e të drejtës për informim, kujdes parandalues, diagnostikim të hershëm dhe kujdes cilësor neurologjik, mbështetje të barabartë si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale. Pabarazitë në këto aspekte shpesh çojnë në vonesa diagnostike dhe trajtime të pamjaftueshme, rrisin barrën e sëmundjeve neurologjike, kostot financiare dhe sociale, duke prekur individin, familjen, komunitetin dhe sistemin tonë shëndetësor.
Në këtë DITË të rëndësishme, Instituti i Shëndetit Publik bashkohet me thirrjen globale për ta bërë shëndetin e trurit të aksesueshëm për çdo person, kudo që ndodhet, duke e vendosur theksin në pesë prioritete kryesore si më poshtë:
1. Ndërgjegjësimin për sëmundjet neurologjike – Si hapin e parë drejt parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm.
Shumë qytetarë nuk i njohin shenjat paralajmëruese të goditjes në tru, demencës, epilepsisë apo çrregullimeve të tjera neurologjike. ISHP-ja u bën thirrje çdo individi, familjeve, shkollave dhe komuniteteve të informohen, të flasin hapur për këto sëmundje dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore sapo shfaqen simptomat e para. Rritja e njohurive ul stigmat, rrit ndërgjegjësimin dhe shpëton jetë.
2. Forcimin gjithnjë e më shumë të rolit të mjekut të familjes – Mjekët e familjes janë pika e parë e kontaktit dhe kanë mundësinë të identifikojnë shenjat e hershme të sëmundjeve neurologjike përmes vizitave rutinë, matjes së tensionit të gjakut, vlerësimit të funksioneve njohëse dhe orientimit të pacientëve drejt specialistëve. ISHP-ja nxit qytetarët të kryejnë kontrolle periodike dhe të mos neglizhojnë simptomat që lidhen me dhimbjet e kokës, kujtesën, ekuilibrin, apo ndryshimet e sjelljes. Diagnostikimi i hershëm mbron pavarësinë dhe cilësinë e jetës.
3. Promovimin e një stili të shëndetshëm të jetesës – Si një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efektive për të mbrojtur trurin dhe shëndetin e çdo individi në përgjithësi.
Aktiviteti fizik i rregullt, ushqyerja e balancuar, lënia e duhanit dhe alkoolit, gjumi cilësor, menaxhimi i stresit dhe kontrolli i tensionit të gjakut janë hapa të përditshëm që reduktojnë rrezikun e goditjes në tru, demencës dhe shumë çrregullimeve të tjera neurologjike. ISHP-ja i inkurajon qytetarët të bëjnë zgjedhje të shëndetshme, duke e parë parandalimin si investim afatgjatë për veten dhe familjen.
4. Mbështetjen e vazhdueshme të komuniteteve me akses të kufizuar- Duke e cilësuar këtë thelbësore për barazinë në kujdes shëndetësor.
Në zonat rurale dhe komunitetet me mundësi të kufizuara, qasja në mjekë neurologë, diagnostikim dhe shërbime të specializuara është shpesh e vështirë. ISHP-ja në këtë ditë, thekson rëndësinë e forcimit të rolit të qendrave shëndetësore, trajnimit të vazhdueshëm të mjekëve të familjes dhe ofrimit të shërbimeve multidisiplinare të bazuara në komunitet, në mënyrë që çdo qytetar — pavarësisht vendbanimit — të ketë mundësi të barabarta për kujdes cilësor. Askush nuk duhet të mbetet pa mbështetje për shkak të distancës apo mundësive ekonomike.
5. Forcimin e politikave kombëtare për shëndetin e trurit- Si një domosdoshmëri për të garantuar ofrim të qëndrueshëm të shërbimeve.
Në vitet e fundit, sistemi jonë shëndetësor ka investuar në zgjerimin e shërbimeve të kujdesit parësor duke shtuar psikologë, punonjës socialë, fizioterapistë dhe logopedë pranë Qendrave Shëndetësore, si dhe duke përmirësuar dhe shtuar shërbimet në qendrat komunitare të shëndetit mendor në mbarë vendin. Këto struktura luajnë rol kyç në mbështetjen e pacientëve me sëmundje neurologjike dhe të familjeve të tyre.
Instituti i Shëndetit Publik, në Ditën Botërore të Shëndetit të Trurit, nxit bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet shërbimeve shëndetësore parësore dhe atyre sociale pranë bashkive, për të garantuar një qasje të integruar, të koordinuar dhe të qëndrueshme të shërbimeve në mbështetje të mirëqenies së popullatës në çdo fazë të jetës.
20 Korrik 2026 – Dita Botërore e Trurit