Në vitin 2009, Federata Ndërkombëtare e Sklerozës Multiple dhe anëtarët e saj iniciuan Ditën e Botërore të Sklerozës Multiple (MS), e cila kremtohet zyrtarisht më 30 maj. Kjo ditë bashkon institucionet shëndetësore, profesionistët e shëndetit dhe komunitetin global të MS-së për të rritur ndërgjegjësimin, për të ndarë historitë dhe për të mbështetur të gjithë ata individë që preken prej kësaj sëmundjeje.
Çfarë është Skleroza Multiple (MS)?
Skleroza e shumëfishtë (MS) është një sëmundje kronike autoimune dhe që ndodh kur sistemi imunitar gabimisht sulmon qelizat e shëndetshme. Tek njerëzit me MS, sistemi imunitar sulmon qelizat në mielin (mbështjellësin mbrojtës që rrethon nervat në tru dhe palcën kurrizore).
Dëmtimi i mbështjellësit të mielinës, me kalimin e kohës, dobëson komunikimin midis trurit dhe pjesëve të tjera të trupit duke dhënë simptoma që prekin trurin, palcën kurrizore dhe sytë.
Çfarë e shkakton Sklerozën Multiple (MS)?
Ekspertët ende nuk e dinë me siguri se çfarë e shkakton sklerozën multiple. Kërkimet shkencore janë në vazhdim. Vlerësohet se rreth se 2.8 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me MS
Faktorët e mundshëm që shkaktojnë MS përfshijnë:
• Ekspozimi ndaj disa viruseve ose baktereve – Disa kërkime shkencore sugjerojnë se ekspozimi ndaj infeksioneve të caktuara (si virusi Epstein-Barr) mund të shkaktojë MS në fazat e vonshme të jetës.
• Vendi ku jetoni – Mjedisi mund të luajë një rol në rrezikun tuaj për zhvillimin e MS. Disa zona të botës vlerësohet se kanë dukshëm një nivel më të lartë të sëmundjes se të tjerat. Zonat, të cilat janë më larg nga Ekuatori, kanë shkallë më të lartë të MS. Kjo mund të jetë për shkak se në këto rajone rrezet e diellit janë më pak intensive. Njerëzit që marrin më pak diell kanë nivele më të ulëta të vitaminës D; një faktor rreziku për zhvillimin e MS.
• Mutacionet e gjeneve – Të kesh një anëtar të familjes me MS rrit rrezikun e sëmundjes. Por është ende e paqartë saktësisht se si dhe cilat gjene luajnë një rol në nxitjen e sklerozës multiple.
• Mënyra si funksionon sistemi jonë imunitar – Skleroza multiple është një sëmundje autoimune. Studiuesit po punojnë për të kuptuar se çfarë i bën qelizat imune të disa njerëzve të sulmojnë gabimisht qelizat e shëndetshme.
Kush janë moshat më të riskuara?
Sëmundja fillon zakonisht nga mosha 20 deri në 40 vjeç, por evidencat mjekësore tregojnë se ka mjaft raste të shfaqjes para moshës 20-vjeçare, si dhe në moshat madhore.
Femrat zakonisht janë më të prekura nga kjo sëmundje, në raportin 2 me 1 krahasuar me meshkujt. Ky konstatim ka çuar në studime të thelluara në drejtim të diferencave të sistemit imun ndërmjet grave e burrave, ndryshimet gjenetike ose ekspozimet e ndryshme ambientale të të dy sekseve.
MS mund të shfaqet në disa forma, të lidhura me shenjat klinike dhe ecurinë e sëmundjes, duke përfshirë:
• Sindroma klinikisht e izoluar (CIS) – Kur dikush ka një episod të parë të simptomave të MS, mjekët shpesh e kategorizojnë atë si CIS. Jo të gjithë ata që kanë CIS vazhdojnë të zhvillojnë sklerozë multiple.
• MS rikthim-remision (RRMS) – Kjo është forma më e zakonshme e sklerozës multiple. Njerëzit me RRMS kanë shpërthime – të quajtura gjithashtu rikthim ose përkeqësim të simptomave dhe të ndjekura nga një periudhë e shkurtër ose e gjatë pa sulme klinike (remisione).
• MS primare progresive (PPMS) – Njerëzit e diagnostikuar me PPMS kanë simptoma që ngadalë dhe gradualisht përkeqësohen pa asnjë periudhë rikthimi ose lehtësimi.
• MS progresive sekondare (SPMS) – Në shumë raste, njerëzit e diagnostikuar fillimisht me RRMS, përfundimisht kalojnë në SPMS. Me sklerozën multiple sekondare progresive, ju vazhdoni të pësoni dëmtime nervore. Simptomat tuaja përkeqësohen në mënyrë progresive dhe zakonisht pa përsëritje ose remisione.
Cilat janë simptomat e Sklerozës Multiple?
Simptomat e sklerozës multiple mund të jenë të ndryshme nga personi në person. Ato mund të shfaqen dhe të zhduken ose të përkeqësohen me kalimin e kohës. MS-ja mund të prekë çdo pjesë të sistemit nervor qendror. Gjendjet shëndetësore të shkaktuara nga infeksione të tilla si infeksionet e traktit urinar ose ato respiratore, mund të përkeqësojnë simptomat (shenjat) e MS
Problemet e shikimit – të tilla si neuriti optik (turbullira dhe dhimbje në njërin sy) – janë shpesh një nga shenjat e para të sklerozës multiple. Simptoma të tjera të zakonshme përfshijnë:
• Vështirësi në ecje ose ruajtjen e ekuilibrit
• Vështirësi në të menduarit qartë
• Mpirje, ndjesi shpimi gjilpërash ose dobësi, veçanërisht në krahët dhe këmbët
• Ngurtësim të muskujve
• Depresion
• Ndjesi e madhe lodhjeje
Cilat janë ndërlikimet e Sklerozës Multiple?
Nëse MS përparon, përkeqësimi i simptomave mund të çojë në komplikacione, të tilla si:
• Vështirësi në ecje që mund të rezultojë në nevojën për bastun ose karrige me rrota.
• Humbje e kontrollit të zorrëve ose fshikëzës.
• Probleme me memorien.
• Probleme me funksionin seksual ose urinimin
Diagnostikimi i Sklerozës Multiple?
Shumë kushte dhe gjendje të tjera mjekësore mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme neurologjike. Përcaktimi i një diagnoze të saktë ndonjëherë është e vështirë.
Identifikimi dhe trajtimi i hershëm sipas protokolleve i MS-së, mund të ndihmojë në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes.
Nëse mjeku i familjes dyshon se mund të keni MS, do t’ju rekomandojë një konsultë më mjekun neurolog, i specializuar në trajtimin e kushteve simptomatike që ndikojnë në sistemin nervor, i cili përfshin trurin dhe palcën kurrizore.
Asnjë test nuk mund të japë një diagnozë përfundimtare të MS. Për të kuptuar se çfarë i shkakton simptomat, mjeku juaj do të bëjë ekzaminimin fizik – mund t’ju rekomandojë kryerjen e analizave të gjakut apo teste imazherike, të tilla si rezonanca magnetike (MRI).
Në raste të tjera, për të mbështetur diagnozën, mjekët mund të kërkojnë kryerjen e punksionit lumbar apo testin e potencialeve të evokuara që bazohet në kontrollin e funksioneve tuaja nervore duke matur aktivitetin elektrik në tru dhe palcën kurrizore.
Si trajtohet dhe menaxhohet Skleroza Multiple (MS)?
Aktualisht nuk ka kurë për MS. Trajtimi fokusohet në menaxhimin e shenjave klinike, reduktimin e rikthimeve (periudhave kur simptomat përkeqësohen) dhe ngadalësimin e përparimit të sëmundjes. Duke qenë se shenjat klinike të sklerozës multiple paraqiten të ndryshme nga personi në person, për pasojë edhe trajtimi mund të jetë i ndryshëm dhe që kryesisht varet nga faza e sëmundjes dhe simptomat.
Plani i trajtimit të simptomave të MS mund të përfshijë:
• Terapitë modifikuese të sëmundjes (DMT) – Disa medikamente ndihmojnë në reduktimin e rikthimeve (të quajtura edhe shpërthime ose sulme). Ato ngadalësojnë përparimin e sëmundjes. Dhe ato mund të parandalojnë formimin e lezioneve të reja në tru dhe palcën kurrizore.
• Medikamente për menaxhimin e rikthimit – Nëse keni një atak të rëndë, mjeku mund të rekomandojë medikamente kortikosteroide, të cilat zvogëlojnë shpejt inflamacionin me qëllim ngadalësimin e dëmtimit të mbështjellësit të mielinës që rrethon qelizat tuaja nervore.
• Rehabilitimin fizik – Skleroza multiple mund të ndikojë në funksionin tuaj fizik dhe të qenit aktiv ju ndihmon shumë të ruani lëvizshmërinë. Fizioterapia për pacientët me sklerozë multiple ofron një sërë përfitimesh, të tilla si: përmirësimin e funksioneve motorike, reduktimin e spazmave muskulare, lodhjes dhe dhimbjeve, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve.
Fizioterapia, që tashmë ofrohet në shumë qendra shëndetësore të kujdesit parësor të vendit tonë, ndikon jo vetëm në përmirësimin fizik, por edhe në shëndetin mendor të pacientëve.
• Këshillimin për shëndetin mendor – Përballja me një gjendje kronike mund të jetë emocionalisht sfiduese. Konsultimet me neuropsikiatrin, psikologët apo punonjësit socialë pranë institucioneve shëndetësore të kujdesit parësor do të ndikonin në mbështetjen tuaj emocionale, e cila konsiderohet si thelbësore në menaxhimin e kësaj sëmundjeje.
Si mund ta parandaloj një shpërthim të Sklerozës Multiple?
Terapitë modifikuese të sëmundjes janë mënyra më efektive për të reduktuar numrin e shpërthimeve (të quajtura edhe rikthime ose sulme) që përjetohen zakonisht nga pacientët me MS. Një stil jetese i shëndetshëm është gjithashtu i rëndësishëm. Zgjedhjet që bëni mund të ndihmojnë në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes dhe të përmirësojë cilësinë e jetës tuaj.
Ndryshimet e stilit të jetesës që mund të përmirësojnë gjendjen tuaj përfshijnë:
• Konsumimi i një diete të shëndetshme – Nuk ka një dietë magjike për MS. Ekspertët rekomandojnë një dietë të ekuilibruar që përfshin shumë fruta dhe perime, drithëra të plota, yndyrna të shëndetshme dhe proteina pa yndyrë. Ju gjithashtu, duhet të kufizoni marrjen e sheqernave të shtuara, yndyrave të pashëndetshme dhe ushqimeve të përpunuara.
Marrja e vitaminës D për mbajtjen e saj në vlerat normale, do të ishte një tjetër benefit në përmirësimin e gjendjes shëndetësore për pacientët me MS.
• Aktivitet të rregullt fizik të moderuar – Skleroza multiple mund të shkaktojë dobësi të muskujve, humbje të ekuilibrit dhe vështirësi në ecje. Ushtrimet aerobike, fleksibiliteti dhe trajnimi i forcës në vazhdimësi janë thelbësore për të ndihmuar në mbajtjen e muskujve aktivë dhe ruajtjen e funksionit fizik.
• Menaxhimi i stresit – Stresi mund të ketë pasoja fizike dhe emocionale. E rëndësishme është gjetja e mënyrave për ta menaxhuar atë – të tilla si: joga, meditimi, takimet e vazhdueshme me mjek të shëndetit mendor apo stafet multidisiplinare pranë QSH-re të kujdesit parësor.
• Shmangia e duhanpirjes dhe kufizimi i konsumit të alkoolit – Pirja e duhanit dhe alkoolit janë të lidhura me përkeqësimin e simptomave të MS dhe mund të përshpejtojnë përparimin e sëmundjes. Lënia e duhanit dhe kufizimi i konsumit të alkoolit ndikojnë pozitivisht në menaxhim më të mirë të sëmundjes duke përmirësuar shëndetin tuaj.
Trajtimi i sklerozës multiple – Nuk është vetëm një çështje e parandalimit të simptomave, por edhe përmirësimi i cilësisë së jetës për pacientët. Pacientët e moshës së tretë të prekur nga MS, shpeshherë përballen me humbje të funksionit fizik, përkeqësim të aftësive mendore dhe një ndjenjë të paaftësisë së përgjithshme; gjë që ndikon në mirëqenien e tyre. Për këtë kategori, përveç mundësive që ofron sistemi shëndetësor, e rëndësishme është që familjarët e tyre dhe kujdestarët, të përfshihen në mbështetjen e pacientit për të siguruar që ata të vijojnë një jetë sa më të pavarur dhe të qetë.
Cila është prognoza (perspektiva) për njerëzit me Sklerozë Multiple (MS)?
Në disa raste, skleroza multiple çon në paaftësi dhe humbje të disa funksioneve fizike ose mendore. Por falë përparimeve në trajtim, shumica e njerëzve me MS do të vazhdojnë të bëjnë jetë normale, aktive dhe produktive. Ndërmarrja e hapave për të menaxhuar shëndetin dhe stilin e jetës mund të ndihmojë në përmirësimin e rezultateve tuaja në një plan afatgjatë.