Tema e vitit: “Rinia si motor i zhvillimit”

Çdo vit, më 11 korrik, shënohet Dita Botërore e Popullsisë, një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin mbi çështjet demografike dhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik, social dhe shëndetësor.

Për vitin 2026, fokusi vendoset tek rinia, duke e njohur atë si një forcë thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Me energjinë, kreativitetin dhe aftësinë për të sjellë ide të reja, të rinjtë luajnë një rol të rëndësishëm në përparimin e shoqërisë dhe në arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030.

Megjithatë, miliona të rinj në mbarë botën vazhdojnë të përballen me pengesa që kufizojnë mundësitë e tyre për arsimim, punësim, shëndet dhe pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore. Investimi tek të rinjtë dhe fuqizimi i tyre mbetet një nga kushtet kryesore për zhvillim të qëndrueshëm.

Raporti mbi Popullsinë Botërore 2026 – “ Të Rinjtë”: paraqet të dhëna të besueshme dhe të krahasueshme mbi situatën e popullsisë së re në nivel global. Raporti analizon ndryshimet në madhësinë dhe shpërndarjen gjeografike të popullsisë rinore, si dhe treguesit kryesorë që lidhen me mirëqenien e të rinjve.

Raporti thekson nevojën për politika dhe investime që:

  • reduktojnë pabarazitë; 
  • promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm; 
  • përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve, me fokus të veçantë në shëndetin seksual dhe riprodhues; 
  • mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e të rinjve; 
  • rrisin pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje dhe në zhvillimin e komuniteteve. 

Gjetjet e raportit përbëjnë një burim të rëndësishëm informacioni për politikëbërësit, institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjithë aktorët që punojnë me të rinjtë. Integrimi i dinamikave demografike në hartimin e politikave dhe programeve ndihmon që ndryshimet në strukturën e popullsisë të shndërrohen në mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të cilësisë së jetës.

Raporti mbështet gjithashtu Youth 2030, strategjinë e Kombeve të Bashkuara për fuqizimin dhe angazhimin e të rinjve, duke promovuar pjesëmarrjen e tyre të plotë në ndërtimin e shoqërive më të drejta, më elastike dhe të qëndrueshme.