Programi i Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës në Shqipëri ofron depistimin e kancerit të qafës së mitrës nëpërmjet testit të HPV-së, tek të gjitha gratë e grupmoshës 40-49 vjec, një herë në 5 vite, me qëllim parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Ky program synon të identifikojë individët në rrezik për të zhvilluar kancer të qafës së mitrës, si dhe të diagnostikojë në fazë të hershme lezionet parakanceroze dhe të parandalojë zhvillimin e kancerit dhe pasojat shpesh fatale të lidhura me të.

Ky program depistimi ka për qëllim mbulimin e popullatës target me depistim dhe rritjen e nivelit të depistimit për kancerin e qafës së mitrës.

Thuajse në të gjitha rastet, kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga Virusi i Papilomës Humane (HPV).

HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm i transmetuar seksualisht. Njihen me shumë se 200 tipe e nëntipe HPV-je, por jo të gjitha këto shkaktojnë kancer të qafës së mitrës. Shkaku kryesor i parakancerit të qafës së mitrës dhe i kancerit skuamoz të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm pa simptoma ose kronik me një ose me disa prej tipeve HPV 16, 18, 31, 35, 39, 45, 51, 52, 56, 58, 59, 66, 68, me rrezik të lartë ose onkogjene, të klasifikuara si grupi 1, “kancerogjenë te njerëzit” nga IARC (International Agency for Research on Cancer, 2013). Nga këto tipe onkogjene, HPV-ja 16 dhe 18 janë shkaktare të 70% të rasteve të kancerit të qafës së mitrës të raportuara në mbarë botën.

Përveç tipeve me rrezik të lartë, ekzistojnë dhe disa tipe me rrezik të ulët: HPV 6, 11, 40, 42, 43, 44, 53, 54, 61, 72, 73, 81, të cilat janë shkaku i lythave gjenitalë ose kondilomave por që nuk shkaktojnë kancer të qafës së mitrës.

Pothuajse të gjithë gratë dhe burrat infektohen me HPV pak kohë pas fillimit të aktivitetit seksual. Virusi transmetohet nëpërmjet kontaktit lëkurë me lëkurë të zonave intime gjenitale. Te gratë, ashtu si edhe te meshkujt, infeksionet me HPV janë pa simptoma dhe jetëshkurtëra; trupi i eliminon ato spontanisht në më pak se dy vjet. Vetëm në një përqindje të vogël të femrave, infeksioni me një tip HPV-je me rrezik të lartë bëhet kronik. Gjithashtu, prej këtyre infeksioneve kronike, vetëm një përqindje e vogël mund të përparojë në fazën parakanceroze, e më pak do të avancojë në kancer invaziv 10 deri 20 vjet më vonë.

Zbulimi i hershëm përmes depistimit të të gjitha grave të grup-moshës target, i ndjekur nga trajtimi i lezioneve parakanceroze të zbuluara, mund të parandalojë pjesën më të madhe të kancerit të qafës së mitrës. Për këtë shërben depistimi.