Kolposkopia është një ekzaminim që kryhet për të parë se sa të përhapura dhe sa serioze janë qelizat me anomali në qafën e mitrës. Kolposkopia mund të kryhet në spitalet gjinekologjike. Një specialist do të ekzaminojë më nga afër qafën e mitrës me anë të një lenteje zmadhuese dhe një drite (të quajtur kolposkop). Specialisti mund të marrë pak material (biopsi) për të verifikuar të gjitha zonat e qafës së mitrës që paraqesin ndryshime. Nëse qelizat me anomali janë serioze, mund të keni nevojë të trajtoheni për t’i hequr ato. Kjo ndihmon parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Programi i Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës mund të arrijë synimet e dëshiruara nëse gjithë zinxhiri i kujdesit shëndetësor, nga ftesa deri tek ndjekja dhe kujdesi për rastet pozitive, është i organizuar.

Shumica dërrmuese e grave të ftuara për testim (në fakt mbi 90% e tyre) nuk do të kenë kontakt tjetër me sistemin shëndetësor përveçse me mjekun e familjes dhe/ose infermieren e qendrës shëndetësore. Gratë me rezultate të konsideruara anormale do të referohen për ekzaminime të mëtejshme në hallka të tjera të sistemit shëndetësor. Sërish, shumica e këtyre të fundit nuk do të kenë nevojë për më shumë se një ekzaminim gjinekologjik (kolposkopi) te specialisti në spital.