Dita Botërore e Shikimit, 2025.
Dita Botërore e Shikimit u përzgjodh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Agjencia Ndërkombëtare për Parandalimin e Verbërisë (IAPB). Dita Botërore e Shikimit është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin mbi dëmtimet e shikimit dhe verbërinë, si dhe për të promovuar kujdesin ndaj syve.
Për herë të parë kremtimi i kësaj Dite u organizua në vitin 1998 dhe që atëherë është kthyer në një nismë gjithëpërfshirëse, e mbështetur nga organizata, qeveri, institucione shëndetësore dhe profesionistë të kujdesit ndaj syve në mbarë botën. Tema e këtij viti është: “Duaji dhe Çmoji sytë e tu!”
Në tërësi në mbarë botën, të paktën 2.2 miliardë njerëz kanë një dëmtim të shikimit afër ose larg. Shkaqet kryesore të dëmtimit të shikimit dhe verbërisë janë: gabimet refraktive, katarakti, retinopatia diabetike, glaukoma dhe degjenerimi makular i lidhur me moshën. Gabimi refraktiv i pakorrigjuar mbetet një shkak kryesor i dëmtimit të shikimit në të gjitha vendet e botës, si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit. OBSH-ja thekson se të paktën në 1 miliard prej tyre, dëmtimi i shikimit mund të ishte parandaluar ose ende nuk është trajtuar në mënyrën e duhur.
Humbja e shikimit mund të prekë njerëz të të gjitha moshave; megjithatë, shumica e personave me dëmtim të shikimit dhe verbëri janë mbi moshën 50 vjeç. Shumë prej këtyre pasojave mund të zbuten në rastet kur kanë akses të duhur për kujdes shëndetësor.
Gjendjet e syrit që mund të shkaktojnë dëmtim të shikimit dhe verbëri si katarakti apo gabimet refraktive, janë në qendër të strategjive që kanë të bëjnë me kujdesin ndaj syrit. Megjithatë, edhe gjendje të tjera të syrit që zakonisht nuk shkaktojnë dëmtim të shikimit, si psh. syri i thatë apo konjuktiviti nuk duhen nënvlerësuar. Këto gjendje të sipërcituara janë shpesh ndër arsyet kryesore për paraqitjen e njerëzve pranë institucioneve përgjegjëse për evidentimin e situatës dhe kujdesin shëndetësor.
Mbrojtja e shikimit të brezave të ardhshëm
Këtë vit, OBSH-ja i kushton vëmendje të veçantë shëndetit të syve të fëmijëve, duke theksuar që, shërbimet për shëndetin e syve duhet të jenë të aksesueshme, të disponueshme dhe të përballueshme për çdo fëmijë.
Me qëllim identifikimin e hershëm të dëmtimeve të shikimit dhe parandalimin e problematikave te moshat fëmijërore, Qeveria Shqiptare në vitin 2022 ka miratuar “Paketën e Programit Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët”, të konceptuar dhe si një paketë shërbimesh ndihmëse në shëndetin publik në vendin tonë.
Objektivat e paketës së Programit Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët synohen të arrihen nëpërmjet një sërë hapash.
- Depistimit të fëmijëve sipas grup-moshave:
- Të porsalindurit – Depistimi te të porsalindurit kryhet nga neonatologët, në maternitetet publike ose jopublike, sipas protokolleve të përcaktuara.
- Depistimi në 6-mujorin e dytë të vitit të parë të jetës deri në 4 vitet e para të jetës – kryhet nga mjekët pediatër/të familjes në konsultorin e fëmijës, në qendrat e konsultorit në të gjithë vendin.
- Depistim periodik në moshat nga 4–14 vjeç – kryhet në shkollë (publike/jopublike) nga mjekët e atashuar në këto institucione dhe në mungesë të personelit shëndetësor aty, kryhet nga mjekët e familjes, sipas zonave përkatëse që mbulon qendra shëndetësore.
- Vlerësimit okulistik/optometrik bazuar në protokollet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
- Përgatitjes dhe aplikimit të regjistrit kombëtar për problemet e shikimit të fëmijëve.
Fëmijët që rezultojnë me probleme gjatë depistimit, rekomandohen nga personeli shëndetësor/mjeku i familjes për vizitë të specializuar okulistike pranë shërbimeve dytësore publike.
Duke filluar nga muaji Shtator të vitit 2022 dhe deri në muajin Qershor të vitit 2025 në total në të gjithë vendin janë realizuar 246,369 depistime pranë shkollave 9-vjeçare të vendit. Nga numri total i të depistuarve, rreth 30,000 fëmijë në të gjithë vendin janë rekomanduar për vizitë/konsultë të mëtejshme të specializuar okulistike tek mjekët specialistë.
Këshilla të rëndësishme për të mbrojtur shikimin tuaj:
- Shmangni ekspozimin ndaj rrezeve të dëmshme UV duke përdorur syze dielli dhe kapele.
- Bëni pushime të rregullta gjatë leximit apo përdorimit të pajisjeve digjitale. Studimet tregojnë se reduktimi i kohës para ekranit dhe shëtitjet, aktiviteti në natyrë ndihmon në parandalimin e miopisë (pamje e dobët nga larg). Prindërit, kujdestarët dhe edukatorët kanë një rol kyç në mbrojtjen e shikimit të fëmijëve.
- Përdorni pajisje mbrojtëse nëse punoni në ambiente apo sipërmarrje që paraqesin rrezikshmëri për sytë, si: ndërtim, laboratorë, përpunim druri, miniera, riparim makinash ose në sporte të ndryshme.
- Kryeni kontrolle të rregullta dhe periodike të syve. Kontrollet periodike të syve nuk shërbejnë vetëm për zbulimin e problemeve me shikimin. Ato shpesh zbulojnë shenja të hershme të Diabetit; Hipertensionit apo gjendjeve neurologjike.
- Konsumoni një dietë sa më të shëndetshme dhe të ekuilibruar – lloje të ndryshme frutash dhe perimesh, si: karrota, lakër jeshile, spinaq, vezë, peshk, etj.
- Kujdesuni për higjienën tuaj personale. Lani gjithmonë duart para se të prekni sytë, veçanërisht nëse po vendosni ose hiqni lentet e kontaktit.
- Shmangni duhanpirjen.
- Shmangni mbipeshën dhe obezitetin dhe kryeni aktivitet fizik rregullisht.
Kontaktoni me mjekun e Familjes ose mjekun Okulist për çdo shqetësim të syve që mund të keni!