Dita Botërore e AIDS që organizohet çdo vit më 1 dhjetor, është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për HIV/AIDS, për të nxitur parandalimin dhe testimin, për të mbështetur personat që jetojnë me HIV dhe për të luftuar stigmën dhe diskriminimin.
Tema e Ditës Botërore të AIDS-it për vitin 2026 është: “Fundi i AIDS-it fillon me aksesin ndaj tij”. Në fokus ka parandalimin, testimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj HIV-it, për të gjithë dhe kudo që jetojnë.
Pavarësisht përparimit të arritur gjatë dekadave të fundit, HIV-i vazhdon të mbetet një problem i rëndësishëm i shëndetit publik në mbarë botën. Që nga fillimi i epidemisë, rreth 44,2 milionë njerëz kanë humbur jetën nga shkaqe të lidhura me të. Gjatë vitit 2025 u vlerësua se rreth 41 milionë njerëz jetonin me HIV në mbarë botën (1,2 milionë raste qenë infektime të reja), ndërsa rreth 570 000 persona humbën jetën nga shkaqe të lidhura me të.
HIV në Shqipëri – të dhënat kryesore.
Gjatë periudhës Janar–Tetor 2026, në Shqipëri janë diagnostikuar 113 raste të reja me HIV, prej të cilave 84 te meshkujt dhe 29 te femrat.
Nga viti 1993 deri në Tetor 2026, në Shqipëri janë diagnostikuar gjithsej 2102 raste me HIV. Prej tyre, 1540 janë meshkuj dhe 562 femra.
Aktualisht, 1073 persona me HIV në Shqipëri marrin trajtim antiretroviral (ARV), i cili ndihmon në mbajtjen nën kontroll të virusit dhe në mbrojtjen e shëndetit të tyre. Prej tyre, 1059 janë të rritur dhe 14 janë fëmijë. Gjatë vitit 2025, 93 persona filluan trajtimin antiretroviral (ARV).
Ç’farë janë HIV dhe AIDS?
HIV është një virus që sulmon sistemin imunitar të organizmit, veçanërisht qelizat që ndihmojnë trupin të luftojë infeksionet.
Pa trajtim, HIV-i e dobëson organizmin duke e bërë më të prekshëm ndaj infeksioneve dhe disa llojeve të kancerit.
AIDS është faza më e avancuar e infeksionit HIV. Është shumë e rëndësishme që ne të dimë dhe të kuptojmë se të jetosh me HIV nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh AIDS. Falë diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit efektiv antiretroviral, HIV-i mund të menaxhohet si një gjendje shëndetësore kronike dhe personat që jetojnë me HIV mund të bëjnë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.
Si transmetohet HIV?
HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet disa lëngjeve trupore të një personi që “jeton” me të, përfshirë gjakun, spermën, sekrecionet vaginale, qumështin e gjirit. HIV-i mund të transmetohet gjithashtu nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose gjatë fazës së ushqyerjes me gji.
HIV-i nuk transmetohet nga kontaktet e zakonshme të përditshme. Është e rëndësishme të kuptojmë dhe të dimë se HIV-i nuk transmetohet nëpërmjet përqafimit, puthjes, shtrëngimit të duarve, ushqimit, ujit apo kontakteve të zakonshme sociale.
Instituti i Shëndetit Publik, në Ditën Botërore të AIDS, thekson se, njohja e këtyre fakteve ndihmon jo vetëm në parandalimin e HIV-it, por edhe në luftimin e frikës, paragjykimeve dhe diskriminimit ndaj personave që jetojnë me HIV.
Cilat janë shenjat dhe simptomat?
Shenjat dhe simptomat mund të ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit. Në javët e para pas infektimit, shumë persona mund të mos kenë fare simptoma. Persona të tjerë mund të përjetojnë shenja të ngjashme me gripin, si: temperaturë, dhimbje koke, skuqje të lëkurës, dhimbje fyti. Më pas, me dobësimin gradual të sistemit imunitar mund të shfaqen shenja të tilla, si: zmadhim i nyjeve limfatike, humbje në peshë, temperaturë, diarre, kollë.
Në mungesë të trajtimit, imuniteti mund të dobësohet ndjeshëm dhe mund të shfaqen sëmundje serioze, si tuberkulozi, meningjiti kriptokoksik, infeksione të rënda bakteriale dhe disa lloje kanceri.
Vetëm simptomat nuk mund të tregojnë nëse një person ka HIV. Testimi është mënyra për të njohur statusin HIV.
Kush është më i rrezikuar?
Rreziku i infektimit me HIV mund të rritet nga disa sjellje dhe rrethana, ndër të cilat si më kryesore përmendim:
- Marrëdhëniet seksuale vaginale ose anale pa prezervativ
- Prania e një infeksioni tjetër seksualisht të transmetueshëm (sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginoza bakteriale).
- Shkëmbimi (përdorimi i përbashkët) i gjilpërave, shiringave ose pajisjeve të tjera të injektimit;
- Përdorimi i dëmshëm i alkoolit ose drogave në situata që lidhen me sjelljen seksuale;
- Injeksionet, transfuzionet e gjakut, transplantet e indeve të pasigurta;
- Procedurat mjekësore që përfshijnë pajisje/instrumenta prerëse ose shpuese të pasterilizuara;
- Dëmtimet (shpimet) aksidentale me gjilpërë, përfshirë dhe ato që mund të ndodhin tek personeli shëndetësor.
Njohja e këtyre faktorëve të rrezikut është e rëndësishme sepse ndihmon që çdo individ të marrë vendime më të sigurta dhe, kur është e nevojshme, të kërkojë këshillim dhe testim.
Testimi për HIV: të dish statusin tënd është një hap i rëndësishëm
HIV-i mund të diagnostikohet nëpërmjet testeve specifike. Testet e shpejta mund të japin rezultate brenda së njëjtës ditë, duke mundësuar diagnostikimin e hershëm dhe lidhjen sa më shpejt me kujdesin dhe trajtimin. Shumica e testeve të përdorura për HIV zbulojnë antitrupat që organizmi prodhon si përgjigje ndaj virusit.
Pas një ekspozimi të mundshëm ndaj HIV-it ekziston një periudhë gjatë së cilës infeksioni mund të mos zbulohet ende nga disa teste. Kjo njihet si “periudha dritare”. Gjatë kësaj kohe, një person mund të ketë HIV dhe ta transmetojë atë, pavarësisht se testi fillestar mund të rezultojë negativ.
Për këtë arsye, nëse mendoni se keni pasur një ekspozim të mundshëm ndaj HIV-it, këshillohet të konsultoheni me një profesionist shëndetësor për testimin dhe kohën e përshtatshme të përsëritjes së tij.
HIV mund të parandalohet
Rreziku i infektimit me HIV mund të zvogëlohet duke kufizuar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut. Çdo individ mund të ndërmarrë hapa për të zvogëluar rrezikun e infektimit me HIV.
Mënyrat kryesore për parandalimin e HIV-it përfshijnë:
- Përdorimin e prezervativit. Përdorimi korrekt dhe i vazhdueshëm i prezervativit gjatë marrëdhënieve seksuale vaginale ose anale mbron nga përhapja e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV. Studimet tregojnë se prezervativi mashkullor ka efekt të madh mbrojtës kundër HIV-it dhe IST-ve të tjera.
- Testimin dhe këshillimin për HIV dhe IST të tjera. Testimi për HIV dhe IST të tjera këshillohet për të gjithë personat e ekspozuar ndaj faktorëve të rrezikut. Në këtë mënyrë ata mësojnë shpejt dhe pa u vonuar statusin e tyre të infeksionit, mënyrat parandaluese të nevojshme dhe shërbimet e trajtimit. Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon ofrimin e testimit edhe për bashkëshortët apo partnerët e personave të ekspozuar.
- Rrethprerja mashkullore mjekësore (syneti), kur bëhet në mënyrë të sigurt nga profesionistë shëndetësor të trajnuar mirë, zvogëlon rrezikun e infektimit tek meshkujt me rreth 60%. Kjo është një ndërhyrje kyç në vendet me prevalencë të lartë të HIV-it.
- Përdorimin e terapisë antiretrovirale (ARV) për parandalim
- Terapia antiretrovirale si parandalim. Personat që jetojnë me HIV, të cilët marrin rregullisht trajtimin antiretroviral (ARV) dhe kanë ngarkesë virale të pazbulueshme në gjak, nuk e transmetojnë HIV-in te partnerët e tyre seksualë. Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon që trajtimi ARV të fillojë sa më shpejt pas diagnozës për të gjithë personat që jetojnë me HIV. Trajtimi i hershëm dhe i pandërprerë mbron shëndetin e personit dhe është njëkohësisht një nga mënyrat më efektive për të parandaluar transmetimin e HIV-it.
- Profilaksia para ekspozimit për partnerët “HIV negativ.” Profilaksia para ekspozimit është përdorimi i përditshëm i barnave ARV nga persona të painfektuar për të parandaluar marrjen e HIV-it. Organizata Botërore e Shëndetit ka publikuar udhëzues për fillimin e terapisë antiretrovirale dhe profilaksisë para ekspozimit të HIV-it, i cili rekomandon përdorimin e terapisë për njerëzit në rrezik të shtuar, si pjesë e metodave të parandalimit.
- Profilaksia pas ekspozimit për HIV është përdorimi i barnave antiretrovirale brenda 72 orëve të ekspozimit ndaj HIV-it për të parandaluar infeksionin. Profilaksia pas ekspozimit përfshin këshillimin, testimin për HIV dhe marrjen për 28 ditë të barnave antiretrovirale me një ndjekje të kujdesshme.
- Reduktimin e dëmit për personat që injektojnë drogë. Personat të cilët injektojnë droga mund të marrin masa paraprake kundër infektimit me HIV duke përdorur pajisjet sterile injektuese, përfshirë age dhe shiringa për çdo injeksion.
- Eliminimin e transmetimit të HIV-it nga nëna tek fëmija. Transmetimi i HIV nga një nënë “HIV pozitiv” tek fëmija mund të parandalohet gati plotësisht në qoftë se nëna dhe fëmija marrin barna antiretrovirale. Gratë shtatzëna që jetojnë me HIV duhet të kenë akses sa më herët në trajtimin antiretroviral dhe ta vazhdojnë atë sipas këshillës së profesionistëve shëndetësorë. Trajtimi ndihmon në mbrojtjen e shëndetit të nënës dhe në parandalimin e transmetimit të HIV-it te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes dhe ushqyerjes me gji.
HIV mund të trajtohet
Aktualisht nuk ka një kurë që e eliminon HIV-in nga organizmi, por ekziston terapia antiretrovirale (ARV), e cila pengon shumëzimin e virusit. Trajtimi ul sasinë e virusit në organizëm dhe ndihmon sistemin imunitar të rikuperohet dhe të mbetet i fortë. Kjo u mundëson personave që jetojnë me HIV të bëjnë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.
Një fakt veçanërisht i rëndësishëm është se personat që jetojnë me HIV, të cilët marrin rregullisht mjekimin me ARV dhe kanë një ngarkesë virale të pazbulueshme në gjak, nuk e transmetojnë HIV-in te partnerët e tyre seksualë. Prandaj, diagnostikimi i hershëm, fillimi i trajtimit dhe vazhdimësia e tij janë të rëndësishme si për shëndetin e personit që jeton me HIV, ashtu edhe për parandalimin e transmetimit.
Të luftojmë stigmën dhe diskriminimin
HIV-i nuk është arsye për turp, fajësim apo diskriminim. Frika nga paragjykimi mund t’i pengojë njerëzit të testohen, të kërkojnë informacion ose të marrin kujdesin dhe trajtimin që u nevojitet. Për këtë arsye, respekti, konfidencialiteti, informacioni i saktë dhe mbështetja janë pjesë e rëndësishme e përgjigjes ndaj HIV/AIDS-it.
Në ditën botërore të AIDS, Instituti i Shëndetit Publik, i bashkohet thirrjes për të rritur ndërgjegjësimin ndaj HIV/AIDS, për të rritur aksesin në informim, parandalim, testim dhe trajtim, për të mbështetur kujdesin për personat që jetojnë me HIV duke luftuar stigmën dhe diskriminimin.
Secili prej nesh mund të kontribuojë duke u informuar, duke mbrojtur shëndetin e vet dhe të të tjerëve, duke u testuar kur është e nevojshme dhe e rekomanduar si dhe duke treguar respekt e mbështetje ndaj personave që jetojnë me HIV.
“Për t’i dhënë fund AIDS-it, duhet të sigurojmë akses për të gjithë”