Dita Botërore e Shëndetit Mendor

10 tetor 2023

“Mendjet tona, të drejtat tona”

Dita Botërore e Shëndetit Mendor 2023, është një mundësi për njerëzit dhe komunitetet që t’i bashkohen motos: “Shëndeti mendor është një e drejtë universale e njeriut” për të përmirësuar njohuritë, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të nxitur veprime që promovojnë dhe mbrojnë shëndetin mendor të gjithsecilit.

Shëndeti mendor dhe me standard të lartë është një e drejtë themelore e njeriut.

Kjo përfshin: të drejtën për t’u mbrojtur nga rreziqet e çrregullimeve dhe sëmundjeve të shëndetit mendor, të drejtën për kujdes të disponueshëm, të aksesueshëm, të pranueshëm dhe me cilësi të mirë, dhe të drejtën për liri, pavarësi dhe përfshirje në komunitet.

Shëndeti i mirë mendor është jetik për shëndetin dhe mirëqenien tonë të përgjithshme. Megjithatë, një në tetë njerëz në mbarë botën po jeton me probleme të shëndetit mendor, të cilat mund të ndikojnë në shëndetin e tyre fizik, mirëqenien, mënyrën se si lidhen me të tjerët dhe jetesën e tyre. Çrregullimet e shëndetit mendor po prekin gjithashtu një numër në rritje të adoleshentëve dhe të rinjve.

Të kesh një “gjendje” të shëndetit mendor nuk duhet të jetë kurrë një arsye për t’i privuar një personi të drejtat e tij themelore ose për ta përjashtuar nga vendimmarrja për situatën në të cilët gjendet. Megjithatë, në të gjithë botën, njerëzit me probleme të shëndetit mendor vazhdojnë të përjetojnë një gamë të gjerë shkeljesh të të drejtave të njeriut. Shumë janë të përjashtuar nga jeta e komunitetit dhe të diskriminuar, ndërsa të tjerë syresh, nuk mund të kenë akses në kujdesin për shëndetin mendor që u nevojitet, gjë që shkel të drejtat e tyre njerëzore.

Vitet e fundit, ka pasur një njohje në rritje të rolit të rëndësishëm që luan shëndeti mendor në arritjen e qëllimeve të zhvillimit global, siç ilustrohet nga përfshirja e shëndetit mendor në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Depresioni është një nga shkaqet kryesore të paaftësisë. Vetëvrasja është shkaku i katërt kryesor i vdekjes tek 15-29-vjeçarët. Njerëzit me kushte të rënda të shëndetit mendor vdesin para kohe – deri në dy dekada më herët – për shkak të kushteve fizike të parandalueshme.

Pavarësisht progresit në disa vende, njerëzit me probleme të shëndetit mendor shpesh përjetojnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, diskriminim dhe stigmë.

Shumë çrregullime të shëndetit mendor mund të trajtohen në mënyrë efektive me kosto relativisht të ulët, megjithatë hendeku midis njerëzve që kanë nevojë për kujdes dhe atyre që kanë akses në kujdes mbetet thelbësor. Mbulimi efektiv i trajtimit mbetet jashtëzakonisht i ulët.

Kërkohen investime të shtuara në të gjitha frontet:

  • që ndërgjegjësimi për shëndetin mendor të rrisë njohuritë dhe të reduktojë stigmën;
  • për të rritur aksesin në kujdes cilësor të shëndetit mendor dhe trajtime efektive;
  • për kërkime për të identifikuar trajtime të reja dhe për të përmirësuar trajtimet ekzistuese për të gjitha çrregullimet mendore.

Shëndeti mendor

Faktet kryesore

  • Ekzistojnë strategji të përballueshme, efektive dhe të realizueshme për të promovuar, mbrojtur dhe rivendosur shëndetin mendor.
  • Nevoja për veprim për shëndetin mendor është e padiskutueshme dhe urgjente.
  • Shëndeti mendor ka vlerë të brendshme dhe instrumentale dhe është pjesë përbërëse e mirëqenies sonë.
  • Shëndeti mendor përcaktohet nga një ndërveprim kompleks i streseve dhe dobësive individuale, sociale dhe strukturore.

Konceptet në shëndetin mendor

Shëndeti mendor është një gjendje e mirëqenies mendore që u mundëson njerëzve të përballojnë streset e jetës, të realizojnë aftësitë e tyre, të mësojnë dhe të punojnë mirë dhe të kontribuojnë në komunitetin e tyre. Është një komponent i shëndetit dhe mirëqenies që mbështet aftësitë tona individuale dhe kolektive për të marrë vendime, për të ndërtuar marrëdhënie dhe për të formësuar botën në të cilën jetojmë.

Shëndeti mendor është një e drejtë themelore e njeriut. Dhe është thelbësore për zhvillimin personal, komunitar dhe socio-ekonomik.

Shëndeti mendor është më shumë se mungesa e çrregullimeve mendore. Ai ekziston në një vazhdimësi komplekse, e cila përjetohet ndryshe nga një person në tjetrin, me shkallë të ndryshme vështirësish dhe shqetësimi dhe rezultate shumë të ndryshme sociale dhe klinike.

Problemet e shëndetit mendor përfshijnë çrregullime mendore dhe paaftësi psikosociale, si dhe gjendje të tjera mendore të shoqëruara me shqetësime të konsiderueshme, dëmtime në funksionim ose rrezik të vetëdëmtimit. Njerëzit me probleme të shëndetit mendor, kanë më shumë gjasa të përjetojnë nivele më të ulëta të mirëqenies mendore, por kjo nuk është gjithmonë ose domosdoshmërisht kështu.

Gjatë gjithë jetës sonë, përcaktues të shumtë individualë, socialë dhe strukturorë mund të kombinohen për të mbrojtur ose dobësuar shëndetin tonë mendor. Faktorët individualë psikologjikë dhe biologjikë – si aftësitë emocionale, përdorimi i substancave dhe gjenetika, mund t’i bëjnë njerëzit më të prekshëm ndaj problemeve të shëndetit mendor.

Ekspozimi ndaj rrethanave të pafavorshme sociale, ekonomike, gjeopolitike dhe mjedisore – duke përfshirë varfërinë, dhunën, pabarazinë dhe mungesën e kushteve mjedisore të duhura – rrit gjithashtu rrezikun e njerëzve për të përjetuar probleme të shëndetit mendor. Rreziqet mund të shfaqen në të gjitha fazat e jetës, por ato që ndodhin gjatë periudhave të ndryshme zhvillimore, veçanërisht në fëmijërinë e hershme, janë edhe më të dëmshme. Për shembull, prindërimi i ashpër dhe ndëshkimi fizik dihet se dëmton shëndetin e fëmijëve dhe ngacmimi është një faktor kryesor rreziku për kushtet e shëndetit mendor.

Faktorët mbrojtës ndodhin në mënyrë të ngjashme gjatë gjithë jetës sonë dhe shërbejnë për të forcuar reziliencën (aftësitë për rikuperim pas ekspozimit ndaj një ose disa situatave traumatike). Ato përfshijnë aftësitë dhe atributet tona individuale sociale dhe emocionale, si dhe ndërveprime pozitive sociale: arsim cilësor, punë të denjë, lagje të sigurta dhe kohezionin e komunitetit, ndër të tjera.

Promovimi dhe parandalimi i shëndetit mendor

Ndërhyrjet promovuese dhe parandaluese funksionojnë duke identifikuar përcaktuesit individualë, socialë dhe strukturorë të shëndetit mendor dhe më pas duke ndërhyrë për të reduktuar rreziqet, për të ndërtuar elasticitet dhe për të krijuar mjedise mbështetëse për shëndetin mendor. Ndërhyrjet mund të projektohen për individë, grupe specifike ose popullata të tëra.

Tjetërsimi i përcaktuesve të shëndetit mendor shpesh kërkon veprim përtej sektorit të shëndetësisë, dhe kështu programet e promovimit dhe parandalimit duhet të përfshijnë sektorët e arsimit, punës, drejtësisë, transportit, mjedisit, strehimit dhe mirëqenies. Sektori shëndetësor mund të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme duke përfshirë: përpjekjet promovuese dhe parandaluese brenda shërbimeve shëndetësore; duke avokuar, iniciuar dhe, kur është e përshtatshme, duke lehtësuar bashkëpunimin dhe koordinimin ndërsektorial.

Promovimi i shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve është një tjetër prioritet dhe mund të arrihet me politika dhe ligje që promovojnë dhe mbrojnë shëndetin mendor, duke mbështetur kujdestarët për të ofruar kujdes edukues me ndikim pozitiv, duke zbatuar programe të bazuara në shkollë dhe duke përmirësuar cilësinë e komunitetit dhe mjediseve online. Programet e të mësuarit social dhe emocional në shkollë janë ndër strategjitë më efektive të promovimit për vendet në të gjitha nivelet e të ardhurave.

Promovimi dhe mbrojtja e shëndetit mendor në punë është një fushë interesi në rritje dhe mund të mbështetet përmes legjislacionit dhe rregulloreve, strategjive organizative, trajnimit të menaxherëve dhe ndërhyrjeve për punëtorët.

Kujdesi dhe trajtimi i shëndetit mendor

Në kontekstin e përpjekjeve kombëtare për të forcuar shëndetin mendor, është jetike që jo vetëm të mbrohet dhe të promovohet mirëqenia mendore e të gjithëve, por edhe të adresohen nevojat e njerëzve me probleme të shëndetit mendor.

Kjo duhet të bëhet përmes kujdesit të shëndetit mendor të bazuar në komunitet, i cili është më i aksesueshëm dhe më i pranueshëm se kujdesi institucional; ndihmon në parandalimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe jep rezultate më të mira rikuperimi për njerëzit me probleme të shëndetit mendor. Kujdesi për shëndetin mendor i bazuar në komunitet duhet të ofrohet nëpërmjet një rrjeti shërbimesh të ndërlidhura që përfshijnë:

  • Shërbimet e shëndetit mendor që janë të integruara në kujdesin shëndetësor të përgjithshëm, zakonisht në spitalet e përgjithshme dhe nëpërmjet ndarjes së detyrave me ofruesit e kujdesit, jospecialist në kujdesin shëndetësor parësor;
  • Shërbimet komunitare të shëndetit mendor që mund të përfshijnë qendra dhe ekipe komunitare të shëndetit mendor, rehabilitim psikosocial, shërbime mbështetëse të bashkëmoshatarëve dhe shërbime të mbështetura të jetesës;
  • Shërbimet që ofrojnë kujdes për shëndetin mendor në shërbime sociale dhe mjedise joshëndetësore, si mbrojtja e fëmijëve, shërbimet shëndetësore të shkollave dhe burgjet.

Hendeku i madh i kujdesit për problemet e zakonshme të shëndetit mendor si depresioni dhe ankthi, do të thotë që duhet të gjenden mënyra të reja për të diversifikuar dhe rritur kujdesin për këto problem; për shembull, nëpërmjet këshillimit psikologjik jospecialist ose vetëndihmës dixhitale.