Dita Botërore e Shikimit organizohet çdo vit të enjten e dytë të muajit tetor dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit të syve. Kjo ditë na kujton se kujdesi për shikimin është i rëndësishëm në çdo moshë dhe se shumë probleme të syve mund të parandalohen ose trajtohen me sukses kur zbulohen herët.

Në kuadër të fushatës globale Duaji Sytë e Tu (#LoveYourEyes), theksohet rëndësia e kontrolleve të rregullta të syve, zbulimit dhe trajtimit të hershëm të problemeve të shikimit, mbrojtjes nga dëmtimet, si dhe ndjekjes së një stili të shëndetshëm jetese. Këto masa mund të ndihmojnë në ruajtjen e shikimit gjatë gjithë jetës.

Si mund të mbrojmë sytë nga dëmtimet?

Dëmtimet e syve mund të ndodhin në shtëpi, në shkollë, në vendin e punës ose gjatë aktiviteteve sportive. Megjithatë, shumë prej tyre mund të parandalohen me masa të thjeshta sigurie:

Në shtëpi, rekomandohet që detergjentët, produktet e pastrimit dhe substancat e tjera kimike të ruhen në vende të sigurta dhe larg fëmijëve. Gjithashtu, përdorimi me kujdes i objekteve të mprehta dhe mbikëqyrja e fëmijëve kur luajnë si në ambiente të brendëshme apo të jashtme mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të dëmtimeve të syve.

Në shkollë dhe në familje, është e rëndësishme të sigurohen kushte të përshtatshme ndriçimi gjatë leximit dhe mësimit. Gjatë përdorimit të pajisjeve elektronike, këshillohet që fëmijët dhe të rriturit të bëjnë pushime të rregullta për të shmangur lodhjen e syve.

Në vendin e punës dhe gjatë aktiviteteve sportive, përdorimi i syzeve ose pajisjeve mbrojtëse mund të ulë ndjeshëm rrezikun e dëmtimeve okulare. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për personat që punojnë në mjedise ku ka pluhur, grimca, substanca kimike ose mjete që mund të paraqesin rrezik për sytë. Në rast dëmtimi të syrit, rekomandohet të shmanget fërkimi ose ushtrimi i presionit mbi të dhe të kërkohet sa më shpejt ndihmë mjekësore.

Këshilla të thjeshta për ruajtjen e shikimit

Ruajtja e shëndetit të syve është e rëndësishme në çdo moshë, pasi shikimi ndikon në pothuajse çdo aktivitet të përditshëm. Një nga hapat më të rëndësishëm është kryerja e kontrolleve të rregullta të syve, të cilat nuk shërbejnë vetëm për të përcaktuar nëse nevojiten syze, por edhe për të zbuluar herët sëmundje të ndryshme të syrit, kur trajtimi mund të jetë më efektiv.

Përdorimi i zgjatur i telefonit, kompjuterit ose tabletit mund të shoqërohet me lodhje dhe tharje të syve. Për këtë arsye, mund të ndihmojë zbatimi i rregullit 20-20-20: çdo 20 minuta, largoni shikimin nga ekrani dhe fokusojeni për të paktën 20 sekonda tek një objekt që ndodhet larg.

Mbrojtja e syve nga rrezet ultraviolet (UV) është gjithashtu e rëndësishme. Kur qëndroni jashtë dhe për periudha të gjata në diell, rekomandohet përdorimi i syzeve me mbrojtje ndaj rrezeve UV dhe i një kapeleje me strehë. Gjithashtu, është e rëndësishme të shmanget shikimi i drejtpërdrejtë i diellit.

Një stil jetese i shëndetshëm mund të kontribuojë në ruajtjen e shikimit për shumë vite. Ushqyerja e pasur me fruta, perime, drithëra të plota dhe peshk siguron lëndë ushqyese të rëndësishme për shëndetin e syve. Po ashtu, njohja e historisë shëndetësore të familjes mund të jetë e dobishme, pasi disa sëmundje të syrit kanë komponent trashëgues. Informimi për faktorët e rrezikut mund të ndihmojë në marrjen e masave parandaluese dhe në monitorimin më të kujdesshëm të shëndetit të syve.

Mos i neglizhoni shenjat paralajmëruese

Problemet e shikimit mund të zhvillohen gradualisht ose të shfaqen papritur. Për këtë arsye, është e rëndësishme të mos konsiderohen si normale ndryshimet e reja në shikim, sidomos kur ato ndikojnë në aktivitetet e përditshme.

Këshillohet të kërkohet vlerësim mjekësor nëse vëreni shikim të turbullt ose të paqartë, vështirësi për të parë në errësirë, shfaqje të papritur të njollave të errëta ose vezullimeve të dritës në fushën e shikimit. Këto ndryshime mund të jenë shenja të problemeve që kërkojnë diagnostikim dhe trajtim.

Gjithashtu, dhimbja e syve, ndjeshmëria e shtuar ndaj dritës ose ndjenja e parehatisë së vazhdueshme nuk duhet të neglizhohen. Edhe kur simptomat duken të lehta, konsultimi me mjekun e familjes ose me mjekun specialist okulist mund të ndihmojë në përcaktimin e shkakut dhe në marrjen e kujdesit të duhur.

Humbja e papritur e shikimit përbën një urgjencë mjekësore dhe kërkon vlerësim të menjëhershëm. Në përgjithësi, sa më herët të identifikohet dhe të trajtohet një problem i syve, aq më të mëdha janë mundësitë për të mbrojtur dhe ruajtur shikimin.

Mesazhi i ISHP-së

Me rastin e Ditës Botërore të Shikimit – 8 Tetor 2026, Instituti i Shëndetit Publik ju kujton se mbrojtja e syve nga dëmtimet, kontrollet periodike dhe zbulimi i hershëm i problemeve të shikimit janë hapa të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit të syve dhe cilësisë së jetës në çdo moshë.

Duaji sytë e tu! Kujdesu për shikimin tënd!