16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore 
Fushata UNiTE 2026  |  25 nëntor – 10 dhjetor 2026 
25 nëntori – Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave 
Çdo vit, më 25 nëntor, shënohet Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Kjo
ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin për dhunën ndaj grave dhe vajzave, të nxisë parandalimin
ndaj saj dhe të forcojë angazhimin e institucioneve dhe të gjithë shoqërisë për mbrojtjen e të
drejtave, sigurisë dhe dinjitetit të tyre. 
Fushata 16 Ditët e Aktivizmit – 2026 
Më 25 nëntor nis fushata ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë
Gjinore”, e cila përfundon më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Fushata mobilizon institucionet, organizatat, komunitetet dhe individët për të parandaluar
dhunën, për të mbështetur të mbijetuarat dhe për të kërkuar përgjegjësi për autorët. UN Women
u bën thirrje organizatave të grave, qeverive, sistemit të Kombeve të Bashkuara, mediave dhe
të mbijetuarave ta «ngjyrosin botën portokalli» dhe të bashkojnë forcat për veprime konkrete. 
Tema e vitit 2026 
«Bashkohuni (UNiTE) për ti dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave:
Siguroni drejtësinë, mbroni të mbijetuarat, jepini fund pandëshkueshmërisë.» 
Tema ka në fokus nevojën për qasje efektive në drejtësi, mbrojtje dhe shërbime të sigurta për
gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë, si dhe përgjegjësinë për të hetuar rastet dhe për të
ndëshkuar autorët. Ajo nënvizon gjithashtu rëndësinë e njohjes dhe trajtimit të dhunës së
ushtruar përmes teknologjisë dhe në hapësirat digjitale. 
Konteksti: “Një krizë globale që mbetet pa drejtësi!” 
Dhuna me bazë gjinore prek një në çdo tri gra dhe vajza në botë, pra rreth 840 milionë persona.
Ajo mbetet një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut, por për miliona të
mbijetuara drejtësia dhe mbështetja vazhdojnë të jenë të paarritshme. 

  • Sipas të dhënave të reja të UN Women, shumica e grave që kanë përjetuar dhunë fizike
    ose seksuale nuk kërkojnë kurrë ndihmë; vetëm një pjesë e vogël i drejtohet policisë dhe në
    shumë vende kërkimi i ndihmës po bie. 
  • Shkurtimet e fondeve po ngushtojnë aksesin te shërbimet jetike dhe po dobësojnë
    organizatat për të drejtat e grave, që i ndihmojnë të mbijetuarat në marrjen e ndihmës ligjore
    në sistemin e drejtësisë dhe në rindërtimin e jetës. 
  • Për gratë në zona rurale e të thella dhe për ato që përballen me forma të ndërthurura
    diskriminimi, rruga drejt drejtësisë është edhe më e vështirë. 

Ligjet e forta janë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë: nevojiten mënyra të sigurta denoncimi,
shërbime të aksesueshme, të përballueshme dhe sisteme drejtësie që reagojnë me efikasitet,
ku autorët vendosen para përgjegjësisë dhe institucionet japin llogari. 
Forma të ndryshme dhune, pasoja reale 
Dhuna me bazë gjinore mund të shfaqet në forma fizike, psikologjike, seksuale dhe ekonomike,
si edhe përmes ngacmimit, kërcënimit, kontrollit dhe përndjekjes në hapësirat digjitale. Ajo
mund të ndodhë në familje, në marrëdhënie intime, në vendin e punës, në komunitet dhe në
internet. 
Përveç cenimit të sigurisë dhe të drejtave themelore, dhuna ka pasoja të rënda në shëndetin
fizik dhe mendor: lëndime, stres, ankth, depresion dhe pasoja afatgjata në mirëqenien e
individit. 
Fushata e këtij viti sinkronizohet me atë të vitit 2025 mbi dhunën digjitale. Dhuna online dhe ajo
offline kanë vazhdimësi, shpesh duke u mbivendosur dhe përforcuar reciprokisht, dhe kërkojnë

parandalim, mbrojtje, llogaridhënie dhe riparim të dëmit. Ngacmimi online, ndjekja kibernetike
(cyberstalking), abuzimi me imazhe intime, deepfake-t dhe dezinformimi me bazë gjinore mund
të shkaktojnë dëme serioze psikologjike, shoqërore, ekonomike dhe fizike. 
Çfarë do të thotë drejtësi për gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë? 
Drejtësia nuk është vetëm një vendim gjykate apo një dënim penal. Ajo nis me faktin që të
mbijetuarat dëgjohen, u besohet dhe trajtohen me dinjitet. Konkretisht, nënkupton: 

  • mbrojtje të menjëhershme nga dëmtimi i mëtejshëm ose hakmarrja, për to dhe për
    fëmijët e tyre;
  • mënyra të sigurta, konfidenciale dhe të aksesueshme për denoncimin e dhunës; 
  • akses në ndihmë juridike, kujdes shëndetësor, mbështetje psikosociale, strehim dhe
    shërbime të tjera thelbësore; 
  • hetime dhe procedura në kohë, të paanshme dhe të përqendruara te e mbijetuara; 
  • llogaridhënie për autorët e dhunës dhe për institucionet që nuk veprojnë; 
  • mjete juridike dhe reparacione efektive, që i përgjigjen nevojave të të mbijetuarave; 
  • procese që respektojnë zgjedhjet, sigurinë dhe autonominë e tyre, pa i ekspozuar ndaj
    traumës së mëtejshme. 

Drejtësia duhet të jetë e aksesueshme për të gjitha gratë dhe vajzat në gjithë larminë e
problematikave të tyre. 
Ajo duhet të shtrihet edhe në hapësirat digjitale, ku të mbijetuarat duhet të kenë akses ta
denoncojnë abuzimin dhe të marrin zgjidhje kuptimplote, si online ashtu edhe offline. 
Katër veprime për drejtësi dhe kundër pandëshkueshmërisë 
1. Sisteme drejtësie që funksionojnë për të mbijetuarat. Qeveritë duhet të miratojnë dhe
zbatojnë ligje gjithëpërfshirëse për të gjitha format e dhunës. Policia, prokurorët dhe gjyqtarët
kanë nevojë për burime, trajnim dhe mekanizma llogaridhënieje. Denoncimi duhet të marrë
përgjigje në kohë, autorët të përballen me pasoja, e të mbijetuarat të kenë akses në ndihmë
juridike, mjete juridike dhe reparacione. 
2. Mbrojtje dhe mbështetje në çdo hap. Shërbime të aksesueshme, të financuara
mjaftueshëm dhe të koordinuara: kujdes shëndetësor, mbështetje psikosociale, ndihmë juridike,
strehim dhe masa mbrojtëse. Përgjigjet duhet të jenë të përqendruara te e mbijetuara, të
ndjeshme ndaj traumës, të përshtatura sipas moshës dhe konfidencialitetit; me sigurinë,
dinjitetin, pëlqimin dhe zgjedhjet e saj në plan të parë, si dhe me mbrojtje nga hakmarrja e
kërcënimet. 
3. Drejtësi online dhe offline. Qeveritë dhe kompanitë teknologjike duhet ta trajtojnë dhunën
digjitale si pjesë të krizës globale. Platformat duhet të ofrojnë mekanizma të aksesueshëm
raportimi dhe riparimi, ta heqin menjëherë përmbajtjen e dëmshme, të rrisin transparencën dhe
ta integrojnë sigurinë në dizajnin e produkteve; ligjet dhe shërbimet duhet të evoluojnë
paralelisht me teknologjinë. 
4. Investim në parandalim dhe në organizatat për të drejtat e grave. Qeveritë, donatorët dhe
institucionet duhet të investojnë në parandalim të bazuar në evidenca, në edukim ligjor dhe
digjital, në programe që sfidojnë mizoginë dhe format e dëmshme të maskulinitetit, duke i dhënë
fund stereotipeve e qëndrimeve patriarkale. Organizatat për të drejtat e grave dhe lëvizjet
feministe kanë nevojë për financim të qëndrueshëm, fleksibël dhe afatgjatë. 
Parandalimi dhe mbështetja janë përgjegjësi e përbashkët 
Parandalimi i dhunës kërkon edukim, barazi, respekt dhe reagim të koordinuar. Është e
rëndësishme që gratë dhe vajzat të kenë informacion për të drejtat e tyre dhe të mund të
kërkojnë ndihmë pa frikë, paragjykim apo fajësim. Institucionet shëndetësore kanë rol të
rëndësishëm në identifikimin e rasteve, ofrimin e kujdesit dhe orientimin drejt shërbimeve të
specializuara, duke respektuar konfidencialitetin, sigurinë dhe dinjitetin e çdo personi. 
Si të bashkoheni në fushatën UNiTE 

  • Organizoni aktivitete të dukshme gjatë 16 Ditëve (25 nëntor – 10 dhjetor), në
    bashkëpunim me organizata të grave, të mbijetuara, grupe të rinjsh, aktorë të drejtësisë,
    qeveri, media dhe udhëheqës komunitarë. 
  • Vishni ose përdorni ngjyrën portokalli, simbol i shpresës dhe i një të ardhmeje pa
    dhunë ndaj grave. 
  • Mësoni dhe shpërndani materialet e fushatës; burime të tjera do të shtohen së
    shpejti. 
  • Mbështetni ose financoni organizatat për të drejtat e grave dhe shërbimet për të
    mbijetuarat. 
  • Organizoni diskutime, debate dhe fushata lokale që nxjerrin në pah pengesat e
    aksesit te drejtësia, sfidojnë fajësimin e viktimës dhe thërrasin vendimmarrësit të forcojnë
    ligjet, shërbimet dhe llogaridhënien. 
  • Bashkohuni në diskutimin online me hashtagët #ForAllWomenAndGirls, #NoExcuse
    dhe #16Days. 

Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është e pashmangshme; as pandëshkueshmëria. Çdo

grua dhe vajzë ka të drejtë të jetojë e sigurt, e lirë dhe me dinjitet. 

Drejtësia bëhet e mundur kur të mbijetuarave u besohet dhe mbrohen, kur institucionet veprojnë
me efikasitet dhe kur autorët gjykohen përgjegjës. Këto #16Ditë dhe çdo ditë në vazhdimësi,
bashkohuni me ne për të siguruar drejtësi, për të mbrojtur të mbijetuarat dhe për t'i dhënë fund

pandëshkueshmërisë. 

Burimi 
UN Women – Media Advisory: International Day for the Elimination of Violence against Women and 16 Days of
Activism 2026 (unwomen.org