Dita Botërore e Insulteve Cerebrale organizohet çdo vit në 29 Tetor. Goditja në tru është urgjencë mjekësore dhe mund të shkaktojë paaftësi të përkohshme ose të përhershme.
Ndërlikimet varen nga sa gjatë ka munguar furnizimi me gjak në tru dhe cila pjesë është prekur.
Çdo vit, rreth 12 milionë njerëz në mbarë globin pësojnë një ishemi në tru.
Fokusi i fushatës për vitin 2025, përmblidhet nën moton: “Ndërgjegjësohuni, Veproni – Çdo minutë ka rëndësi!”

FAKTE KRYESORE MBI INSULTIN CEREBRAL

Organizata Botërore e Goditjeve Cerebrale në vitin 2024 referon këto fakte:
* Rreth 12 milionë raste të reja në vit me goditje në tru.
* 1 në 4 persona është në rrezik për t’u prekur nga një insult gjatë jetës.
* Rreth 94 milionë njerëz në botën jetojnë me pasojat e shkaktuara nga një insult.
* 80% e të gjitha insulteve janë të lidhura me 10 faktorë rreziku të modifikueshëm.
* 53% e rasteve të Insulteve ndodhin tek njerëzit nën 70 vjeç.
* Goditjet në tru vlerësohen si shkaktari i tretë kryesor i vdekshmërisë dhe paaftësisë ndërmjet sëmundjeve jo të transmetueshme në mbarë botën.

GODITJA NË TRU (INSULTI CEREBRAL)

Insulti (ose goditja në tru) ndodh në ato raste kur qarkullimi i gjakut në tru ndërpritet dhe për pasojë, qelizat në zonën e prekur fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese, të cilat janë të nevojshme për funksionimin e tyre.

Goditjet në tru zakonisht paraqiten në dy forma:

Goditja ishemike, e cila është lloji më i zakonshëm i goditjes në tru. Ajo ndodh kur enët e gjakut në tru ngushtohen ose bllokohen, duke shkaktuar ulje të qarkullimit të gjakut — një gjendje e njohur si ishemi. Ngushtimi ose bllokimi i enëve të gjakut mund të shkaktohet nga depozitime yndyrore që grumbullohen në muret e tyre, nga mpiksje gjaku ose mbetje të tjera që udhëtojnë nëpër qarkullimin e gjakut – zakonisht nga zemra.
Goditja hemorragjike ndodh kur një enë gjaku në tru çahet ose rrjedh. Gjakderdhja brenda trurit, e njohur si hemorragji cerebrale, mund të shkaktohet nga disa gjendje që dëmtojnë enët e gjakut. Faktorët që lidhen me goditjen hemorragjike përfshijnë: Tension i lartë i gjakut që nuk kontrollohet, Trajtim i tepruar me hollues gjaku (antikoagulantë), Fryrje në pika të dobëta të mureve të enëve të gjakut (aneurizma), Trauma në kokë, si p.sh. nga aksidentet rrugore.

Gjithashtu, goditja në tru (në gjuhën mjekësore e njohur edhe si Stroke), vjen dhe në formën e një ataku ishemik kalimtar ose e njohur ndryshe dhe si mini-insult. Ataku ishemik kalimtar është një periudhë e përkohshme me simptoma të ngjashme me goditjen në tru, por pa dëmtime të përhershme. Ataku ishemik kalimtar ndodh kur një mpiksje gjaku ose depozitë yndyrore bllokon përkohësisht qarkullimin e gjakut në sistemin nervor dhe për pasojë shkakton një ulje të përkohshme të furnizimit me gjak në një pjesë të trurit.

SIMPTOMAT

Nëse ju ose dikush pranë jush mund të jetë duke përjetuar një goditje në tru, kushtojini vëmendje kohës kur filluan simptomat. Disa trajtime janë më efektive kur jepen menjëherë pas fillimit të goditjes.
Simptomat përfshijnë:
* Vështirësi në të folur dhe kuptuar. Personi mund të jetë i hutuar, ka vështirësi në artikulimin e fjalëve ose në të kuptuarit e asaj që i thuhet.
* Mpirje, dobësi ose paralizë në fytyrë, krah ose këmbë. Zakonisht ndikohet vetëm njëra anë e trupit. Nëse personi do tentojë të ngrejë krahët lart dhe njëri prej tyre bie në mënyrë të pavullnetshme, mund të jetë shenjë goditjeje në tru. Gjithashtu, identikisht mund të shfaqen shformime të “rrëzimit” të njërës anë të gojës, sidomos kur përpiqet të buzëqeshë.
* Probleme me shikimin – në njërin ose të dy sytë. Mund të ketë mjegullim, errësim të papritur ose mbivendosje/dyfishim të pamjeve
* Dhimbje koke. Një dhimbje koke e papritur dhe e fortë. Mund të shoqërohet me të vjella, marramendje dhe humbje të vetëdijes.
* Vështirësi në ecje. Personi mund të pengohet, të humbasë ekuilibrin ose koordinimin.

KUR TË KËRKOHET NDIHMË MJEKËSORE

Kërkoni ndihmë mjekësore urgjente nëse vini re ndonjë nga këto simptoma, edhe nëse ato shfaqen e zhduken herë pas here.
Mendoni dhe veproni shpejt: Mos prisni që simptomat të ndalojnë. Çdo minutë ka rëndësi. Sa më gjatë të mbetet e patrajtuar goditja, aq më i madh është rreziku për dëmtim të trurit dhe paaftësi. Nëse jeni me dikë që dyshoni se po përjeton një goditje, qëndroni pranë dhe vëzhgojeni me kujdes derisa të vijë ndihma e shpejtë.

FAKTORËT E RREZIKUT

Shumë faktorë mund të rrisin rrezikun për goditje në tru. Disa prej tyre janë të trajtueshëm.
Faktorë të stilit të jetesës:
* Mbipesha ose obeziteti.
* Mungesa e aktivitetit fizik.
* Pirja e duhanit ose ekspozimi ndaj tymit pasiv.
* Përdorimi i tepruar ose episodik i alkoolit.
* Përdorimi i drogave të paligjshme si kokaina dhe metamfetamina.
Faktorë mjekësorë:
* Tensioni i lartë i gjakut.
* Kolesteroli i lartë.
* Diabeti.
* Sëmundje kardiovaskulare, përfshirë dështimin e zemrës (insuficienca), defekte të zemrës, infeksione të zemrës ose ritëm të parregullt si fibrilacioni atrial.
* Histori personale ose familjare me goditje, infarkt në zemër ose mini-insult.
* Infeksioni me COVID-19.
Faktorë të tjerë që lidhen me rrezik më të lartë për goditje:
* Mosha – Personat mbi 55 vjeç kanë rrezik më të lartë.
* Gjinia – Meshkujt kanë rrezik më të lartë.

NDËRLIKIMET

Goditja në tru mund të shkaktojë paaftësi të përkohshme ose të përhershme. Ndërlikimet varen nga sa gjatë ka munguar furnizimi me gjak në tru dhe cila pjesë është prekur.
Ndërlikimet mund të përfshijnë:
* Humbje të lëvizjes muskulore (paralizë). Mund të paralizoheni në njërën anë të trupit ose të humbni kontrollin mbi muskuj të caktuar, si ata në njërën anë të fytyrës ose në një krah.
* Vështirësi në të folur ose gëlltitje. Goditja mund të ndikojë muskujt e gojës dhe fytit, duke e bërë të vështirë të gëlltiturit ose të ngrënët, të folurit qartë, kuptimin, leximin ose shkrimin.
* Humbje të kujtesës ose vështirësi në të menduar. Shumë persona që kanë përjetuar goditje përjetojnë humbje të kujtesës. Të tjerë mund të kenë vështirësi në të menduar, arsyetim, gjykim dhe kuptim të koncepteve.
* Simptoma emocionale. Personat që kanë përjetuar goditje mund të kenë më shumë vështirësi në kontrollin e emocioneve ose të zhvillojnë depresion.
* Dhimbje. Dhimbje, mpirje ose ndjesi të tjera mund të shfaqen në pjesët e trupit të prekura nga goditja. Nëse humbni ndjeshmërinë në krahun e majtë, mund të keni ndjesinë e shpimit me gjilpërë në atë krah.
* Ndryshime në sjellje dhe kujdesin për veten. Personat që kanë përjetuar goditje mund të bëhen më të tërhequr dhe të kenë nevojë për ndihmë në higjienën personale dhe punët e përditshme.

PARANDALIMI

Ju mund të merrni masa për të parandaluar një goditje në tru. Është e rëndësishme të njihni faktorët tuaj të rrezikut dhe të ndiqni këshillat e profesionistëve për një stil jetese të shëndetshëm.
Nëse keni përjetuar një goditje ose një atak ishemik kalimtar, këto masa mund të ndihmojnë në parandalimin e një goditjeje tjetër. Kujdesi në spital – dhe më tej në vazhdimësi, luan gjithashtu një rol të rëndësishëm. Shumë strategji për parandalimin e goditjes janë të njëjta me ato për parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
Rekomandimet për një stil jetese të shëndetshëm përfshijnë:
* Kontrolloni tensionin e lartë të gjakut (hipertensionin). Nëse keni pasur goditje, mbajtja nën kontroll e tensionit mund të parandalojë një mini-insult ose përsëritje të situatës.
* Mbani nën kontroll nivelin e kolesterolit. Kolesteroli i lartë mund të çojë në bllokimin e arterieve karotide që marrin gjak nga qafa në tru. Një pjesë e kësaj mpiksjeje mund ta ndërpresë qarkullimin e gjakut dhe të shkojë për në tru, duke shkaktuar një insult cerebral.
* Ndërpriteni përdorimin e duhanit. Pirja e duhanit rrit rrezikun për goditje, si për duhanpirësit ashtu edhe për ata të ekspozuar ndaj tymit pasiv.
* Menaxhoni diabetin. Dieta, aktiviteti fizik dhe humbja në peshë ndihmojnë në mbajtjen e nivelit të sheqerit në gjak brenda normave të shëndetshme. Nëse këto masa nuk mjaftojnë, mund të përshkruhen medikamente.
* Mbani një peshë të shëndetshme. Mbipesha kontribuon në faktorë të tjerë rreziku, si: hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti.
* Ushqehuni me fruta dhe perime. Duhet konsumuar një dietë e pasur me perime dhe fruta dhe e “kursyer” në kripë. Kjo ndihmon në uljen e depozitave yndyrore në arterie që mund të shkaktojnë bllokime, si dhe zvogëlon mundësinë e çarjes së enëve të gjakut që shkakton tensioni i lartë. Dieta mesdhetare, që përfshin: vaj ulliri, fruta, arra, perime dhe drithëra të plota mund të jetë e dobishme.
* Ushtroni rregullisht. Aktiviteti aerobik pakëson rrezikun për goditje në shumë mënyra: ul tensionin, përmirëson shëndetin e enëve të gjakut dhe zemrës, ndihmon në humbje peshe, kontrollin e diabetit dhe uljen e stresit. Synoni të arrini të paktën 30 minuta aktivitet fizik të moderuar shumicën e ditëve të javës. Rekomandohet 150 minuta aktivitet aerobik të moderuar ose 75 minuta aktivitet intensiv në javë. Aktivitetet mund të përfshijnë ecje, vrap, not dhe biçikletë.
* Reduktoni përdorimin e alkoolit. Sasi të mëdha të alkoolit rrisin rrezikun për hipertension, goditje ishemike dhe hemorragjike. Alkooli mund të ndërveprojë edhe me medikamente të tjera. Konsultohuni me profesionistin tuaj shëndetësor, për çfarë është e përshtatshme për ju.
* Mos përdorni droga të paligjshme. Droga si kokaina dhe metamfetamina janë faktorë të njohur rreziku për goditjet në tru.

Goditja në tru është një emergjencë mjekësore. Njohja e simptomave të goditjes në tru dhe ndërhyrja mjekësore e shpejtë mund të zvogëlojë dëmtimin e trurit dhe ndërlikimet e tjera që shkaktohen si pasojë e goditjes.