26 shtatori është Dita Botërore e Kontracepsionit e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e shëndetit seksual dhe riprodhues, planifikimit familjar, aksesit në metoda të sigurta dhe efektive të kontracepsionit.

Kontracepsioni u mundëson individëve dhe çifteve të vendosin, nëse dhe kur dëshirojnë të kenë fëmijë. Planifikimi i shtatzënisë mund të kontribuojë në shëndetin e gruas, të fëmijës, të familjes, si dhe në mirëqenien sociale dhe ekonomike.

Çfarë është kontracepsioni?

Kontracepsioni përfshin metoda të ndryshme të cilat përdoren për të parandaluar shtatzëninë. Metodat ndryshojnë në mënyrën e veprimit, efektivitetin, kohëzgjatjen, dhe nëse përmbajnë apo jo hormone.

Zgjedhja e metodës duhet të jetë individuale dhe duhet të marrë në konsideratë moshën, gjendjen shëndetësore, historinë mjekësore, barnat që përdoren, planet riprodhuese dhe preferencat personale.

  • Metodat kryesore të kontracepsionit

  • Prezervativët – metoda barrierë që parandalon kontaktin e spermatozoideve me vezën. Prezervativët ndihmojnë gjithashtu në reduktimin e rrezikut të shumë infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST).

 

  • Kontraceptivët oralë – pilula hormonale që përdoren rregullisht dhe kryesisht parandalojnë ovulacionin.

 

  • Kontraceptivët injektues, flasterët dhe unazat vaginale – metoda hormonale që përdoren sipas intervaleve të përcaktuara.

 

  • Pajisjet intrauterine (IUD/spiralet) – pajisje të vendosura në mitër. Ekzistojnë IUD me bakër dhe IUD hormonale të cilat ofrojnë kontracepsion afatgjatë.

 

  • Implantet kontraceptive – pajisje të vogla hormonale të vendosura nën lëkurë, që ofrojnë mbrojtje për një periudhë të gjatë.

 

  • Metodat e përhershme – sterilizimi tubar dhe vazektomia të cilat konsiderohen metoda të përhershme të kontracepsionit.

Efektiviteti i metodave ndryshon dhe ndikohet edhe nga mënyra e përdorimit. Metodat afatgjata, si 

implantet dhe IUD-të, kanë efektivitet shumë të lartë, ndërsa metodat që kërkojnë përdorim të rregullt mund të jenë më pak efektive në praktikë, nëse nuk përdoren në mënyrë korrekte dhe të vazhdueshme.

  • Kontracepsioni dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme

Është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet parandalimit të shtatzënisë dhe parandalimit të IST-ve. Shumica e metodave kontraceptive nuk mbrojnë nga IST-të. Prezervativi, kur përdoret në mënyrë korrekte dhe gjatë çdo kontakti seksual, redukton rrezikun e transmetimit të shumë IST-ve, përfshirë HIV-in.

Për mbrojtjen e shëndetit seksual janë të rëndësishme: testimi kur rekomandohet, diagnostikimi dhe trajtimi në kohë, si dhe komunikimi i hapur me partnerin dhe profesionistin e shëndetit.

  • Pse është i rëndësishëm planifikimi i shtatzënisë?

Një shtatzëni e paplanifikuar mund të ndodhë edhe kur përdoret kontracepsioni, pasi asnjë metodë nuk është 100% efektive. Megjithatë, përdorimi korrekt dhe i vazhdueshëm i një metode të përshtatshme ul ndjeshëm rrezikun e shtatzënisë së padëshiruar.

Planifikimi familjar mund të ndihmojë në:

-shmangien e shtatzënive të paplanifikuara;

-përcaktimin e intervalit të dëshiruar ndërmjet shtatzënive;

-përgatitjen fizike dhe shëndetësore për një shtatzëni të ardhshme;

-menaxhimin e sëmundjeve kronike dhe rishikimin e barnave përpara shtatzënisë;

-reduktimin e disa rreziqeve që lidhen me shtatzënitë e afërta në kohë.

  • Këshillimi për kontracepsionin

Këshillimi nga një profesionist i shëndetit është një pjesë e rëndësishme e kujdesit seksual dhe riprodhues. Gjatë konsultës mund të vlerësohen gjendja shëndetësore, faktorët e rrezikut, barnat e përdorura dhe planet riprodhuese, për të identifikuar opsionet më të përshtatshme.

Mos përdorni metoda, barna ose produkte të pakëshilluara dhe të paaprovuara për parandalimin e shtatzënisë. Informacioni i saktë dhe këshillimi profesional ndihmojnë në shmangien e praktikave të pasigurta.

-Informohu- 

-Konsultohu me profesionistin e shëndetësisë- 

-Mbro shëndetin dhe planifiko të ardhmen-