OBEZITETI

Dita Botërore e obezitetit inkurajon zgjidhje praktike për t’i ndihmuar njerëzit që të arrijnë dhe të mbajnë një peshë të shëndetshme. Të dhënat tregojnë, se obezitetit është trefishuar që nga viti 1975 dhe është rritur pothuajse pesë herë tek fëmijët dhe adoleshentët, duke prekur njerëzit e të gjitha moshave, grupeve sociale, si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim. Obeziteti është një faktor kryesor rreziku për sëmundje të ndryshme jo të transmetueshme si: diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare, hipertensioni, goditjet në tru, si dhe forma të ndryshme të kancerit.

Njerëzit me obezitet vazhdimisht kanë ndjenjën e turpit dhe fajit, pasi shumë nga mjekët, politikëbërësit apo të tjerë nuk i kuptojnë plotësisht shkaqet e mbipeshës të cilat shpesh janë një përzierje komplekse e faktorëve dietetikë, gjenetikë, psikologjikë, socio-kulturorë, ekonomikë, mjedisorë dhe stilit të jetesës. Është koha, që të thyejmë ciklin e ndjenjës së turpit apo fajit dhe të rivlerësojmë qasjen tonë për adresimin e këtij problemi kompleks global të shëndetit publik.

Së bashku ne mund të sjellim ndryshimin. Ne mund të bëjmë shumë duke përfshirë kufizimin e marketingut të ushqimeve dhe pijeve për fëmijët të cilat përmbajnë sasi të larta të yndyrnave, sheqerit dhe kripës; taksimit të pijeve me sheqer dhe sigurimit të aksesit më të mirë në ushqime të shëndetshme. Në qytetet tona, ne duhet të krijojmë hapësira për ecje, çiklizëm, vrapim. Gjithashtu, ne që herët duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë sjellje të shëndetshme.

OBSH po i përgjigjet krizës globale të obezitetit në shumë fronte, duke përfshirë monitorimin e tendencave dhe prevalencës globale, zhvillimin e një game të gjerë udhëzuesish që adresojnë parandalimin dhe trajtimin e mbipeshës dhe obezitetit, ofrimin e mbështetjes dhe udhëzimeve për zbatim.