1 Tetori shënon Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, një ditë që synon të rrisë ndërgjegjësimin për kontributin, nevojat, të drejtat dhe mirëqenien e personave të moshuar në shoqëri.
Moshimi është një proces natyror i jetës. Mosha e madhe nuk do të thotë domosdoshmërisht sëmundje, ose humbje e pavarësisë. Me kujdesin e duhur shëndetësor dhe një mënyrë jetese të shëndetshme, shumë të moshuar mund të vazhdojnë të jenë aktiv dhe të pavarur.
Mesazhi i Ditës
Një shoqëri që kujdeset për të moshuarit, kujdeset për dinjitetin dhe mirëqenien e të gjithë brezave.
Le ta shohim moshën e tretë jo vetëm si një periudhë që kërkon kujdes, por edhe si një periudhë të pasur me përvojë, dije dhe kontribut për familjen dhe shoqërinë.
Si mund të kujdeseni për shëndetin?
• Kryeni kontrolle të rregullta mjekësore, veçanërisht për tensionin e gjakut, diabetin, kolesterolin, shikimin dhe dëgjimin.
• Ushqehuni në mënyrë të ekuilibruar, duke përfshirë fruta, perime, drithëra, bishtajore, peshk dhe burime të shëndetshme proteinash. Kufizoni kripën, sheqernat dhe ushqimet e përpunuara.
• Kryeni aktivitet fizik të përshtatshëm me moshën dhe gjendjen shëndetësore, si: ecja, dhe ushtrimet për ekuilibrin.
• Kujdesuni për gjumin dhe ruani një rutinë të rregullt ditore.
• Shmangni duhanin dhe kufizoni konsumin e alkoolit.
• Kujdesuni për shëndetin mendor duke ruajtur kontaktet me familjen, miqtë dhe komunitetin, kërkuar ndihmë profesionale kur ju shfaqet ankthi, depresioni ose ndiheni të vetmuar.
Parandalimi i rrëzimeve
Rrëzimet janë një problem i rëndësishëm në moshën e tretë. Për t’i parandaluar është e dobishme të mbahet shtëpia e ndriçuar mirë, të hiqen pengesat dhe qilimat që rrëshqasin, të përdoren këpucë të përshtatshme dhe të kontrollohet rregullisht shikimi.
Nëse shfaqen marramendje ose probleme me ekuilibrin, konsultohuni me mjekun.
Kujdesi dhe respekti
Të moshuarit kanë të drejtë të jetojnë me dinjitet, respekt, siguri dhe pavarësi. Familja dhe komuniteti kanë një rol të rëndësishëm në parandalimin e vetmisë dhe izolimit social.
Kujdesi për një person të moshuar nuk nënkupton vetëm kujdesin për sëmundjet. Ai përfshin edhe dëgjimin, shoqërinë, respektimin e vendimeve të tij dhe mbështetjen për të vazhduar aktivitetet, që i japin kuptim jetës.