Astma është një sëmundje kronike që prek miliona njerëz në mbarë botën. Ajo karakterizohet nga inflamacioni dhe ngushtimi i rrugëve të kalimit të ajrit në organizëm duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje. Astma nuk ka shërim përfundimtar, por me menaxhim të duhur, shumica e personave që vuajnë prej saj mund të kenë një jetë të shëndetshme dhe aktive.
ngushtimi i rrugëve ajrore, duke shkaktuar
vështirësi në frymëmarrje.
ngushtimi i rrugëve ajrore, duke shkaktuar
vështirësi në frymëmarrje.
Shkaqet dhe faktorët ndikues
Shkaku i saktë i astmës ende nuk është plotësisht i qartë, por besohet të jetë rezultat i ndërveprimit mes faktorëve gjenetikë dhe atyre mjedisorë. Disa nga faktorët që mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë astmën përfshijnë:
– Alergenët, si: pluhuri, poleni, qimet e kafshëve apo myku.
– Infeksionet respiratore, veçanërisht tek fëmijët.
– Ajri i ndotur dhe ekspozimi ndaj tymit të duhanit.
– Stresi emocional dhe sforcimet fizike – intensive.
– Ndryshimet klimatike dhe ajri i ftohtë.
Gjithashtu, astma mund të shfaqet më shpesh te ata që kanë histori familjare me këtë sëmundje apo me alergji të tjera.
Simptomat e zakonshme
Simptomat e astmës mund të ndryshojnë nga personi në person dhe mund të jenë të lehta apo të rënda. Ato përfshijnë:
– Vështirësi në frymëmarrje.
– Fishkëllimë gjatë frymëmarrjes dhe sidomos frymënxjerrjes.
– Kollitje e vazhdueshme, më e theksuar natën ose herët në mëngjes.
– Ndjesi shtrëngimi në kraharor.
Në raste të rënda, astma mund të çojë në kriza akute që kërkojnë ndërhyrje mjekësore të menjëhershme.
Dita Botërore e Astmës
Dita Botërore e Astmës shënohet çdo vit në fillim të muajit maj (zakonisht të martën e parë). Kjo ditë ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për këtë sëmundje dhe të promovojë diagnostikimin, trajtimin dhe menaxhimin e saj në të gjithë botën.
Motoja për Ditën Botërore të Astmës 2025 është:
“Bëni trajtimet inhalatore të aksesueshme për të gjithë”
Kjo moto është përzgjedhur nga Iniciativa Globale për Astmën (GINA) për të theksuar nevojën që të gjithë individët e prekur nga kjo sëmundje të kenë mundësi të aksesojnë medikamentet esenciale me inhalator, të cilat janë të domosdoshme për kontrollin dhe trajtimin e sulmeve astmatike.
Në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, mungesa e disponueshmërisë ose çmimi i lartë i këtyre medikamenteve janë faktorët kryesorë që kontribuojnë në numrin e rritur të fataliteteve (96% e vdekjeve globale nga astma ndodhin në këto vende). Edhe në shtetet me të ardhura të larta, çmimet tejnormave mund të kufizojnë aksesin në këto medikamente, duke çuar në astmë të pakontrolluar dhe vdekje – të parandalueshme.
Përfundim
Astma është një sëmundje serioze, por që mund të menaxhohet me sukses nëse ndiqet trajtimi i duhur dhe shmangen faktorët nxitës. Edukimi, ndërgjegjësimi dhe përkujdesja janë “çelës” për një jetë sa më cilësore për ata që vuajnë nga kjo sëmundje. Dita Botërore e Astmës na kujton të gjithëve se kujdesi për shëndetin e frymëmarrjes është një e drejtë themelore për çdo individ.