10 Mars 2016, Dita Botërore e Veshkave

Loading Events
  • This event has passed.
Description

10 Mars 2016

Dita Botërore e Veshkave

Dita Botërore e Veshkave organizohet çdo vit, të enjten e dytë të muajit mars, dhe ka për mision të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e veshkave dhe shëndetin në përgjithësi, si dhe të reduktojë shpeshtësinë dhe ndikimin e sëmundjeve të veshkave dhe problemeve shëndetësore të lidhura me to në mbarë botën.

Objektivat e Ditës Botërore të Veshkave janë:

 

  • Rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me “veshkat tona të mahnitshme“, dhe evidentimi se diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut janë faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet kronike të veshkave (SKV).
  • Inkurajimi i depistimit sistematik të të gjithë pacientëve me diabet dhe hipertension për SKV-të.
  • Nxitja e sjelljeve parandaluese.
  • Edukimi i gjithë mjekëve profesionistë për rolin e tyre të rëndësishëm, kyç në zbulimin dhe reduktimin e rrezikut të SKV-ve, veçanërisht në popullsinë me rrezik të lartë.
  • Theksimi i rolit të rëndësishëm të autoriteteve shëndetësore lokale dhe kombëtare në kontrollin e epidemisë së SKV-ve. Autoritetet e shëndetësisë në mbarë botën do të duhet të merren me kostot e larta dhe në rritje, nëse nuk ndërmerren veprime për të trajtuar numrin në rritje të personave me SKV. Në Ditën Botërore të Veshkave, të gjitha qeveritë janë të inkurajuara të marrin masa dhe të investojnë më shumë në depistimin e sëmundjeve të veshkave.
  • Nëse zbulohen herët, sëmundjet kronike të veshkave mund të trajtohen duke zvogëluar komplikacionet e tjera dhe reduktuar në mënyrë drastike barrën e vdekjeve dhe paaftësinë nga sëmundjet kronike të veshkave dhe ato kardiovaskulare në mbarë botën.

 

Mesazhi i Ditës Botërore të Veshkave për vitin 2016 është:

Sëmundja e veshkave dhe fëmijët

Vepro herët për ta parandaluar atë!

 

Në Ditën Botërore të Veshkave është i rëndësishëm ndërgjegjësimi i mbarë popullatës për sëmundjet e veshkave të cilat prekin me miliona njerëz në mbarë botën, përfshirë këtu edhe fëmijët të cilët mund të jenë në rrezik për zhvillimin e sëmundjeve kronike të veshkave që në moshë të hershme. Prandaj është e rëndësishme që në këtë ditë ne të nxisim dhe të lehtësojmë edukimin dhe zbulimin e hershëm, si dhe një stil jete të shëndetshëm te fëmijët tanë, duke filluar që nga lindja, për të luftuar rritjen e sëmundjeve të parandalueshme të veshkave përfshirë këtu dëmtimet akute dhe sëmundjen kronike të veshkave, si dhe për të trajtuar fëmijët me çrregullime të lindura dhe të fituara të veshkave. Në këtë ditë le të bashkojmë forcat edhe njëherë për të informuar prindërit, kujdestarët e fëmijëve, pacientët e rinj, politikëbërësit dhe publikun e gjerë për rëndësinë e identifikimit dhe trajtimit të sëmundjeve të veshkave në fëmijëri, si dhe ndërgjegjësimin për rreziqet e zhvillimit të sëmundjeve kronike të veshkave në të ardhmen, kur problemet ndeshen që në fëmijëri.

 

Si ndikon sëmundja e veshkave te fëmijët?

Sëmundja e veshkave mund të ndikojë te fëmijët në mënyra të ndryshme, duke filluar nga çrregullimet e lehta pa pasoja afatgjata në shëndet deri në çrregullime të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve. Sëmundja akute e veshkave zhvillohet papritur, zgjat një kohë të shkurtër dhe mund të jetë serioze me pasoja afatgjata ose mund të zhduket plotësisht pas trajtimit. Sëmundjet kronike të veshkave nuk kalojnë pa trajtim dhe kanë tendencë të përkeqësohen me kalimin e kohës nëse nuk trajtohen. Sëmundjet kronike të veshkave çojnë në mosfunksionim të veshkave deri dhe në nevojën për një transplant të tyre.

Fëmijët me sëmundje kronike të veshkave apo mosfunksionim të tyre përballen me shumë probleme si:

  • Imazh negativ të vetvetes
  • Probleme në marrëdhëniet shoqërore
  • Probleme me sjelljen
  • Probleme me të mësuarin
  • Problem me përqendrimin
  • Zhvillim të vonuar të aftësive gjuhësore
  • Zhvillim të vonuar të aftësive motorike

Fëmijët me sëmundje kronike të veshkave mund të rriten me një ritëm më të ngadaltë sesa moshatarët e tyre, dhe inokntinenca e urinës (mosfunksionim i vezikës urinare) është një nga pasojat e zakonshme.

Çfarë janë veshkat dhe çfarë bëjnë ato?

Veshkat janë dy organe në formë fasuleje, secila me madhësinë e një grushti, dhe janë të vendosura poshtë kafazit të kraharorit në secilën anë të shtyllës kurrizore. Çdo ditë, të dyja veshkat filtrojnë rreth 120 deri 150 litra gjak për të prodhuar rreth 1 deri në 2 litra urinë, të përbërë nga mbeturinat dhe lëngje shtesë. Fëmijët prodhojnë më pak urinë sesa të rriturit, dhe sasia e prodhuar varet nga mosha e tyre. Veshkat punojnë gjatë gjithë kohës. Ureterët janë tuba të hollë, një në çdo anë të fshikëzës së urinës, që mbajnë urinën nga secila veshkë deri në fshikëz. Fshikëza e urinës e grumbullon atë derisa personi të gjejë kohën dhe vendin e duhur për të urinuar.

Cilat janë shkaqet e sëmundjes së veshkave te fëmijët

Sëmundja e veshkave te fëmijët mund të shkaktohet nga:

  • Defektet e lindjes
  • Sëmundjet e trashëguara
  • Infeksionet
  • Sindroma nefrotike
  • Trauma
  • Bllokimi ose refluksi i urinës

Nga lindja deri në moshën 4 vjeç, shkaqet kryesore të mosfunksionimit të veshkave janë defektet në lindje dhe sëmundjet e trashëguara. Midis moshës 5 deri 14 vjeç, mosfunksionimi i veshkave shkaktohet më shumë nga sëmundjet e trashëguara, sindroma nefrotike dhe sëmundjet sistemike. Midis moshës 15 deri 19 vjeç, sëmundjet që prekin glomerulat janë shkaku kryesor i mosfunksionimit të veshkave.

Si diagnostikohet sëmundja e veshkave te fëmijët?

Sëmundja e veshkave te fëmijët diagnostikohet nëpërmjet një vizite nga doktori, historia mjekësore e tij, si dhe nga simptomat dhe shenjat që ka fëmija. Për të konfirmuar diagnozën kryhen edhe disa analiza të tjera si: analiza të urinës dhe gjakut, biopsi të veshkës etj. Megjithatë, trajtimi i sëmundjes së veshkave te fëmijët do të varet nga shkaku i sëmundjes dhe fëmija duhet dërguar te specialisti.

Parandalimi: Dieta, ushqyerja dhe ushqimi

Për fëmijët me sëmundje kronike të veshkave ushqyerja është shumë e rëndësishme pasi ushqimi mund të ndikojë në funksionimin e veshkave të tyre. Prindërit të cilët kanë fëmijë që vuajnë me sëmundje kronike të veshkave, duhet të konsultohen gjithmonë me doktorin përpara se të bëjnë një ndryshim në ushqyerjen e fëmijës. Për të qenë të shëndetshëm, fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave, në dietën e tyre të përditshme duhet të kenë kujdes disa elementë si:

  • Proteinat. Fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave duhet të marrin proteina në sasitë e nevojshme për rritjen, pasi marrja e tepërt e tyre do ta avancojë sëmundjen deri në mosfunksionim të veshkave. Ushqimet që përmbajnë proteina janë: vezët, qumështi, djathi, pula, peshku, mishi i kuq, bishtajoret, kosi etj.
  • Natriumi. Sasia e natriumit që fëmijët kanë nevojë varet nga faza e sëmundjes së veshkës, mosha e tyre, dhe ndonjëherë edhe faktorë të tjerë. Ushqimet të cilat përmbajnë sasi të mëdha natriumi janë: ushqimet e konservuara, disa ushqime të ngrira, ushqimet e përpunuara, patatet e skuqura etj.
  • Kaliumi. Te fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave, kalimumi duhet të mbahet në nivele normale, pasi më pak ose më shumë kalium në organizmin e tyre mund të shkaktojë probleme në zemër dhe muskuj. Fëmijët nuk duhet të konsumojnë disa fruta apo zarzavate, ose duhet të pakësojnë vaktet dhe porcionet e ushqimit në mënyrë që mos të marrin kalium më shumë seç duhet. Frutat dhe zarzavatet që kanë pak kalium janë: molla, boronica, luleshtrydhet, lakra, lulelakra, brokoli etj. Frutat dhe zarzavatet të cilat kanë shumë kalium janë: portokalli, pjepri, kajsia, banania, patatja, domatja, spinaqi i gatuar etj.
  • Fosfori. Fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave duhet të ruajnë nivelin e fosforit në gjak, pasi nivele të larta të fosforit çojnë në thithjen e kalciumit nga kockat duke i bërë ato të dobëta dhe lehtësisht të thyeshme. Gjithashtu, nivele të larta të fosforit në gjak mund të japin kruarje të lëkurës dhe skuqje të syve. Fosfori gjendet në ushqimet me shumë proteina. Ushqimet që kanë nivele të ulëta të fosforit janë: bishtajat, kokoshkat, mishi i papërpunuar, orizi, drithërat, e bardha e vezës etj.
  • Lëngjet. Në fillimet e sëmundjes kronike veshka e fëmijës mund të prodhojë shumë ose pak urinë, e cila mund të çojë në dehidrim ose në ënjtje. Me përparimin e sëmundjes mund të nevojitet që fëmijët të pakësojnë nivelin e lëngjeve të marra. Sasia e likideve që fëmija duhet të marrë duhet të përcaktohet nga doktori specialist.

 

Start Date - End Date

Mar 10, 2016 - Mar 10, 2016

Start Time - End Time

12:00 am - 12:00 pm

Share This