Nënshkruhet marrëveshja për nisjen e studimit kombëtar STEPS për monitorimin e faktorëve të rrezikut të sëmundjeve jo të transmetueshme

U nënshkrua marrëveshja për fillimin e zbatimit të studimit kombëtar STEPS, një iniciativë e rëndësishme që synon forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve jo të transmetueshme (SJT).

Studimi do të realizohet nga Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Ai do të zbatohet duke përdorur metodologjinë e standardizuar STEPS të OBSH-së, e cila mundëson mbledhjen e të dhënave të besueshme dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht mbi faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet jo të transmetueshme.

Studimi do të ofrojë informacion të përditësuar i cili do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave dhe programeve të bazuara në evidencë, me qëllim reduktimin e barrës së sëmundjeve jo të transmetueshme dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon fillimin e një bashkëpunimi të rëndësishëm ndërinstitucional dhe riafirmon angazhimin e partnerëve për të mbështetur zhvillimin e politikave efektive të shëndetit publik, në përputhje me standardet dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.