19 Nëntori – Dita Botërore për Parandalimin e Abuzimit
ndaj Fëmijëve
Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis të sigurt, të mbrojtur dhe pa dhunë.
Më 19 nëntor shënohet Dita Botërore për Parandalimin e Abuzimit ndaj Fëmijëve, një nismë e
krijuar në vitin 2000 nga Fondacioni i Samitit Botëror të Grave (Women’s World Summit Foundation
– WWSF). Kjo ditë shërben për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të mobilizuar institucionet,
organizatat, komunitetet dhe qytetarët në parandalimin e dhunës, abuzimit dhe neglizhencës ndaj
fëmijëve.
Çfarë është abuzimi ndaj fëmijëve?
Abuzimi ndaj fëmijëve përfshin çdo formë dhune, keqtrajtimi, neglizhence ose shfrytëzimi që
shkakton ose mund të shkaktojë dëmtim të shëndetit, zhvillimit, aftësive të mbijetesës apo dinjitetit
të tyre. Format kryesore janë:
• Abuzimi fizik – nënkupton përdorimin e forcës fizike ndaj fëmijës, si goditja, shkundja dhe
format e tjera të ndëshkimit trupor.
• Abuzimi emocional dhe psikologjik – përfshin poshtërimin, kërcënimin, frikësimin,
refuzimin, izolimin dhe sjellje të tjera që dëmtojnë mirëqenien emocionale të fëmijës.
• Abuzimi seksual dhe shfrytëzimi seksual – nënkuptojnë përfshirjen e fëmijës në veprimtari
seksuale, si dhe forma të ndryshme të shfrytëzimit, përfshirë ato në mjedisin digjital.
• Neglizhenca – mosplotësimi i nevojave themelore të fëmijës për dashuri e përkujdesje,
ushqim, strehim, arsimim, kujdes shëndetësor dhe mbikëqyrje të përshtatshme.
• Shfrytëzimi i fëmijëve – përfshirë shfrytëzimin ekonomik dhe forma të tjera që cenojnë
sigurinë, dinjitetin dhe zhvillimin e tyre.
Abuzimi dhe keqtrajtimi mund të ndodhin në familje, në shkollë, në komunitet dhe në mjediset
digjitale. Pasojat mund të jenë afatshkurtra dhe afatgjata, madje shpesh zgjasin gjatë gjithë jetës.
Ato ndikojnë në shëndetin fizik dhe mendor, në zhvillimin emocional dhe njohës, në rezultatet në
shkollë dhe në marrëdhëniet shoqërore të fëmijës, si dhe në mirëqenien e tij në moshë madhore.
Parandalimi është përgjegjësi e përbashkët
Abuzimi ndaj fëmijëve mund të parandalohet përmes ndërhyrjeve të hershme, edukimit,
mbështetjes dhe bashkëpunimit ndërmjet familjes, shkollës, shërbimeve shëndetësore dhe sociale,
policisë, mediave dhe komunitetit.
Prindërit dhe kujdestarët mund të kontribuojnë duke:
• ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim, respekt dhe komunikim të hapur me fëmijët;
• përdorur metoda pozitive të edukimit dhe disiplinimit, pa dhunë fizike ose psikologjike;
• informuar fëmijët për të drejtat e tyre dhe kufijtë personalë, si dhe për rëndësinë e kërkimit
të ndihmës nga një person i besuar kur ndihen të kërcënuar ose të pasigurt;
• ndjekur aktivitetin e fëmijëve në internet dhe udhëzuar ata për përdorimin e sigurt të tij;
për mbrojtjen nga rreziqet në mjedisin digjital.
Shkollat dhe komuniteti mund të kontribuojnë duke:
• krijuar mjedise të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe pa dhunë e ngacmim, ku fëmijët ndihen të
respektuar dhe të dëgjuar;
• ndërgjegjësuar fëmijët, prindërit dhe komunitetin për format e dhunës dhe mënyrat e
parandalimit të saj;
• njohur shenjat e mundshme të abuzimit dhe raportuar menjëherë rastet te strukturat
përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve;
• forcuar bashkëpunimin ndërmjet mësuesve, psikologëve, punonjësve socialë,
profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Shenja që kërkojnë vëmendje
Ndryshimet e papritura në sjellje mund të tregojnë se fëmija po përjeton vështirësi ose mund të
jetë në një situatë abuzimi. Disa prej shenjave që kërkojnë vëmendje janë:
• tërheqja nga shoqëria e bashkëmoshatarëve, izolimi ose ndryshimet e dukshme në sjellje;
• frika e vazhdueshme, ankthi ose reagimet emocionale të pazakonta;
• ndryshimet në gjumë dhe në ushqyerje;
• rënia e rezultateve në shkollë ose humbja e interesit për aktivitetet e zakonshme;
• dëmtimet fizike për të cilat nuk jepen shpjegime të qarta;
• shmangia e personave, e vendeve ose e situatave të caktuara.
Këto shenja nuk dëshmojnë domosdoshmërisht se fëmija është viktimë e abuzimit, por kërkojnë
vëmendje, vlerësim të kujdesshëm, një bisedë të qetë e mbështetëse me të dhe, kur është e
nevojshme, orientim te profesionistët dhe strukturat përgjegjëse.
Si të veprojmë kur dyshojmë për abuzim ndaj një fëmije?
Reagimi i duhur dhe në kohën e duhur mund të jetë vendimtar për sigurinë dhe mirëqenien e
fëmijës. Në rast dyshimi ose njoftimi për abuzim:
• Dëgjojeni fëmijën me qetësi. Merreni seriozisht atë që thotë, besojeni, mos e fajësoni dhe
sigurojeni se nuk është përgjegjës për atë që ka ndodhur.
• Shmangni pyetjet e përsëritura ose sugjestive. Jepini mundësinë të shprehet pa presion
dhe pa kërkuar hollësi që duhet të vlerësohen nga profesionistët.
• Sigurojini mbrojtjen e menjëhershme . Nëse ekziston rrezik i drejtpërdrejtë, kërkoni
ndihmë nga strukturat kompetente.
• Raportoni rastin. Çdo dyshim për abuzim duhet t’u përcillet strukturave përgjegjëse për
mbrojtjen e fëmijëve, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.
Raportimi i dyshimit për abuzim është detyrim moral dhe, në shumë raste, detyrim ligjor.
Mbrojtja e fëmijëve kërkon reagim të koordinuar dhe bashkëpunim ndërmjet familjes,
institucioneve arsimore, shërbimeve shëndetësore, shërbimeve sociale, strukturave të rendit dhe
komunitetit. Parandalimi i abuzimit ndaj tyre fillon me ndërgjegjësimin, vazhdon me veprimin dhe
kërkon angazhimin e të gjithëve.
Parandalojmë dhunën – Mbrojmë fëmijët – Dëgjojmë zërin e tyre.