15 Nëntor 2026
Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave të Trafikut Rrugor
Çdo vit, të dielën e tretë të muajit nëntor, bota ndalet për të përkujtuar miliona njerëz që kanë
humbur jetën ose janë plagosur rëndë si pasojë e aksidenteve rrugore. Dita Botërore e Kujtimit të
Viktimave të Trafikut Rrugor është një moment reflektimi për jetët e humbura, për dhimbjen që
mbajnë familjet dhe komunitetet, por edhe për përgjegjësinë e përbashkët për të parandaluar
tragjedi të tjera në të ardhmen.
Përtej kësaj, kjo ditë shërben si një thirrje globale për veprim. Ajo sjell në vëmendje përmasat e
mëdha të këtij problemi, që vazhdon të marrë jetë dhe të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore,
sociale dhe ekonomike në të gjithë botën.
Në këtë ditë nderohen edhe ekipet e emergjencës, policia dhe profesionistët e shëndetësisë, të cilët
përballen vijimësisht me pasojat traumatike të aksidenteve rrugore.
Dita Botërore e Kujtimit të Viktimave të Trafikut
Rrugor
Një ditë për reflektim, solidaritet dhe veprim
“Një Dritë që na Bashkon”
Kujto – Mbështet – Vepro
Mesazhi për Ditën – 2026 është: “Kujto- Mbështet – Vepro”, duke u shndërruar në një angazhim
për jetën dhe sigurinë rrugore.
Fushata simbolizon ndikimin e përhershëm që lënë pas njerëzit që nuk janë më mes nesh, duke na
kujtuar se, “çdo jetë ka vlerë dhe se çdo humbje mund të shërbejë si një nxitje për të ndërtuar rrugë
më të sigurta dhe komunitete më të përgjegjshme”.
Kujto ata që humbën jetën, duke nderuar historitë, ëndrrat dhe kontributin e tyre.
Mbështet viktimat dhe familjet e prekura, duke treguar empati, mirëkuptim dhe solidaritet.
Vepro përmes zgjedhjeve të përgjegjshme në rrugë, respektimit të rregullave të qarkullimit dhe
promovimit të një kulture që vendos në qendër jetën dhe sigurinë.
Një përgjegjësi që na përket të gjithëve
Aksidentet rrugore vazhdojnë të jenë ndër shkaqet kryesore të humbjes së jetës dhe dëmtimeve
serioze në mbarë botën, duke prekur veçanërisht të rinjtë dhe grupet më të cënueshme. Çdo viktimë
përfaqëson një histori të ndërprerë, një familje të prekur dhe një komunitet që përballet me pasojat e
humbjes.
Në kuadër të Dekadës së Veprimit për Sigurinë Rrugore 2021–2030, kjo ditë luan një rol të
rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit dhe në mbështetjen e objektivit global për uljen e ndjeshme
të viktimave të trafikut rrugor.
Kjo ditë na fton të kthejmë kujtesën në veprim, empatinë në mbështetje dhe ndërgjegjësimin në
angazhim. Duke kujtuar ata që humbën jetën, duke qëndruar pranë atyre që vazhdojnë të përballen
me pasojat e aksidenteve dhe duke vepruar me përgjegjësi çdo ditë, secili prej nesh mund të
kontribuojë për rrugë më të sigurta dhe më shumë jetë të shpëtuara.
Kujtoni historitë e tyre. Mbështesni ata që vazhdojnë rrugëtimin. Veproni që çdo udhëtim të
përfundojë i sigurt.
Fushata WDoR 2026
Objektivat e Ditës Botërore të Kujtimit të Viktimave të Trafikut Rrugor – 2026 :
Të kujtojë personat e vrarë ose të plagosur rëndë në rrugë;
Të vlerësojë punën jetike të shërbimeve të emergjencës;
Të tërheqë vëmendjen ndaj reagimeve shpesh të pamjaftueshme ligjore ndaj vdekjeve dhe
dëmtimeve të shkaktuara nga trafiku rrugor dhe të kërkojë përgjigje më serioze;
Të promovojë mbështetje më të mirë për viktimat dhe familjet e tyre;
Të nxisë veprime të bazuara në prova shkencore për parandalimin dhe eliminimin e vdekjeve
dhe dëmtimeve nga trafiku rrugor.
Çdo vit, miliona viktima të reja i shtohen shifrës prej mbi 50 milionë personash të vrarë dhe qindra
milionë të plagosur që nga vdekja e parë në trafikun rrugor. Ky është një problem global me pasoja
të rënda që ka shkaktuar jo vetëm trauma dhe humbje njerëzore, por edhe pasoja të mëdha
ekonomike për familjet, komunitetet dhe vendet.
Prandaj, gjatë Dekadës së Veprimit 2021–2030, kjo ditë luan një rol të rëndësishëm në arritjen e
objektivit për uljen me 50% të viktimave të trafikut rrugor.