Dita Botërore e Parkinsonit shënohet çdo vit më 11 prill, në përkujtim të lindjes së Dr. James Parkinson, i cili përshkroi për herë të parë këtë sëmundje.
Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim neurodegjenerativ kronik që prek sistemin nervor dhe përkeqësohet gradualisht me kalimin e viteve. Ajo shkaktohet nga humbja e qelizave që prodhojnë dopaminë në tru, duke ndikuar kryesisht në kontrollin e lëvizjeve.
Shenjat dhe simptomat e para mund të jenë të lehta dhe shpesh kalojnë pa u vënë re. Në shumicën e rasteve, simptomat fillojnë në njërën anë të trupit dhe përfshijnë:
- dridhje,
- ngadalësim të lëvizjes,
- ngurtësi muskulore,
- çrregullime të ekuilibrit dhe qëndrimit,
- ndryshime në të folur dhe në shkrim.
Me përparimin e sëmundjes, këto simptoma mund të përkeqësohen dhe të ndikojnë në aktivitetet e përditshme.
Nuk ekziston një test specifik për diagnostikimin e sëmundjes së Parkinsonit. Diagnoza vendoset kryesisht nga mjeku neurolog, bazuar në historinë mjekësore, vlerësimin e simptomave dhe ekzaminimin neurologjik. Në disa raste, mund të përdoren edhe ekzaminime imazherike për të përjashtuar gjendje të tjera.
Megjithëse nuk ka një shërim përfundimtar, trajtimi me medikamente mund të ndihmojë në përmirësimin e dukshëm të simptomave, duke rritur ose zëvendësuar dopaminën në tru. Po ashtu, ndryshimet në stilin e jetesës dhe kujdesi i vazhdueshëm ndihmojnë në menaxhimin e sëmundjes.
Rritja e ndërgjegjësimit dhe njohja e hershme e simptomave janë thelbësore për diagnostikimin dhe trajtimin në kohë.