19 Nëntor 2021 Dita Botërore e Parandalimit të Abuzimit ndaj Fëmijëve
- This event has passed.
Description
19 Nëntor 2021
Dita Botërore e Parandalimit të Abuzimit ndaj Fëmijëve
Në vitin 2000, u shpall 19 nëntori si Dita Botërore për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijëve. Dhuna ndaj fëmijëve përfshin të gjitha format e dhunës kundër personave nën moshën 18 vjeç, të kryera nga prindërit ose kujdestarët, kolegët, partneri intim ose të huajt.
Çfarë është abuzimi i fëmijëve?
Është veprimi ose dështimi (neglizhencë) i një të rrituri për të ndërmarrë qëndrimet e duhura, duke rezultuar në abuzim fizik, seksual, emocional.
Abuzimi emocional është një nga format më të zakonshme dhe të dëmshme të keqtrajtimit të fëmijëve me pasoja afatgjata – duke ndikuar në aftësinë e fëmijëve për t’u ndierë të sigurt dhe të dashur, në mënyrën se si ata lidhen me të tjerët dhe në vetëvlerësimin e tyre.
Kjo formë abuzimi përfshin:
Tallja (vënia në lojë) e një fëmije
Fajësimi për gjithçka
Përdorimi i fjalëve të ashpra, demotivuese
Përdorimi i frikës për të kontrolluar sjelljen
Përse ndodh abuzimi i fëmijëve?
Ka shumë arsye dhe faktorë që i bëjnë të rriturit të sillen kësisoj. Prindërit mund të jenë plotësisht të pavetëdijshëm për agresivitetin e forcës që përdorin kur godasin një fëmijë. Një arsye tjetër është mungesa e njohurive për metodat alternative pozitive (empatike) që rezulton në përdorimin e shpeshtë të disiplinës së papërshtatshme dhe të ashpër, si ndëshkimi fizik.
Faktorë shtesë që kontribuojnë në abuzimin e fëmijëve përfshijnë:
Prindi është abuzuar si fëmijë dhe po vazhdon ciklin
Mungesa e aftësive të prindërimit
Vështirësi për të kontrolluar dhe menaxhuar ndjenjat e zemërimit dhe stresin
Kriza të shpeshta familjare
Abuzimi me drogën ose alkoolin
Prindërit kërkojnë më të mirën për fëmijët e tyre dhe nuk duan t’i lëndojnë ata. Por disa përfundojnë duke i keqtrajtuar për shkak të mungesës së njohurive dhe strategjive për t’i disiplinuar dhe për t’iu përgjigjur aftësive dhe sjelljeve të vështira të fëmijëve në mënyra të përshtatshme për moshën.
Për të parandaluar fenomenin e abuzimit dhe pasojat e tij në jetën e fëmijëve, i rëndësishëm është ndërgjegjësimi i familjeve. Fëmijët që janë të ekspozuar ndaj dhunës në fillim të jetës kanë më shumë gjasa të bëhen abuzues më vonë, të kenë probleme shëndetësore, të jenë në depresion, të kenë vetëvlerësim të ulët dhe të dështojnë në shkollë. Prindërit që keqtrajtojnë fëmijët e tyre mund të kenë nevojë për ndihmë nga një burim i jashtëm, si p.sh. një program edukimi prindëror, një psikolog etj.
Parandalimi i keqtrajtimit të fëmijëve.
Dekada kërkimore kanë treguar se prindërimi efektiv është mënyra më e fuqishme për të parandaluar problemet e sjelljes në vitet e adoleshencës (Kumpfer & Alvarado, AP, 2003). Ne e dimë gjithashtu, se vitet e hershme janë një periudhë kritike në jetën e çdo fëmije, kur mësojnë aftësitë themelore ndërpersonale, zgjidhjen e problemeve dhe vetëkontrollin. Është një kohë e rëndësishme që familjet të kuptojnë se si t’ua mësojnë fëmijëve sjelljet pozitive dhe aftësitë e nevojshme për t’u marrë vesh me të tjerët.
Fëmijët mësojnë duke imituar dhe vëzhguar më të rriturit; ndjekja e shembullit të tyre konsiderohet një nga mënyrat kryesore të mësimdhënies. Në këtë kontekst, kontrolli i stresit dhe zemërimit nga të rriturit, në mënyrë jo të dhunshme, është modeli më i mirë i sjelljes që iu përcjellim fëmijëve të vegjël.