Takim për rolet dhe përgjegjësitë e aktorëve që merren me sigurimin, kontrollin dhe monitorimin e ujit të pijshëm

Në datën 29 korrik 2016, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim më Institutin e Shëndetit Publik organizuan “Takimin me aktorë përgjegjës për sigurimin, kontrollin dhe monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm”. Ky takim u realizua në kuadër të reformës për ujësjellës kanalizimet si dhe të fushatës kombëtare mbi masat për emergjencat e lidhura me ujin e pijshëm në Shqipëri. Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucione të ndryshme përgjegjëse për ujin e pijshëm në Shqipëri, si: përfaqësues nga shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve (UK), përfaqësues nga Drejtoritë e Shëndetit Publik, specialistë nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), nga pushteti lokal dhe nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH).

Takimin e hapi Zj. Lindita Sotiri, Këshilltare e Ministrit për çështjet e lidhura me ujin në MTI, e cila theksoi rëndësinë e  reformës të UK si dhe nevojën e bashkëpunimeve të vazhdueshme me institucionet e tjera me qëllimin final përmirësimin e cilësisë së ujit të pijshëm në Shqipëri. Ajo falënderoi Agjencinë Austriake për Zhvillim për gjithë mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë MTI për përmirësimin e situatës së ujësjellësve të Shqipëri. Në fjalën e tij përshëndetëse, Z. Heinz Habertheuer, drejtues i zyrës së Agjencisë Austriake për Bashkëpunim (ADA) në Shqipëri, prezantoi shkurtimisht misionin e ADA dhe ndërhyrjet që i ka dhënë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Zj. Areti Beruka, përfaqësuese e ISHSH theksoi rolin e rëndësishëm të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm në Shqipëri. Në emër të Institutit të Shëndetit Publik, takimin e përshëndeti nëndrejtori i këtij institucioni, Prof. Genc Burazeri, i cili falënderoi MTI për bashkëpunimin me ISHP si dhe shprehu nevojën për mbështetje të vazhdueshme nga ky institucion edhe në vitet në vazhdim për çështjet e lidhura me ujin e pijshëm.

Zj. Lindita Sotiri dhe Dr. Gentiana Qirjako prezantuan dokumentin: “Përgjegjësitë e aktorëve të ndryshëm në sigurimin, ruajtjen, kontrollin dhe monitorimin e cilësisë së ujit”. Qëllimi i këtij dokumenti ishte rritja e ndërgjegjësimit të aktorëve, mbi rolet dhe përgjegjësitë që ata kanë në sigurimin, ruajtjen, kontrollin dhe monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm në Shqipëri.

Në pjesën e dytë të takimit, Dr. Gentiana Qirjako, shefe e Departamentit të Promocionit Shëndetësor në ISHP prezantoi fushatën kombëtare për masat që duhen marrë për emergjencat e lidhura me ujin e pijshëm gjatë stinës së verës. Fushata u realizua në bashkëpunim me MTI dhe u drejtua nga specialistë të ISHP (specialistë nga Departamenti i Promocionit Shëndetësor; Departamenti i Kontrollit të Sëmundjeve Infektive dhe Departamenti i Shëndetit Mjedisor) dhe konsistoi në takime me aktorë të ndryshëm në nivel lokal.

Në pjesën e diskutimeve, të ftuar nga institucione të ndryshme ngritën probleme që lidheshin me bashkëpunimin midis institucioneve të ndryshme; probleme që lidheshin me sistemet e dobëta të UK në rrethe të caktuara si dhe probleme që lidheshin me nevojën e vazhdueshme që ka komuniteti për tu informuar për çështje të ujit të pijshëm.

Si përfundim, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e dokumentit të prezantuar dhe shprehën nevojën për organizimin e takimeve të tjera me aktorë nga institucione të ndryshme për të diskutuar dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta problemeve të lidhura me ujin e pijshëm në Shqipëri.

 


Fig 6 Fig 5 Fig 4 Fig 3 Fig 2 Fig 1Fig 7