4 SHKURT 2026 – DITA BOTËRORE E KANCERIT

Kanceri është një term i përgjithshëm që përfshin një grup të madh sëmundjesh, të cilat mund të prekin çdo pjesë të trupit. Terma të tjerë të përdorur në praktikën mjekësore janë tumoret malinje dhe neoplazitë. Një karakteristikë kryesore e zhvillimit të sëmundjeve të kancerit është krijimi i shpejtë i qelizave anormale që rriten përtej kufijve të tyre të zakonshëm, që mund të pushtojnë indet përreth dhe të përhapen në organe të tjera – ky proces quhet metastazë. Metastazat e përhapura janë shkaku kryesor i vdekjes nga kanceri.

FAKTE KYÇE MBI KANCERET

Kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjes në mbarë botën, duke shkaktuar rreth 10 milionë vdekje në vitin 2020, ose afërsisht një në gjashtë vdekje. Kanceret më të shpeshta në mbarë globin janë: kanceri i gjirit, i mushkërive, i zorrës së trashë dhe rektumit, si dhe kanceri i prostatës.

Rreth një e treta e vdekjeve nga kanceri lidhen me përdorimin e duhanit, indeksin e lartë të masës trupore, konsumimin e alkoolit, konsumimin e ulët të frutave dhe perimeve dhe mungesën e aktivitetit fizik. Gjithashtu, ndotja e ajrit është një tjetër faktor i rëndësishëm rreziku për kancerin e mushkërive.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se Infeksionet që shkaktojnë kancer, si virusi i papilomës humane (HPV) dhe hepatitet, janë përgjegjëse për rreth 30% të rasteve të kancerit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta në mbarë globin.

Bazuar në vlerësimet e OBSH-së, llojet më të shpeshta të kancerit në vitin 2020 (sipas rasteve të reja) janë: Gjiri (2.26 milionë raste); Mushkëritë (2.21 milionë raste); Zorra e trashë dhe rektumi (1.93 milionë raste); Prostata (1.41 milionë raste); Lëkura (jo-melanoma) (1.20 milionë raste), dhe Stomaku (1.09 milionë raste). Në vitin 2024 në Shqipëri u diagnostikuan 7,076 raste të reja me kancer, ku kanceret më të shpeshta rezultojnë: Kanceri i gjirit të femrat me 805 raste, kanceri i mushkërive me 771 raste dhe kanceret e lëkurës (jo melanoma) me 1,216 raste, që së bashku përbëjnë rreth 40% të rasteve totale. Kancere të tjera të zakonshme përfshijnë ato të zorrës së trashë, fshikëzës së urinës, stomakut, trurit, gjakut dhe organeve riprodhuese, ndërsa disa kancere si melanomat dhe kanceri i ezofagut përbëjnë më pak se 1% të totalit. Tek meshkujt vlerësohet se llojet më të zakonshme të kancerit janë: kanceri i mushkërive, prostatës, kolorektal, stomakut dhe mëlçisë, ndërsa tek femrat format e kancerit më të zakonshme janë: kanceri i gjirit, kolorektali, i mushkërive, i qafës së mitrës dhe tiroides.

Shkaqet më të shpeshta të vdekjeve nga kanceri në vitin 2020 të raportuara nga OBSH janë: Mushkëritë (1.80 milionë vdekje); Zorra e trashë dhe rektumi (916,000 vdekje); Mëlçia (830,000 vdekje); Stomaku (769,000 vdekje); dhe kanceri i gjirit (685,000 vdekje). Në Shqipëri, vdekshmëria proporcionale nga kanceret ka qëndruar relativisht e qëndrueshme gjatë 10 viteve të fundit, duke zënë rreth 15% të totalit të vdekjeve çdo vit, dhe mbetet shkaku i dytë kryesor i vdekjeve pas sëmundjeve të zemrës. Për vitin 2024, kjo përqindje ishte 15.3%, krahasuar me 21.6% në vendet e Bashkimit Europian.

SHKAQET E SËMUNDJES

Kanceri lind si rezultat i transformimit të qelizave normale në qeliza tumorale përmes një procesi shumëfazësh, i cili zakonisht fillon nga një lezion parakanceroz dhe përparon drejt një tumori malinj. Këto ndryshime janë rezultat i ndërveprimit midis faktorëve gjenetikë të individit dhe tre kategorive të agjentëve të jashtëm, përfshirë:

  • Kancerogjenë fizikë, si rrezatimi ultravjollcë dhe rrezatimi jonizues;
  • Kancerogjenë kimikë, si asbesti, përbërësit e tymit të duhanit, alkooli, aflatoksina (ndotës ushqimor) dhe arseniku (ndotës i ujit të pijshëm); dhe
  • Kancerogjenë biologjikë, si infeksionet nga disa viruse, baktere ose parazitë.

OBSH-ja, përmes agjencisë së saj kërkimore për kancerin – Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimin mbi Kancerin (IARC), mban një klasifikim të agjentëve që shkaktojnë kancer.

Shfaqja e kancerit rritet ndjeshëm me moshën, me shumë gjasë për shkak të akumulimit të faktorëve të rrezikut që rriten me kalimin e viteve, si dhe për shkak të uljes së efikasitetit të mekanizmave të riparimit qelizor.

FAKTORËT E RREZIKUT

Përdorimi i duhanit, konsumimi i alkoolit, dieta e pashëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik dhe ndotja e ajrit janë faktorë rreziku për kancerin dhe për sëmundje të tjera jo-të transmetueshme.

Disa infeksione kronike janë gjithashtu faktorë rreziku për kancerin, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Rreth 13% e kancereve të diagnostikuara globalisht në vitin 2018 i atribuoheshin infeksioneve kancerogjene, përfshirë Helicobacter pylori, virusin e papilomës humane (HPV), virusin e hepatitit B, virusin e hepatitit C dhe virusin Epstein-Barr. Viruset e hepatitit B dhe C, si dhe disa lloje të HPV-së, rrisin përkatësisht rrezikun për kancerin e mëlçisë dhe të qafës së mitrës. Infeksioni me HIV rrit gjashtëfish rrezikun për zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës dhe rrit ndjeshëm rrezikun për disa kancere të tjera, si sarkoma Kaposi.

REDUKTIMI I BARRËS SË KANCERIT

Aktualisht, midis 30% dhe 50% e kancereve mund të parandalohen duke shmangur faktorët e rrezikut dhe duke zbatuar strategji parandaluese të bazuara në prova shkencore. Barra e kancerit mund të reduktohet gjithashtu, përmes zbulimit të hershëm dhe trajtimit të përshtatshëm të pacientëve. Shumë lloje kanceri kanë probabilitet të lartë shërimi nëse diagnostikohen herët dhe trajtohen në mënyrë të duhur.

ÇFARË MUND TË BËJMË PËR TË PARANDALUAR SËMUNDJET E KANCERIT?

Rreziku për kancer mund të reduktohet duke:

  • Mos përdorur duhan;
  • Mbajtur peshë trupore të shëndetshme;
  • Ndjekur një dietë të shëndetshme, përfshirë fruta dhe perime;
  • Kryer aktivitet fizik të rregullt;
  • Shmangur ose reduktuar konsumimin e alkoolit;
  • Duke u vaksinuar kundër HPV-së dhe hepatitit B, sipas rekomandimeve;
  • Shmangur ekspozimin ndaj rrezatimit ultravjollcë dhe duke përdorur masa mbrojtëse nga dielli;
  • Siguruar përdorim të sigurt dhe të përshtatshëm të rrezatimit në shërbimet shëndetësore;
  • Minimizuar ekspozimin profesional ndaj rrezatimit jonizues; 
  • Reduktuar ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit të jashtëm dhe të brendshëm.

ZBULIMI I HERSHËM

Strategjitë globale për kontrollin e kancerit, të aplikuara edhe nga sistemi ynë shëndetësor, përfshijnë,  pesë shtylla kryesore: parandalim në nivelin e kujdesit parësor (p.sh. vaksinimi kundër HPV dhe Hepatitit B, promovimi i stilit të shëndetshëm të jetesës), zbulimin e hershëm dhe depistimin për disa lloje specifike si psh. kanceri i gjirit apo i qafës së mitrës, trajtimin me metoda të avancuara (kirurgji, kimioterapi, radioterapi), kujdesin paliativ për pacientët në fazat terminale, si dhe monitorimin dhe formulimin e politikave efektive shëndetësore.

Vdekshmëria nga kanceri reduktohet kur rastet zbulohen dhe trajtohen herët. Zbulimi i hershëm në vetvete përfshin dy komponentë: diagnostikimin e hershëm dhe depistimin.

Diagnostikimi i hershëm

Kur kanceri identifikohet herët, ai ka më shumë gjasa të përgjigjet ndaj trajtimit, duke rritur mbijetesën dhe duke ulur kostot dhe pasojat shëndetësore. Diagnostikimi i hershëm përfshin:

  • Ndërgjegjësimin për simptomat e kancerit dhe rëndësinë e kërkimit të ndihmës mjekësore;
  • Qasje në shërbime diagnostikuese dhe klinike;
  • Referim në kohë drejt trajtimit.

Diagnostikimi i hershëm i kancereve simptomatike është i rëndësishëm në të gjitha kontekstet dhe për shumicën e llojeve të kancerit. Programet e kancerit duhet të hartohen dhe zhvillohen në mënyrë të tillë që të reduktojnë vonesat dhe pengesat në diagnostikim, trajtim dhe kujdes mbështetës.

Depistimi

Ka shumë lloje kanceri për të cilat nuk jemi mjaftueshëm të informuar, por rritja ose përhapja e qelizave kancerogjene mund të ndalet me ndërhyrje të hershme. Prandaj, nga çdo individ dhe shoqëria e tërë kërkohet eleminimi i shprehjeve të tilla si: “do të shkoj te mjeku më vonë”, “është vetëm një dhimbje kalimtare” apo “gunga ose nishani do të zhduket vetë me kohë”. Kontrolli i hershëm mund të bëjë një ndryshim vendimtar.

Depistimi synon të identifikojë individë me shenja të kancerit ose parakancerit përpara shfaqjes së simptomave. Programet e depistimit janë efektive për disa lloje kanceri dhe kërkojnë burime dhe personel të specializuar. Shembuj të metodave të depistimit përfshijnë testin e HPV-së për depistimin e kancerit të qafës së mitrës dhe mamografinë për depistimin e kancerit të gjirit.

 

TRAJTIMI

Shumë lloje kanceri mund të shërohen nëse zbulohen herët dhe trajtohen në mënyrë efektive. Diagnostikimi i saktë i kancerit është thelbësor për trajtim efektiv. Trajtimi zakonisht përfshin kirurgji, radioterapi dhe/ose terapi sistemike. Qëllimi kryesor është shërimi ose zgjatja e jetës, si dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së pacientit. Gjithashtu, kujdesi paliativ synon lehtësimin e simptomave dhe vuajtjes së shkaktuar nga kanceri dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve dhe familjeve të tyre. Ai është veçanërisht i nevojshëm në rastet e avancuara të kancerit. Përmirësimi i aksesit në morfinë orale rekomandohet fuqimisht për trajtimin e dhimbjeve të forta nga kanceri.

Viti 2026 shënon fazën e dytë të fushatës trevjeçare mbarëbotërore (2025–2027) të udhëhequr nga parimi “Eksperienca të ndryshme, por të bashkuar kundër kancerit!”, ku orientimi kryesor theksohet tek rëndësia e një qasjeje të përqendruar te njeriu në kujdesin ndaj kancerit. Kanceri nuk është thjesht një diagnozë mjekësore – ai prek jetën e çdo personi në mënyra unike. Pas çdo rasti ka një histori të veçantë plot sfida, dhimbje, shpresë dhe forcë. Pikërisht për këtë arsye, trajtimi i kancerit duhet të përqendrohet tek njeriu, duke marrë parasysh nevojat e tij me dhembshuri dhe kujdes. 

Ndërsa tema kryesore mbetet e njëjtë gjatë gjithë fushatës, fokusi i veçantë për vitin 2026 është tek përvojat reale të njerëzve — duke vënë në qendër historitë, nevojat dhe rrugëtimin unik të secilit person që preket nga kanceri.

Parandalimi është në duart tona.

Zgjedhje të shëndetshme çdo ditë.

Të informuar – Të bashkuar – Më të fortë kundër kancerit.