Ndihma e parë është universale — çdo njeri mund ta mësojë dhe ta ofrojë.
Dita Botërore e Ndihmës së Parë, e cila shënohet çdo vit në të shtunën e dytë të muajit shtator, është një nismë globale e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC). Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e aftësive bazike që shpëtojnë jetë dhe të promovojë përfshirjen e sa më shumë qytetarëve në mësimin e teknikave të ndihmës së parë. Ndihma e parë është një veprim i thjeshtë, i menjëhershëm dhe i aksesueshëm për të gjithë — një aftësi që mund të bëjë diferencën në situata të papritura, aksidente, fatkeqësi natyrore, përmbytje, kriza dhe emergjenca të përditshme.
Qëllimi i kësaj dite është të nxisë edukimin shëndetësor, të forcojë gatishmërinë komunitare dhe të sigurojë që çdo individ të ketë njohuri të thjeshta, por thelbësore, për të reaguar deri në mbërritjen e ndihmës nga shërbimi profesional i urgjencës. Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), thekson se qytetarët shpesh janë të parët që ndodhen pranë personit në rrezik. Aftësitë bazike të ndihmës së parë fuqizojnë individët dhe komunitetet të dallojnë shenjat që tregojnë se një person është në vështirësi dhe ka nevojë për ndihmë, të ofrojnë mbështetje të menjëhershme dhe të lidhin individët me shërbimet profesionale të urgjencës kur është e nevojshme.
Tema 2026: Ndihma e Parë në Kontekstin e Migracionit
Tema e këtij viti fokusohet te personat në lëvizje — migrantët, refugjatët, turistët dhe punëtorët sezonalë — të cilët shpesh përballen me lodhje, dehidratim, lëndime fizike, trauma psikologjike dhe, në disa raste, mungesë aksesi në shërbime shëndetësore. Në këto situata, ndihma e parë është mbështetja e parë dhe shpesh e vetme që mund të ofrohet menjëherë. Në Shqipëri, ku numri i të huajve, vizitorëve dhe turistëve është në rritje, si dhe ku lëvizjet demografike janë të dukshme, ndihma e parë merr një rol të veçantë në mbrojtjen e shëndetit publik. Ajo ndihmon në garantimin e sigurisë së personave në lëvizje dhe të komuniteteve pritëse, duke krijuar një mjedis më të gatshëm për të reaguar dhe më solidar ndaj çdo situate emergjente.
Ashtu si shumë vende të rajonit Europian, edhe vendi jonë përballet çdo vit me ngjarje emergjente si zjarre masive, përmbytje, rrëshqitje të tokës dhe aksidente rrugore — shpesh herë dhe me persona të lënduar. Në këto kushte, ndihma e parë është ndërhyrja e parë që mund të shpëtojë jetë përpara mbërritjes së ekipeve mjekësore të specializuara. Në shumë situata, personi i parë që ndodhet pranë një individi në rrezik është një qytetar i thjeshtë. Reagimi i shpejtë dhe i saktë mund të jetë vendimtar për shpëtimin e jetës. Për këtë arsye, trajnimi për ofrimin e ndihmës së parë është një mjet i fuqishëm që rrit sigurinë dhe aftësinë e reagimit të komuniteteve.
Programet e Kryqit të Kuq Shqiptar, të harmonizuara me udhëzimet e Qendrës Globale të Referencave të Ndihmës së Parë, synojnë edukimin në vazhdimësi të komuniteteve mbi rëndësinë e ndihmës së parë dhe ofrojnë kurse bazike dhe të avancuara për qytetarët, punonjësit, institucionet, shkollat dhe bizneset. Këto programe rrisin aftësinë e komunitetit për të vepruar pa hezitim, për të mbrojtur të lënduarit dhe për të shpëtuar jetë.
Institucionet shëndetësore, shkollat, familjet dhe komunitetet mund të kontribuojnë duke marrë pjesë në trajnime, duke praktikuar teknikat bazike të reagimit dhe duke përdorur burime të besueshme të Kryqit të Kuq dhe OBSH.
Instituti i Shëndetit Publik fton qytetarët, institucionet dhe komunitetet të angazhohen në mësimin dhe promovimin e ndihmës së parë, duke kontribuar për një shoqëri më të sigurt, më të përgatitur dhe më solidare.
Aksidentet dhe emergjencat ndodhin papritur — reagimi i shpejtë është vendimtar.
12 Shtator 2026 – Dita Botërore e Ndihmës së Parë