Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në punë 2026, ka si temë: “Të sigurojmë një mjedis pune të shëndetshëm psikosocial”.
Mjedisi psikosocial përcaktohet nga mënyra se si projektohet, organizohet dhe menaxhohet puna, si dhe nga praktikat organizative që formësojnë kushtet e përditshme të saj. Faktorët psikosocialë, siç janë: ngarkesa e punës, koha e punës, qartësia e roleve, autonomia, mbështetja dhe proceset e drejta dhe transparente ndikojnë fuqishëm në mënyrën se si përjetohet puna, si edhe në sigurinë, shëndetin dhe performancën e punonjësve.
Kur faktorët psikosocialë dëmtojnë punonjësit, bëhen rreziqe potenciale, të cilat së bashku me faktorët fizikë, kimikë dhe biologjikë duhet të adresohen dhe menaxhohen për të siguruar mjedise pune të sigurta dhe të shëndetshme.
Për shumë punonjës përgjigjja nuk qëndron vetëm në atë që bëjnë, por edhe në mënyrën se si është projektuar, organizuar dhe menaxhuar puna e tyre; si dhe në politikat, praktikat dhe procedurat më të gjera për mbarëvajtjen e procesit në tërësi. Puna duhet të ofrojë mbështetje dhe një qëllim.
Por kur kërkesat janë të tepërta, rolet janë të paqarta, mbështetja mungon ose sistemet dështojnë të mbrojnë njerëzit, rreziqet psikosociale mund të ndikojnë përveç të tjerash në performancën organizative dhe të mbartin kosto më të gjera sociale dhe ekonomike. Ndërsa puna vazhdon të evoluojë, sfida nuk është vetëm t’i përgjigjemi dëmit, por të nxisim mjedise pune më të shëndetshme përmes veprimeve parandaluese.