DITA BOTËRORE E INSULTIT CEREBRAL | 29 – TETOR 2026
Njihni shenjat – Veproni menjëherë – Çdo minutë ka rëndësi.
Dita Botërore e Insultit Cerebral (stroke) organizohet çdo vit më 29 tetor, me qëllim rritjen e
ndërgjegjësimit të popullatës për insultin cerebral, njohjen e hershme të shenjave dhe
simptomave, rëndësinë e marrjes së menjëhershme të ndihmës mjekësore, si dhe mundësitë
për parandalimin e tij.
Insulti cerebral, i njohur edhe si goditje në tru, është një urgjencë mjekësore. Ai ndodh kur
furnizimi me gjak i një pjese të trurit ndërpritet ose kur një enë gjaku në tru çahet dhe shkakton
gjakderdhje. Në këto raste, qelizat e trurit mund të dëmtohen brenda një kohe të shkurtër.
Prandaj, njohja e hershme e shenjave dhe trajtimi sa më i shpejtë mund të ndihmojnë në
kufizimin e dëmtimit të trurit dhe në përmirësimin e mundësive për rikuperim.
Çfarë duhet të dimë?
Insulti cerebral mund t'i ndodhë kujtdo dhe shenjat e tij zakonisht shfaqen papritur. Ndër
shenjat kryesore janë: rënie ose asimetri e njërës anë të fytyrës; dobësi apo mpirje e një krahu
ose e njërës anë të trupit; konfuzion, vështirësi në të folur ose në të kuptuar; çrregullime të
papritura të shikimit, humbje e ekuilibrit ose e koordinimit si dhe dhimbje e fortë dhe e papritur
e kokës.
Fushata ndërkombëtare e vitit 2026 zhvillohet nën moton “Çdo minutë ka rëndësi”, duke i bërë
thirrje publikut të njohë shenjat e insultit cerebral dhe të #ActFAST, pra të veprojë menjëherë.
Për njohjen e shpejtë të disa prej shenjave kryesore mund të përdoret metoda B.E.F.A.S.T:
B – Balanca: A ka humbje të papritur të ekuilibrit ose të koordinimit?
E – Eyes/Sytë: A ka ndryshime të papritura në shikim, si shikim i turbullt, i dyfishtë ose humbje
të shikimit?
F – Fytyra: A është njëra anë e fytyrës e varur ose asimetrike?
A – Krahu: A ka dobësi ose mpirje në njërin krah?
S – Të folurit: A është e folura e paqartë ose vështirë për t’u kuptuar?
T – Koha: Mos prisni. Kërkoni menjëherë ndihmë urgjente mjekësore.
Nëse shfaqet qoftë edhe një nga këto shenja, është e rëndësishme të kërkohet menjëherë
ndihma e urgjencës mjekësore. Nuk duhet pritur që simptomat të kalojnë vetë, edhe kur zgjasin
vetëm pak minuta. Në insultin cerebral, koha është vendimtare.
Edukimi dhe parandalimi mund të bëjnë ndryshimin
Edukimi i pacientëve, familjarëve dhe qytetarëve është i rëndësishëm për parandalimin dhe për
njohjen në kohë të insultit cerebral. Njohja e shenjave paralajmëruese mund të ndihmojë që
personi i prekur të marrë sa më shpejt kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Një pjesë e rëndësishme e rasteve të insultit cerebral lidhet me faktorë rreziku që mund të
parandalohen, kontrollohen ose menaxhohen. Kontrolli i rregullt i presionit të gjakut, diabetit
dhe kolesterolit, lënia e duhanit, ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik i rregullt, mbajtja e
një peshe të shëndetshme dhe kryerja e kontrolleve periodike shëndetësore mund të
ndihmojnë në uljen e rrezikut për insult.
Dita Botërore e Insultit Cerebral është një mundësi për secilin prej nesh për të kujtuar se
njohuritë dhe veprimi në kohë mund të shpëtojnë jetë dhe të zvogëlojnë pasojat e insultit
cerebral. Kujdesi për faktorët e rrezikut, njohja e shenjave dhe kërkimi i menjëhershëm i
ndihmës mjekësore janë hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit të trurit. Në këtë ditë,
Instituti i Shëndetit Publik sjell në vëmendje rëndësinë e parandalimit, njohjes së hershme të
shenjave dhe reagimit të menjëhershëm ndaj insultit cerebral.
Njihni shenjat – Veproni menjëherë – Çdo minutë ka rëndësi.