Të dëgjojmë përvojat e jetuara: zëra të vërtetë, ndryshimi i vërtetë.
10 tetori – Dita Botërore e Shëndetit Mendor është një mundësi për të dëgjuar dhe përfshirë në mënyrë domethënëse njerëzit me përvojë të jetuar të problemeve të shëndetit mendor dhe për të njohur përvojën e tyre si një formë të rëndësishme ekspertize.
Tema e këtij viti, “Të dëgjojmë përvojat e jetuara: zëra të vërtetë, ndryshimi i vërtetë”, thekson nevojën, që zëri dhe përvoja e njerëzve me përvojë të drejtpërdrejtë të shëndetit mendor të ndikojnë në politikat, shërbimet dhe vendimmarrjen, që lidhen me jetën e tyre.
Përvoja e jetuar është ekspertizë
“Përvojë e jetuar” nënkupton atë çka një person ka përjetuar drejtpërdrejt, duke përfshirë përvojën e problemeve të shëndetit mendor, kërkimin dhe marrjen e kujdesit dhe mbështetjes, apo edhe vështirësitë për të pasur akses në shërbimet e nevojshme.
Kjo përvojë sjell njohuri, që nuk mund të përftohen vetëm përmes formimit profesional apo kërkimit shkencor. Njerëzit me përvojë të jetuar mund të identifikojnë pengesa dhe nevoja që shpesh mund të mos evidentohen nga profesionistët, apo institucionet dhe të ndihmojnë në krijimin e shërbimeve më të përshtatshme për realitetin e njerëzve.
Megjithatë, shumë shpesh njerëzit ftohen të ndajnë historitë e tyre, por nuk përfshihen në vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Të dëgjosh nuk mjafton.
Përfshirja domethënëse do të thotë që njerëzit me përvojë të jetuar të kenë mundësi reale të ndikojnë në vendimmarrje, të bashkëhartojnë shërbimet, të forcojnë mbështetjen nga bashkëmoshatarët, të sfidojnë stigmën dhe të kontribuojnë në rritjen e përgjegjshmërisë së sistemeve.
Nga dëgjimi – te veprimi
Sistemet e shëndetit mendor bëhen më njerëzore, më të orientuara drejt të drejtave dhe më të përgjegjshme ndaj nevojave të komunitetit kur njerëzit, që i përdorin këto shërbime, përfshihen në mënyrë aktive në hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e tyre.
Të dhënat e WHO Mental Health Atlas 2024 tregojnë, se përfshirja e njerëzve me përvojë të jetuar ende nuk është praktikë standarde në të gjitha vendet:
• vetëm 37% e vendeve raportuan përfshirjen e njerëzve me përvojë të jetuar në trajnimin për shëndetin mendor të profesionistëve të kujdesit shëndetësor parësor;
• 45% raportuan bashkëpunim të vazhdueshëm me njerëzit me përvojë të jetuar dhe grupet e advokimit të familjarëve apo kujdestarëve në planifikimin, ofrimin ose monitorimin e shërbimeve;
• 59% raportuan, se legjislacioni për shëndetin mendor ishte hartuar në konsultim me njerëzit me përvojë të jetuar;
• 80% e vendeve me një politikë ose plan për shëndetin mendor raportuan, se ai ishte zhvilluar në konsultim me ta.
Këto të dhëna tregojnë, se megjithëse është bërë progres, zëri i njerëzve me përvojë të jetuar duhet të ketë një rol më të madh dhe më të qëndrueshëm në vendimmarrje.
Kujdesi në komunitet dhe deinstitucionalizimi
Një nga prioritetet e rëndësishme për shumë njerëz me përvojë të jetuar është kalimi nga kujdesi afatgjatë në institucionet psikiatrike drejt kujdesit të bazuar në komunitet, të orientuar nga personi dhe të mbështetur në të drejtat e njeriut.
Institucionalizimi afatgjatë mund të çojë në izolim dhe në disa raste është shoqëruar me kujdes të dobët, përdorim të masave shtrënguese dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Megjithatë, kalimi drejt kujdesit komunitar po ndodh ende shumë ngadalë. Vetëm rreth 9% e vendeve kanë përfunduar plotësisht kalimin nga modelet e kujdesit të bazuar në institucione drejt modeleve të bazuara në komunitet, ndërsa rreth 53% janë ende në fazat e hershme të këtij procesi.
Deinstitucionalizimi nuk nënkupton thjesht mbylljen e institucioneve. Ai kërkon krijimin dhe forcimin e shërbimeve cilësore në komunitet, mbështetjes sociale, strehimit, arsimit, punësimit dhe shërbimeve të tjera që u mundësojnë njerëzve të jetojnë me dinjitet, zgjedhje dhe pavarësi, të ruajnë lidhjet me familjen dhe të marrin pjesë plotësisht në jetën e komunitetit.
Në këtë proces përvoja e njerëzve, që kanë kaluar nëpër kujdes institucional, duhet të dëgjohet dhe të përfshihet në çdo fazë të ndryshimit.
Asgjë për ne – pa ne
Njerëzit me përvojë të jetuar nuk duhet të jenë vetëm dëshmitarë të ndryshimit, por bashkëkrijues të tij.
Përvoja e tyre duhet të merret në konsideratë që nga planifikimi i politikave dhe shërbimeve, gjatë zbatimit të tyre dhe deri te vlerësimi i rezultateve.
Në këtë Ditë Botërore të Shëndetit Mendor, mesazhi është i qartë:
“Të mos mjaftohemi vetëm duke dëgjuar. Të kalojmë nga dëgjimi te veprimi”.
Të ndërtojmë sisteme të shëndetit mendor me njerëzit me përvojë të jetuar, jo vetëm për ta.
Sepse përvoja e jetuar është ekspertizë dhe sepse një sistem i shëndetit mendor që respekton dinjitetin, të drejtat dhe zgjedhjet e çdo personi duhet të udhëhiqet edhe nga zërat e atyre që e kanë përjetuar atë sistem.
Asgjë për ne – pa ne
Zëra të vërtetë – Përvoja të vërteta – Ndryshim i vërtet
Burimi: World Health Organization, 2026 https://www.who.int/campaigns/world-mental-health-day/2026