Dita Botërore e Shëndetit, 7 Prill 2026

Dita Botërore e Shëndetit, e cila organizohet çdo vit më 7 prill, na kujton se shëndeti është një e drejtë themelore e njeriut dhe baza e zhvillimit të qëndrueshëm të çdo shoqërie. Që prej vitit 1950, kjo ditë ka shërbyer si një platformë globale për të ngritur zërin mbi sfidat më urgjente të shëndetit publik dhe për të mobilizuar qeveritë, profesionistët, komunitetet dhe qytetarët për veprime të përbashkëta. Fillimisht organizimi i kësaj dite u caktua më 22 korrik, por më pas u zhvendos më 7 prill, e cila përkon me datën themelimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke nxitur pjesëmarrje më të gjerë dhe duke shërbyer si një moment i rëndësishëm ndërgjegjësimi shoqëror.

Gjatë dekadave, temat e Ditës Botërore të Shëndetit kanë reflektuar prioritetet më të rëndësishme të kohës: nga malaria dhe tuberkulozi, te shëndeti mendor, siguria ushqimore, plakja dhe sëmundjet kronike. Fushata aktuale për 2026-tën vjen me një thirrje të fuqishme: “Së bashku për shëndetin – Besoni në shkencë!”. Tema në fjalë thekson rolin jetik të vendimmarrjes së bazuar në prova për të mbrojtur dhe përmirësuar shëndetin e njerëzve, kafshëve, bimëve, mjedisit dhe planetit – duke i kushtuar vëmendje të veçantë qasjses së njohur “One Health”.

Shkenca në shërbim të shëndetit global

Shëndeti i njerëzimit ka njohur përmirësime të jashtëzakonshme gjatë 100 viteve të fundit falë inovacioneve shkencore që kanë shpëtuar miliona jetë – nga vaksinat që kanë eliminuar sëmundje vdekjeprurëse, te uji i sigurt, higjiena, barnat, teknologjitë diagnostike dhe trajtuese etj.

OBSH-ja dhe partnerët e saj punojnë pa ndërprerje për të gjeneruar njohuri shkencore mbi prioritetet kryesore të shëndetit, të tilla si: ushqyerja e shëndetshme, sëmundjet infektive, sëmundjet kronike dhe shëndeti mendor. Përmes një rrjeti prej 800 qendrash bashkëpunuese në mbi 80 vende, OBSH-ja lidh shkencën me praktikën e përditshme, duke e kthyer kërkimin në veprim konkret për komunitetet.

Në vitin 2026, dy ngjarje madhore do të jenë në qendër të fushatës globale:

  • Samiti Ndërkombëtar “One Health”, 5–7 prill, i cili do të mbahet në Lyon të Francës, nën kujdesin e Presidencës Franceze të G7, me pjesëmarrjen e krerëve dhe liderve globalë, shkencëtarë dhe përfaqësues të komuniteteve. Ky samit synon të tregojë se si shkenca dhe angazhimi politik mund të hapin një rrugë të re për mbrojtjen e shëndetit të planetit.
  • Forumi Global i Qendrave Bashkëpunuese të OBSH-së, që zhvillohet në datat 7–9 prill, me pjesëmarrje të rreth 800 institucioneve shkencore nga mbi 80 vende të botës për të theksuar se si ky rrjet unik dhe i fuqishëm shkencor gjeneron ndikim në shëndet, që prek jetën e çdo personi. Në këtë forum global i është bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve dhe institucioneve që të ngrihen dhe të diskutojnë, të ndajnë përvojat e ndryshme se si faktet, provat dhe ndërhyrjet e bazuara në shkencë përmirësojnë shëndetin e tyre dhe të njerëzve që duan.

Këto dy ngjarje përfaqësojnë rrjetin më të madh shkencor të mbledhur ndonjëherë rreth një agjencie të Kombeve të Bashkuara, duke treguar se si shkenca dhe bashkëpunimi shumëpalësh mund të ndërtojnë një të ardhme më të shëndetshme dhe më të sigurt për të gjithë.

Pse duhet të besojmë në shkencë?

Shkenca funksionon kur punojmë së bashku. Ajo jep rezultate kur faktet, provat dhe bashkëpunimi kthehen në veprim. 

Disa fakte që flasin vetë:

  • Më shumë se 150 milionë jetë janë shpëtuar nga vaksinat që prej vitit 1974.
  • Vaksinat kundër malaries mund të shpëtojnë dhjetëra mijëra jetë fëmijësh çdo vit.
  • Pothuajse 59 milionë jetë janë shpëtuar nga vaksina kundër fruthit që prej vitit 2000.

Këto arritje janë dëshmi e fuqisë së shkencës dhe e rëndësisë së investimit të vazhdueshëm në kërkim, inovacion dhe sisteme të forta shëndetësore.

Mbulimi shëndetësor universal: një e drejtë, jo privilegj.

Dita Botërore e Shëndetit na kujton se aksesimi i kujdesit shëndetësor është një e drejtë themelore. Provat janë të qarta: vendet që investojnë në sisteme të aksesueshme të kujdesit shëndetësor bëjnë një investim të qëndrueshëm në kapitalin e tyre njerëzor. Aksesimi i kujdesit bazë dhe mbrojtja financiare:

  • Përmirësojnë shëndetin dhe jetëgjatësinë;
  • Mbrojnë vendet nga epidemitë;
  • Ulin varfërinë dhe urinë;
  • Krijojnë vende pune;
  • Nxisin rritjen ekonomike;
  • Përmirësojnë barazinë gjinore.

Megjithatë, miliona njerëz në botë ende nuk kanë akses në shërbime thelbësore shëndetësore, dhe shpenzimet nga xhepi vazhdojnë t’i shtyjnë familjet drejt varfërisë. Këto pabarazi kërkojnë veprim të menjëhershëm.

Thirrjet globale për veprim në vitin 2026

OBSH-ja ka përcaktuar katër thirrje të qarta për veprim:

  • Individët inkurajohen të zgjedhin provat, të besojnë në faktet dhe të mbështesin shëndetin e udhëhequr nga shkenca — për njerëzit, kafshët dhe planetin.
  • Qeveritë dhe institucionet të rrisin investimet në shkencë, të mbështesin rolin e OBSH-së dhe të integrojnë provat në vendimmarrjen për shëndetin, klimën, ushqimin dhe mjedisin.
  • Komuniteti shkencor dhe Qendrat Bashkëpunuese të bëjnë shkencën të aksesueshme dhe të shërbejnë si zëra të besueshëm për zgjidhje të bazuara në fakte.
  • Publiku ftohet të bëjë pyetje për shëndetin, të ndajë mënyrat dhe përvojën se si shkenca i adreson ato dhe të bashkohet në komunikimin global. 

Si mund të përfshihet shoqëria shqiptare?

Në Shqipëri, Dita Botërore e Shëndetit është një mundësi për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat tona, për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të angazhuar komunitetet në veprim.

  • Qytetarët mund të informohen, të ndajnë mesazhe ndërgjegjësuese dhe të promovojnë zgjedhje të shëndetshme.
  • Shkollat, komunitetet dhe institucionet publike e private mund të organizojnë aktivitete, diskutime dhe kontrolle shëndetësore.
  • Profesionalistët e shëndetit mund të advokojnë për praktikë të bazuar në evidencë mjekësore dhe të shpjegojnë rëndësinë e shkencës në kujdesin tonë shëndetësor.
  • Institucionet dhe politikëbërësit duhet të riafirmojnë angazhimin për mbulim shëndetësor universal dhe të investojnë në infrastrukturën shëndetësore.

Shkenca funksionon kur të gjithë punojmë së bashku dhe jep rezultate kur njohuritë kthehen në veprime – të gjithë ne së bashku kemi një rol në mbrojtjen e shëndetit.

Shkenca funksionon kur investojmë në mbrojtjen e shëndetin tonë.

Në ditën Botërore të Shëndetit, ISHP-ja thekson mesazhin  se shëndeti i mirë fillon me hapa të thjeshtë, por të qëndrueshëm. Programet kombëtare të depistimi i kancerit të gjirit dhe të kancerit të qafës së mitrës (testi HPV ) në Shqipëri po zbulojnë sëmundjet më herët dhe po shpëtojnë jetë. Programi kombëtar i vaksinimit falas kundër HPV-së po mbron vajzat shqiptare nga kanceri i qafës së mitrës. Zbatimi dhe monitorimi i programeve të vaksinimit të popullatës në Shqipëri kanë eliminuar sëmundje të rrezikshme dhe kanë mundësuar mbrojtjen e brezave të tërë.

Programet e parandalimit dhe monitorimit të sëmundjeve jo të transmetueshme të shoqëruara me programin kombëtar të kontrollit bazë mjekësor po ndihmojnë mijëra qytetarë të identifikojnë rreziqet shëndetësore dhe zbulimin e hershëm të një sërë sëmundjesh kronike. Depistimi i shikimit dhe shëndetit oral për nxënësit shkolla po siguron një brez më të shëndetshëm. 

Iniciativat strategjike për thellimin e partneritetit shkencor dhe forcimit të sistemeve të shëndetit publik të ndërmarra nga MSHMS-ja, investimet në infrastrukturë, në kapacitetet laboratorike dhe aparatura diagnostikuese moderne, synojnë çdo ditë e më shumë përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor në çdo rajon dhe qark të vendit tonë.

Në një botë që përballet me sfida të ndërlikuara — nga ndryshimet klimatike te sëmundjet infektive dhe ato kronike — sistemi jonë shëndetësor është gjithmonë e më shumë i angazhuar për ndërtimin e  institucioneve të forta shëndetësore, për vendimmarrje të bazuar në prova dhe ndërtimin e një shoqërie që beson te shkenca. Dita Botërore e Shëndetit 2026 është një mundësi për të forcuar këtë besim, për të rritur transparencën dhe për të ndërtuar një të ardhme më të shëndetshme për të gjithë.

Në ditën Botërore të Shëndetit, Instituti i Shëndetit Publik inkurajon të gjithë qytetarët që të ndjekin kalendarin e vaksinimit sipas rekomandimeve dhe gjithmonë të informohen vetëm nga burime të besueshme; të kryejnë kontrolle shëndetësore periodike dhe të vazhdueshme; të jenë pjesë aktive e programeve kombëtare të depistimit të cilat janë të arritshme për të gjithë dhe që ndihmojnë në zbulimin në kohë të sëmundjeve të cilat shpesh nuk shfaqin shenja klinike. 

ISHP-ja fton të gjithë qytetarët të bëjnë zgjedhje të  duhura, të informohen drejt dhe të kujdesen për veten duke marrë vendime të bazuara në fakte dhe prova për jetën dhe shëndetin e tyre. 

Së bashku për shëndetin – Besoni në Shkencë!