Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave

Dhun­a ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të përhapura dhe të vazhdueshme të të drejtave të njeriut në botë. Globalisht, pothuajse një në tre gra është përballur me dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim, dhunë seksuale nga jopartneri, ose të dyja, të paktën një herë në jetë.

Këtë vit, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, fokusohet në një fushë të veçantë: hapësirën digjitale.

Dhuna digjitale është në rritje: për shkak të mungesës së kuadrit rregullator, teknologjik, formave të reja dhe me zhvillim të shpejtë të abuzimit përmes inteligjencës artificiale, lëvizjeve që kundërshtojnë barazinë gjinore, anonimitetit të autorëve, mungesës së njohjes ligjore të këtij lloj agresioni në disa vende, që sjellë për pasojë  mosndëshkimin e platformave dhe mbështetjen e kufizuar për viktimat.

Dhuna ndaj grave në platformat online, synon të heshtë zërat e shumë grave, veçanërisht të atyre me prani të fortë publike dhe digjitale në fusha si politika, aktivizmi ose gazetaria.

Tema e këtij e viti, “BASHKOHU për t’i dhënë fund dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave”, synon të mobilizojë: qeveritë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë përmes ligjeve që e dënojnë këtë formë dhune; kompanitë e teknologjisë që të garantojnë sigurinë e platformave dhe të heqin përmbajtjet e dëmshme; donatorët për të siguruar financime për organizatat feministe për vazhdimin e punës dhe çrrënjosjen e kësaj dhune; njerëzit në përgjithësi, që të ngrenë zërin për të ndihmuar të mbijetuarat.

16 ditët e aktivizmit të sivjetëm  kundër dhunës, përkojnë me nisjen e fushatës UNiTE (25 nëntor – 10 dhjetor) — një iniciativë që përmbyllet në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut (10 dhjetor).

Dhuna digjitale përfshin:

Abuzimin me imazhe / shpërndarje, publikim të pamjeve ose materialeve  intime pa pëlqim.
Bullizmin, ndërveprime provokuese të organizuara dhe kërcënime online, ngacmime seksuale.
Deepfake (manipulime digjitale) të krijuara nga inteligjenca artificiale, si: imazhe seksuale, pornografi, imazhe, video dhe audio të ndryshme.
Gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin në platformat e rrjeteve sociale.
Doxxing – publikimi i informacionit privat.
Përndjekje ose survejim online për të monitoruar aktivitetet e dikujt.
Grooming (besueshmëria) online dhe shfrytëzim seksual.
Catfishing (identitet i rremë) dhe imitimi i dikujt tjetër.
Rrjete mizogjeniste – seksiste, paragjykuese ndaj grave, p.sh. “manosphere”, forumet  “incel” ose ekstremiste.

Këto akte nuk ndodhin vetëm verbalisht, online. Ato shpesh çojnë në dhunë në jetën reale, përfshirë detyrim, abuzim fizik dhe madje femicid – vrasjen e grave dhe vajzave. Dëmi është afatgjatë dhe mund t’i shoqërojë të mbijetuarat për periudha të gjata.

Ndikimi është edhe më i rëndë për gratë që përballen me forma të shumta diskriminimi, përfshirë racën, aftësinë e kufizuar, identitetin gjinor ose orientimin seksual.

A e dini?

38% e grave kanë përjetuar dhunë online dhe 85% kanë qenë dëshmitare të dhunës digjitale ndaj të tjerëve.
Keqinformimi dhe shpifja janë format më të përhapura të dhunës online ndaj grave.
90–95% e të gjitha “deepfake”-eve online janë imazhe pornografike pa pëlqim, dhe rreth 90% e tyre paraqesin gra.
73% e grave gazetare raportojnë se kanë përjetuar dhunë online.
Më pak se 40% e vendeve kanë ligje që mbrojnë gratë nga ngacmimi ose përndjekja kibernetike. Kjo i lë 44% të grave dhe vajzave në botë pa akses në mbrojtje ligjore.

Dhuna digjitale është dhunë e vërtetë. Nuk ka #AsnjëJustifikim për abuzimin online.

Bashkë mund t’ia dalim! Ti nuk je vetëm!