Askush nuk duhet të përballojë i vetëm sëmundjen
Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Limfomën mbahet çdo vit në 15 shtator. Ajo i dedikohet rritjes së ndërgjegjësimit të popullatës për nëntipet e limfomës në drejtim: të njohjes së simptomave, diagnozës së hershme dhe trajtimit, – si një formë gjithnjë e më e zakonshme e kancerit.
Motoja për vitin 2026 është: “Askush nuk duhet të përballojë i vetëm sëmundjen”
Çfarë është Limfoma?
Limfoma është kanceri më i zakonshëm i gjakut dhe i treti më i zakonshëm tek fëmijët. Një milion njerëz në mbarë botën jetojnë me limfomë sot. Shumë prej tyre ende nuk janë të vetëdijshëm që është një formë kanceri kërcënuese për jetën.
Limfoma
Limfoma është kanceri i limfociteve (janë qelizat e bardha të gjakut) që ndihmojnë në luftimin e infeksionit. Limfocitet gjenden në një lëng të quajtur limfë i cili qarkullon në të gjithë trupin tonë në sistemin limfatik.
Sistemi limfatik është një seri tubash, nyjesh dhe organesh si: shpretka dhe timusi, që janë pjesë e sistemit tonë imunitar. Limfocitet shpesh mblidhen në nyjet limfatike – më së shpeshti në sqetull, qafë ose ijë – për të luftuar infeksionin, por gjithashtu mund të gjenden në pothuajse çdo pjesë të trupit.
Limfoma ndodh, kur limfocitet anormale rriten jashtë kontrollit dhe mblidhen në nyjet limfatike ose pjesë të tjera të trupit.
Llojet e limfociteve
Ekzistojnë dy lloje kryesore të limfociteve që mund të zhvillohen në limfoma: limfocitet B (qelizat B) dhe limfocitet T (qelizat T):
- Qelizat B janë përgjegjëse për krijimin e antitrupave ose imunoglobulinave që luftojnë infeksionet.
- Qelizat T shkatërrojnë qelizat kancerogjene dhe qelizat e tjera të infektuara virale ose bakteriale duke vepruar në vetë qelizat, ose duke koordinuar një përgjigje imune.
Limfomat e qelizave B janë shumë më të zakonshme, se limfomat e qelizave T dhe përbëjnë mbi 90% të të gjitha limfomave.
Llojet e Limfomës
Limfomat përgjithësisht janë kategorizuar në limfomë Hodgkin ose jo-Hodgkin. Ky kategorizim bazohet në emrin e mjekut, Dr. Thomas Hodgkin, i cili përshkroi për herë të parë atë që më pas etiketohej Sëmundja e Hodgkin-it në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Parandalimi
Nuk ka mënyrë të sigurt për ta parandaluar, por një stil jetese i shëndetshëm, ushqimi i balancuar, aktiviteti fizik dhe shmangia e duhanit mund të ndihmojnë në forcimin e imunitetit.
Kontrolli mjekësor i rregullt dhe vëmendja ndaj simptomave të pazakonta janë çelësi i diagnostikimit të hershëm.
Trajtimi
Varet nga lloji dhe faza e limfomës. Terapitë përfshijnë kimioterapi, imunoterapi, terapi biologjike dhe në disa raste transplant të qelizave staminale.
Shumë pacientë sot arrijnë shërim ose menaxhim afatgjatë falë përparimeve në mjekësi.