12 Dhjetori – Dita e Mbulimit Shëndetësor Universal
Çdo vit, më 12 dhjetor, vendet anembanë botës kujtojnë rëndësinë e Mbulimit Shëndetësor Universal (Universal Health Coverage – UHC). Qëllimi i UHC është që çdo person, pa dallim, të ketë akses në shërbime shëndetësore cilësore, nga parandalimi dhe diagnostikimi deri te trajtimi dhe rehabilitimi, pa rrezikuar stabilitetin financiar të familjes së tij.
Mbulimi shëndetësor universal nuk është vetëm një objektiv i sistemit shëndetësor. Ai lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien sociale, zhvillimin ekonomik dhe zvogëlimin e pabarazive. Kur njerëzit marrin shërbime në kohën e duhur dhe pa barriera financiare, komunitetet janë më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme.
Në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik kontribuon çdo ditë në këtë vizion përmes:
- forcimit të survejancës epidemiologjike
• promovimit të shëndetit dhe edukimit shëndetësor
• parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve ngjitëse e jo-ngjitëse
• mbrojtjes së grupeve vulnerabël
• bashkëpunimit me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të përmirësuar politikat dhe shërbimet shëndetësore
Këto përpjekje synojnë një sistem shëndetësor më të drejtë dhe më të qasshëm, ku shërbimet bazohen në nevojat e qytetarëve dhe jo në mundësitë e tyre ekonomike.
Në këtë ditë ndërkombëtare, riafirmojmë angazhimin për të vazhduar investimet në shëndetin publik, për të forcuar kapacitetet e sistemit dhe për të garantuar që askush të mos mbetet pas.
Shëndeti është e drejtë themelore, jo privilegj.