Më 1935 ngrihet Laboratori Kombëtar i Prodhimit të Vaksinës Anti-Rabike (kundër Tërbimit).
Më 1946 ngrihet Laboratori Qendror i Mikrobiologjisë Mjekësore.
Më 1954 ngrihet Laboratori Qendror i Higjenës Mjekësore.
Më 1969, mbi bazën e Laboratorit Qendror të Mikrobiologjisë Mjekësore dhe Laboratorit Qendror të Higjienës Mjekësore krijohet Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë – IHE (godina aktuale e Institutit të Shëndetit Publik – ISHP).
Më 1982 IHE emërtohet Instituti Kërkimor i Higjienës Epidemiologjisë dhe Prodhimeve Imunobiologjike – IKHEPI, për të përtheksuar kështu rolin thelbësor të tij si institucioni qendror (kombëtar) kërkimor-shkencor në fushën e profilaksisë, dmth mjekësisë parandaluese, që në fakt është thelbi i konceptit të shëndetit publik.
Drejtimet e aktivitetit kërkimor-studimor dhe trajnues të IKHEPI, të përcaktuara nga instancat politikë-bërëse, qenë:
higjiena
mikrobiologjia (në shërbim të epidemiologjisë)
epidemiologjia e sëmundjeve infektive
imunologjia e aplikuar (bioprodhimi), bashkërenduar me epidemiologjinë e sëmundjeve infektive
Këto drejtime, që në fakt pasqyronin emërtimin IKHEPI të Institutit, përbëjnë në thelb dy kahe:
1) studimet në fushën e Higjienës
2) studimet në fushën e Epidemiologjisë të sëmundjeve infektive, bashkërenduar me studimet e mirëfillta në
Mikrobiologji (bakteriologji, virologji, parazitologji, mykologji) dhe në Imunologjinë e Aplikuar apo Bioteknologji (bioteknologjia bakteriale, bioteknologjia virale).
Duhet theksuar, që ndërkohë IKHEPI përfaqësonte qendrën kombëtare të mjekësisë profilaktike jo vetem lidhur me kërkimin dhe formimin (mësimdhënien apo trajnimin), por edhe si qendra e referencës, ekspertizës, dhe ndërhyrjeve operative në bazë (në çdo rast nevoje apo emergjence), natyrisht në aspektet e lartpërmendura të aktivitetit të vet institucional.
Bazuar në drejtimet e mësipërme ka konsistuar edhe strukturograma e IKHEPI (pjesa kërkimore-shkencore-trajnuese e saj) në departamente, reparte, laboratore, dhe konkretisht:
Departamenti i Higjienës,
Departamenti i Epidemiologjisë,
Departamenti i Imunologjisë së Aplikuar (apo Produkteve Imunobiologjike), i lidhur ngushtësisht me atë të Epidemiologjisë,
Laboratori i Kontrollit të Biopreparateve Imunologjike.
Bazuar në ecurinë e aktivitetit të IKHEPI mund të përftohen a posteriori këto përfundime kryesore:
Studimet në Epidemiologjinë (dhe Imunologjinë) e Sëmundjeve Infektive kanë qenë bazuar vetëm në komunitet, aspak në individin-pacient. Rrjedhimisht ato kanë qenë dhe mbeten të tipit survejim ndërseksional epidemiologjik/seroepidemiologjik, e, si të tilla, ja kanë arritur qëllimit: dhënien e një panorame në ecuri në kohë të frekuencës së hasjes sipas triadës klasike person-vend-kohë.
Studimet në Mikrobiologji (bakteriologji, virologji, parazitologji, mykologji), si studime mikrobiologjike të mirëfillta, ja kanë arritur qëllimit: krijimi dhe pasurimi i një bazamenti shkencor në metodologjinë e diagnostikës laboratorike mikrobiologjike.
Studimet në fushën e Higjienës, pa dyshim me tepër vlerë, kanë qenë orientuar vetëm në kahen e përcaktimit cilësor e sasior të faktorëve risk mjedisorë (fizikë, kimikë-biokimikë), duke mos prekur sadopak kahen tjetër të së njejtës linjë – kahen e impaktit të tyre në shëndetin human. Dmth, studime vetëm mbi shkakun, duke lënë pa prekur studimet mbi rrjedhojën përkatëse.
Studimet në fushën e Epidemiologjisë, po ashtu pa dyshim për vlerën e tyre të pakontestueshme shkencore, kanë qenë përqendruar vetëm në drejtim të sëmundjeve infektive.
Formimi (trajnimi) në aspektin mësimdhënës ka konsistuar pikërisht në drejtimet e mësipërme.
Më 1994 IKHEPI emërtohet Instituti i Shëndetit Publik – ISHP, gjithmonë duke pasur të njejtin karakter kërkimor-shkencor.
Porse krijimi i ISHP mbi bazën e IKHEPI nuk do të përbënte aq një ndryshim emërtimi (forma) se sa një ndryshim të përmbajtjes (struktura). Lypsej një ristrukturim i Institutit, duke realizuar transformim të strukturës së vet tanimë të orientuar de jure në fushën e larmishme të shëndetit publik dhe në përshtatje të funksionit të tij tanimë si Institut i Shëndetit Publik. Struktura e ISHP duhej të pasqyronte në këtë mënyrë drejtimet thelbësore të aktivitetit të vet, që tanimë konsistonin në:
zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit në epidemiologjinë dhe diagnostikën laboratorike (mikrobiologjike) të sëmundjeve infektive;
zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit në impaktin e shumanëshëm të mjedisit (determinantëve risk mjedisorë) në shëndetin e popullatës/komunitetit;
zhvillimin e kërkimit në epidemiologjinë e sëmundjeve kronike (jo-infektive) dhe ate të kancerit;
zhvillimin e kërkimit në epidemiologjinë e shëndetit riprodhues;
zhvillimin e kërkimit në epidemiologjinë sociale;
zhvillimin e mëtejshëm të survejancës së shëndetit publik (survejancës epidemiologjike) në të gjitha aspektet e mësipërme;
zhvillimin e mëtejshëm të informacionit shëndetësor dhe indikatorëve të shëndetit në përkatësi me drejtimet thelbësore të mësipërme të shëndetit publik;
zhvillimin e studimit në politikat shëndetësore.
Konceptimi i strukturës dhe funksioneve të ISHP, në këndvështrimin e zhvillimit në ecuri të tij konform drejtimeve thelbësore të mësipërme, u realizua (06-15/08/994) në bashkëpunim me një mision teknik ndërkombëtar të dërguar për këtë qëllim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar – FMN dhe i përbërë nga përfaqësues të FMN, Organizatës Botërore të Shëndetësise – OBSH (Zyra Rajonale për Europën), Universitetit të Montrealit, (Montreal, Kanada), Institutit të Lartë të Shëndetit (Istituto Superiore di Sanità), (Romë, Itali), dhe Shkollës Politeknike Federale të Zvicrës, (Lozanë, Zvicër).
Pergatiti
Prof. Dr. Eduard KAKARRIQI