Dita Botërore Pa Duhan, 2025
Që prej vitit 1987, çdo 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët organizojnë Ditën Botërore Pa Duhan.
Qëllimi i kësaj dite është rritja e informimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës lidhur me rreziqet që sjellë duhanpirja, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e prodhimit dhe përdorimit të tij.
Për vitin aktual 2025, OBSH-ja dhe përfaqësuesit e shëndetit publik nga e gjithë bota do të bashkohen nën moton: “T’i japim fund taktikave manipuluese të industrisë së duhanit dhe nikotinës për ekspozimin e produkteve të saj”- çka përbën edhe mesazhin kryesor të WNTD.
DITA krahas informimit të publikut mbi praktikat e biznesit të kompanive të duhanit; prezanton përpjekjet e OBSH-së për të luftuar këtë epidemi dhe çfarë mund të bëjnë njerëzit në mbarë botën për të kërkuar të drejtën e tyre për më tepër siguri dhe jetë të shëndetshme, si dhe për të mbrojtur brezat e ardhshëm.
Fushata e këtij viti synon të zbulojë specifikisht, strategjitë e përdorura nga industritë e duhanit për t’i bërë produktet e tyre të dëmshme joshëse, veçanërisht për të rinjtë. Në këtë kontekst krahas ndërgjegjësimit, OBSH-ja kërkon të hartojë politika më të forta, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të “shijeve” që e bëjnë duhanin dhe produktet e nikotinës më tërheqëse, si dhe te mbrojnë shëndetin publik.
Rëndësia e adresimit të taktikave të industrisë së duhanit.
Pavarësisht progresit të rëndësishëm në kontrollin global të duhanit, industritë e duhanit dhe nikotinës vazhdojnë të përshtasin strategjitë e tyre për të tërhequr dhe mbajtur konsumatorët. Këto përpjekje minojnë shëndetin publik dhe synojnë grupet e cënueshme; veçanërisht të rinjtë.
Taktikat e zakonshme përfshijnë:
aromatizues dhe aditivë: përmirësimi i shijes dhe maskimi i ashpërsisë së duhanit për të rritur pëlqimin dhe varësinë ndaj tij;
marketing i synuar: përdorimi i modeleve elegante, paketimeve tërheqëse dhe fushatave të mediave digjitale për të reklamuar produktet e dëmshme;
dizajn mashtrues i produktit: krijimi i produkteve që ngjajnë me ëmbëlsirat ose lodrat, për t’i bërë joshëse për fëmijët dhe adoleshentët.
Këto taktika jo vetëm inkurajojnë fillimin e përdorimit të duhanit, por edhe vështirësojnë lënien e tij; duke rritur rrezikun e varësisë dhe pasojave afatgjata shëndetësore.
Nevoja për politika më të forta në Evropë për të mbrojtur të rinjtë.
Në vitin 2022, të dhënat nga Rajoni Evropian i OBSH-së zbuluan boshllëqe të konsiderueshme në mbrojtjen e fëmijëve nga cigaret elektronike. Vetëm 4 vende ndalojnë përdorimin e të gjitha shijeve te cigaret elektronike, ndërsa 4 të tjera lejojnë ose kufizojnë shije specifike. Vetëm 11 vende ndalojnë të gjitha format e reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit të cigareve elektronike, krahasuar me 36 vende me ndalime të pjesshme dhe 6 vende “pa rregullore”. Këto boshllëqe i lënë të rinjtë veçanërisht të prekshëm ndaj marketingut të synuar të cigareve elektronike.
Përdorimi i produkteve të nikotinës – si cigaret elektronike dhe qeskat e nikotinës, po rritet tek të rinjtë. Në vitin 2022, rreth 12.5% e adoleshentëve në rajon përdorën cigare elektronike, krahasuar me vetëm 2% të të rriturve. Në disa vende, përdorimi i cigareve elektronike tek fëmijët e moshës shkollore ishte 2-3 herë më i lartë se pirja e duhanit (tradicionale), duke nxjerrë në pah një prirje shqetësuese që kërkon veprim urgjent.
Mesazhi i Ditës (2025):
“T’i japim fund taktikave manipuluese të industrisë së duhanit dhe nikotinës për ekspozimin e produkteve të saj”.
Pra, fokusi kryesor është zbulimi dhe demaskimi i veprimtarisë së industrive të sipërcituara, për t’i bërë produktet e tyre të dëmshme të duken tërheqëse .
Pse kjo temë?
Një nga sfidat kryesore të shëndetit publik sot është tërheqja ndaj produkteve të duhanit, nikotinës si dhe produkteve të ngjashme, veçanërisht për audiencën e re. Industria vazhdimisht përpiqet të gjejë mënyra për t’i bërë këto produkte joshëse, duke shtuar aroma, aditivë dhe agjentë të tjerë që ndryshojnë erën, shijen ose pamjen e tyre, duke maskuar dëmet dhe “ashpërsinë” e duhanit.
Taktika të tjera përfshijnë:
Marketingu tërheqës: Modelet elegante, ngjyrat e forta dhe shijet tërheqëse përdoren në mënyrë strategjike për të tërhequr një demografi më të re, duke përfshirë këtu dhe kanalet e mediave digjitale.
Modele mashtruese: Disa produkte imitojnë ëmbëlsirat, si edhe personazhet e filmave vizatimorë – duke krijuar artikuj që fëmijëve u duken të natyrshëm dhe mbresëlënës.
Ftohësit dhe aditivët: Këta mund ta bëjnë përvojën më të butë (të pranueshme); duke rritur gjasat e përdorimit të vazhdueshëm dhe reduktuar mundësitë e lënies së duhanit.
Këto taktika mund të kontribuojnë në fillimin e hershëm të duhanpirjes ose përdorimit të nikotinës, të varësisë së mundshme gjatë gjithë jetës dhe me pasoja shëndetësore. Duke i bërë këto produkte më tërheqëse, industria jo vetëm që zgjeron menjëherë bazën e konsumatorëve, por edhe e bën më të vështirë lënien e duhanit, duke zgjatur kohën e ekspozimit ndaj substancave të dëmshme.