Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Abuzimin ndaj të Moshuarve shënohet çdo vit më 15 qershor, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për një problem që prek miliona të moshuar në mbarë botën.
Tema e vitit 2026: “Përtej ndërgjegjësimit: Ta bëjmë parandalimin e abuzimit ndaj të moshuarve një realitet” thekson nevojën për të kaluar në veprime konkrete, duke forcuar mekanizmat që parandalojnë abuzimin dhe mbrojnë të drejtat, dinjitetin dhe mirëqenien e të moshuarve.
Me plakjen e popullsisë, gjithnjë e më shumë persona me aftësi të kufizuara po arrijnë moshën e tretë, ndërsa shumë të moshuar zhvillojnë aftësi të kufizuara gjatë jetës. Kjo kërkon bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet shërbimeve të kujdesit për të moshuarit dhe atyre për personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht në fushat e mbrojtjes sociale, kujdesit shëndetësor dhe mbështetjes në komunitet.
Abuzimi ndaj të moshuarve vazhdon të jetë një fenomen i nënvlerësuar dhe i raportuar rrallë. Ai mund të shfaqet në forma të ndryshme, si:
- abuzim fizik;
- abuzim psikologjik ose emocional;
- shfrytëzim financiar;
- neglizhencë dhe mungesë e kujdesit.
Shpesh, abuzimi ndodh në situata ku të moshuarit kanë mbështetje të kufizuar, izolim social ose vështirësi në aksesin ndaj shërbimeve. Për këtë arsye, mbrojtja e tyre kërkon jo vetëm ndërgjegjësim, por edhe politika, shërbime dhe mekanizma efektivë që parandalojnë abuzimin dhe ofrojnë ndihmë në situatat kur ndodh.
Çdo i moshuar ka të drejtë të jetojë me dinjitet, siguri, pavarësi dhe respekt.
A e dini se?
- Vetëm 49.2% e grave dhe 63.2% e burrave mbi moshën e pensionit, përfitojnë pensione kontributive.
- Jetëgjatësia mesatare globale ka arritur në 73.5 vjet dhe pritet të arrijë 77 vjet deri në vitin 2050.
- Deri në fund të viteve 2050, më shumë se gjysma e vdekjeve në botë pritet të ndodhin tek personat 80 vjeç e lart.
- Vdekshmëria e lidhur me temperaturat e larta tek personat mbi 65 vjeç është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.
- Familjet e drejtuara nga të moshuarit janë ndër më të prekura nga përmbytjet dhe valët e të nxehtit, të cilat ndikojnë negativisht në të ardhurat dhe mirëqenien e tyre.
#WEAAD2026 #MbrojmëTëMoshuarit #DinjitetDheRespekt #PlakjeEShëndetshme #ShëndetiPublik