“Një pikë humanizmi. Dhuroni gjak. Shpëtoni jetë.”

Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut mbahet çdo vit më 14 Qershor, si një homazh për miliona dhurues vullnetarë dhe të papaguar të gjakut në mbarë botën, bujaria e të cilëve shpëton jetë çdo ditë. Kontributi i tyre është thelbësor për funksionimin e sistemeve shëndetësore, duke mbështetur pacientët në situata emergjente, gjatë lindjeve, ndërhyrjeve kirurgjikale, trajtimeve të kancerit dhe në kujdesin afatgjatë për shumë sëmundje serioze. 

Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut është një mundësi për të shprehur mirënjohje ndaj të gjithë dhuruesve të gjakut, por njëkohësisht edhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi nevojën e vazhdueshme për gjak dhe produkte gjaku të sigurta dhe të disponueshme në kohën e duhur për të gjithë pacientët që kanë nevojë.

Fokusi i Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut për vitin 2026 është:

“Një pikë humanizmi. Dhuroni gjak. Shpëtoni jetë.”

Ky slogan vendos njerëzimin në qendër të çdo dhurimi gjaku dhe kujton se çdo dhurim është më shumë sesa një procedurë mjekësore; ai përfaqëson një akt solidariteti, dhembshurie dhe përgjegjësie kolektive. I frymëzuar nga ideja se e gjithë njerëzimi mund të pasqyrohet në një pikë të vetme gjaku, slogani thekson se çdo dhurues kontribuon në krijimin e një lidhjeje jetike që bashkon dhe mbron komunitetet tona. 

Gjaku i sigurt mbetet një komponent thelbësor i sistemeve shëndetësore. Miliona pacientë në të gjithë botën varen nga transfuzionet e gjakut për trajtimin e komplikacioneve gjatë lindjes, anemive të rënda, ndërhyrjeve kirurgjikale, trajtimeve të kancerit, sëmundjeve kronike të gjakut dhe shumë gjendjeve të tjera që kërcënojnë jetën. Megjithatë, shumë vende vazhdojnë të përballen me mungesa të gjakut dhe me vështirësi në sigurimin e qasjes universale në gjak të sigurt dhe produkte të tij. 

Është fakt se një dhurim gjaku mund të ndihmojë në shpëtimin e deri në tre jetëve, duke e bërë çdo akt dhurimi një kontribut të çmuar në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve. Sipas OBSH-së, furnizimi i qëndrueshëm me gjak të sigurt varet nga dhuruesit e rregullt, vullnetarë dhe të papaguar. 

Objektivat e fushatës për vitin 2026 janë:

  • Rritja e ndërgjegjësimit publik për nevojën e vazhdueshme për dhurime gjaku dhe plazme, si dhe për ndikimin jetik që ato kanë tek pacientët që kanë nevojë për transfuzion; 
  • Evidentimi i rolit të pazëvendësueshëm të dhuruesve vullnetarë dhe të papaguar të gjakut në garantimin e furnizimit të sigurt me gjak; 
  • Promovimi i vlerave të solidaritetit, dhembshurisë dhe përgjegjësisë shoqërore nëpërmjet aktit të dhurimit të gjakut; 
  • Inkurajimi i individëve që mund të dhurojnë gjak për ta bërë këtë në mënyrë të rregullt, duke kontribuar në krijimin e rezervave të qëndrueshme të gjakut; 
  • Sensibilizimi i brezave të rinj për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut dhe përfshirjen e tyre në këtë akt human; 
  • Nxitja e qeverive dhe partnerëve për të investuar dhe mbështetur programet kombëtare të gjakut, me synim sigurimin e aksesit universal në transfuzion të sigurt. 

Përparimet shkencore në fushën e transfuzionit, përfshirë përzgjedhjen dhe testimin e dhuruesve, përpunimin dhe ruajtjen e gjakut, kanë rritur ndjeshëm sigurinë e transfuzioneve. Megjithatë, pavarësisht zhvillimeve teknologjike, gjaku nuk mund të prodhohet artificialisht. Ai mund të vijë vetëm nga individë të gatshëm për të dhuruar në mënyrë vullnetare. Për këtë arsye, bujaria e dhuruesve të gjakut mbetet themeli i një sistemi të sigurt dhe të qëndrueshëm të furnizimit me gjak. 

Në këtë Ditë Botërore të Dhurimit të Gjakut, le të shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë dhuruesit e gjakut dhe të ndërgjegjësojmë shoqërinë mbi rëndësinë e këtij akti human. Çdo pikë gjaku e dhuruar përfaqëson shpresë, solidaritet dhe një mundësi për jetë për ata që kanë më shumë nevojë.

Burimi: Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) – World Blood Donor Day 2026: One Drop of Humanity. Give Blood. Save Lives.