2 Shkurt 2020/ Informacion i përditësuar për Koronavirusin

Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së e datës 2 shkurt 2020-të është si më poshtë:*

Në nivel global, janë raportuar në total 14564 raste të konfirmuara me 2019 nCoV –
Në Kinë: 305 vdekje
Në Europë: 21 raste te konfirmuara
22 shtete të përfshira

Vlerësimi i riskut dhe masat e marra në vendin tonë

Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar nga koronavirusi i ri.
Bazuar në informacionin e deritanishëm si dhe në mungesën e linjave ajrore direkte me Kinën, udhëtimin e shtetasve tanë atje dhe anasjelltas, rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët.

Pas mbledhjes së dytë të Task- Forcës së strukturave shëndetësore dhe ekspertëve janë forcuar masat për monitorimin dhe parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri. Eshtë rritur shkëmbimi i informacionit (dhe behet në kohë reale) mes strukturave të Ministrise së Shëndetësisë, si ISHP, ISHSH, QSUT dhe Spitali “Shefqet Ndroqi”. Mes ketyre strukturave ka një koordinim të masave bazuar mbi rekomandimet e OBSH.
Pas shpalljes së emergjencës globale nga OBSH dhe në zbatim të urdhrit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe portuale është përforcuar survejanca dhe janë ndërmarrë masa të shtuara higjieno-sanitare. Ministria e Shëndetësisë ka rritur këshillimin për qytetarët tanë, që të mos udhëtojnë drejt Kinës, nëse nuk e kanë të domosdoshme.
Instituti i Shëndetit Publik po vijon trajnimet me strukturat shëndetësore, me përfaqësues të QKUM dhe NjVKSH në vend mbi parapërgatitjen për masat e kontrollit të infeksionit 2019 – nCoV ( koronavirusi i ri).
Aktualisht Shqipëria ka një survejancë shumë të mirë të infeksioneve respiratore të rënda si dhe atyre akute në të gjithë vendin dhe sistemi i kapjes së hershme dhe njoftimit të hershëm është i mirëpërcaktuar dhe funksionon më së miri. ISHP ka një laborator të standardizuar në lidhje me vendosjen e diagnozës së koronaviruseve dhe infeksioneve virale dhe stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike.
Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme:
Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje,
të telefonojnë urgjencën kombëtare 127!Rekomandimet e OBSHParimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masat e mëposhtme:

– Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
– Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
– Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake ashtu edhe të egra).
– Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes  duhet të praktikojnë higjenën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës,  mbulimi me shami/letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larje e duarve).
– Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.