Më 2 tetor shënohet Dita Ndërkombëtare “Pa Dhunë” e vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007, me qëllim përhapjen e mesazhit pa dhunë përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës. Data përkon me ditëlindjen e Mahatma Gandhit i njohur për kontributin e tij në promovimin e rezistencës dhe ndryshimit përmes mjeteve paqësore.

Pa dhunë, ndaj çdo forme të saj!

Dhuna cenon dinjitetin, sigurinë dhe të drejtat e njeriut. Ajo mund të shfaqet në forma të ndryshme përfshirë dhunën fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike dhe atë online.

Parandalimi i dhunës kërkon ndërgjegjësim, edukim dhe promovim të marrëdhënieve të bazuara në respekt, mirëkuptim, komunikim dhe tolerancë.

Në mesazhin e tij për Ditën Ndërkombëtare “Pa Dhunë” 2026, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, sjell në vëmendje trashëgiminë e Mahatma Gandhit dhe rëndësinë e përdorimit të dialogut dhe mjeteve paqësore për të përballuar padrejtësitë dhe për të kapërcyer pengesat.

Në një kohë të karakterizuar nga tensione, konflikte dhe pengesa të ndryshme, mesazhi i tij thekson nevojën për të forcuar empatinë, dinjitetin dhe ndjenjën e humanizmit të përbashkët, si dhe për të përdorur dialogun dhe diplomacinë për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të lehtësuar vuajtjet.

“Në këto kohë të tensionuara le të gjejmë guximin, empatinë, dinjitetin dhe humanizmin e përbashkët”,- që Gandhi mishëroi gjatë gjithë jetës së tij.

Si mund të kontribuojmë për një shoqëri pa dhunë?

  • Të promovojmë komunikimin pa dhunë dhe respektin reciprok.
  • Të refuzojmë çdo formë dhune dhe abuzimi.
  • Të edukojmë fëmijët dhe të rinjtë për marrëdhënie të shëndetshme dhe të respektueshme.
  • Të kërkojmë ndihmë dhe mbështetje, kur përballemi me dhunë.
  • Të mos qëndrojmë indiferentë ndaj rasteve të dhunës dhe të mbështesim personat, që kanë nevojë për ndihmë.

Një shoqëri më e sigurt ndërtohet përmes respektit, dialogut dhe refuzimit të çdo forme dhune.