Dita Botërore e Veshkave – Veshka të shëndetshme për të gjithë…
Përgatitja për të papriturat, mbështetja e më të prekurve, më të pambrojturve!

 

Impakti i rëndësishëm i ngjarjeve katastrofike, qofshin ato në nivel lokal (tërmete, përmbytje, luftë, mot ekstrem) ose në nivel botëror (pandemia e COVID-19), ndikon në funksionimin dhe në kushtet e jetesës së komunitetit në tërësi, duke çuar në një ose më shumë nga pasojat, si: humbjet në njerëz, materiale, ekonomi dhe mjedis. Personat që vuajnë nga sëmundjet kronike, nga të cilët pacientët me probleme në veshka përfaqësojnë më shumë se 850 milionë njerëz në mbarë botën, janë veçanërisht të prekur nga këto ngjarje, pasi aftësia për të aksesuar shërbimet, trajtimet dhe kujdesin e duhur diagnostikues është shumë e rrezikuar.  Sëmundjet jo të transmetueshme (NCD) ku përfshihen: sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, kanceri, hipertensioni, sëmundjet kronike të mushkërive dhe sëmundjet kronike të veshkave (CKD), njihen si shkaktarët kryesorë të vdekjeve dhe të paaftësisë në mbarë botën – në mënyrë të theksuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Në rast emergjencash ky grup i komunitetit është ndër më të cënuarit, për shkak të kërkesave për kujdes shëndetësor të vazhdueshëm dhe të koordinuar – kujdes, i cili shpesh është i përjetshëm dhe përfshin trajtim kompleks e të vazhdueshëm. Vitet e fundit, pandemia COVID-19 tregoi një shembull të qartë të sfidave me të cilat përballen sistemet e kujdesit shëndetësor në ofrimin e shërbimeve kryesore përkatëse për pacientët me NCD. Ndikimi i COVID-19 në sistemin shëndetësor ka rritur vështirësinë mbi këtë popullatë vulnerabile, të cilëve u është dashur të përballen me rrezikun e infektimit gjatë vizitës në shërbimet shëndetësore ose edhe me pezullimin/anullimin e kujdesit (për pacientët jo-COVID-19), për shkak të kufizimit apo mungesës së kapaciteteve të shërbimit shëndetësor dhe politikave të bllokimit. Shërbimet shëndetësore kanë luftuar për të siguruar akses në incidencën e vazhdueshme të rasteve të reja me NCD që kanë nevojë për diagnozë, menaxhim dhe kujdes të specializuar. Mospatja e një kure apo trajtimi aktual për të parandaluar përparimin e CKD-së drejt insuficiencës së veshkave, me siguri do të rrisë nevojën në nivel botëror për trajtime të kushtueshme që shpëtojnë jetë, pra të dializës dhe transplantit. Së fundmi, pandemia e COVID-19 përkeqësoi edhe më tej angazhimin e pamjaftueshëm politik në nivel botëror për NCD. Shpesh NCD-të perceptohen gabimisht si rrjedhojë e zgjedhjeve të dobëta të stilit të jetesës, me deficite të politikave të shoqëruara nga ndarje të pamjaftueshme të fondeve për shëndetin publik që fokusohen më shumë në menaxhim sesa në parandalim, dhe vetëm për disa prej NCD-ve të njohura – sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, diabeti dhe sëmundje kronike të frymëmarrjes. Megjithatë, është vlerësuar se 55% e barrës globale të NCD-ve i atribuohet sëmundjeve jashtë këtij grupi, siç janë sëmundjet e veshkave. Për më tepër, barra e këtyre katër NCD-ve më të favorizuara përforcohet në prani të sëmundjes së veshkave, që shpesh bashkekzistojnë. Ka nevojë urgjente për politika të shëndetit publik që pasqyrojnë më mirë mundësitë në strategjitë parandaluese dhe rëndësinë si të madhësisë dhe të aspekteve sinergjike të sëmundjes së veshkave, si pjesë e barrës së NCD-ve.

  • Prandaj, përgatitja për ngjarje të papritura është tepër e rëndësishme për pacientët me sëmundje të veshkave. Politikëbërësit duhet të miratojnë strategji të integruara shëndetësore që kanë prioritet parandalimin, zbulimin e hershëm dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike, përfshirë
    sëmundjen e veshkave.
  • Në kohë emergjence shërbimet e kujdesit shëndetësor duhet të ofrojnë akses të barabartë dhe të duhur në kujdesin për pacientët kronikë.
  • Qeveritë duhet të përfshijnë plane gatishmërie për emergjencat në menaxhimin dhe zbulimin e NCD-ve dhe të favorizojnë parandalimin e këtyre kushteve.
  • Pacientët duhet të planifikojnë për emergjencat duke përgatitur një kit urgjence që përfshin ushqim, ujë, furnizime mjekësore dhe dokumente mjekësore.

Çfarë mund të bëni për veshkat tuaja?
Sëmundjet e veshkave janë vrasës të heshtur, të cilat mund të ndikojnë shumë në cilësinë e jetës suaj. Ka disa mënyra për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të veshkave.

Qëndroni në formë, jini aktiv
Kjo mund të ndihmojë për të mbajtur një peshë trupore ideale, për të reduktuar presionin e gjakut dhe rrezikun e sëmundjes kronike të veshkave. Koncepti “Në lëvizje për shëndetin e veshkave” është një marshim kolektiv mbarëbotëror që përfshin publikun, të famshëm dhe profesionistë që lëvizin nëpër një zonë publike duke ecur, vrapuar dhe çiklizëm. Pse të mos bashkoheni me ta – me çfarëdo mjeti që preferoni!

Konsumoni një dietë të shëndetshme
Kjo mund të ndihmojë për të mbajtur një peshë ideale trupore, për të ulur presionin e gjakut, për të parandaluar diabetin, sëmundjet e zemrës dhe gjendjet e tjera që lidhen me sëmundjen kronike të veshkave. Pakësoni marrjen e kripës. Marrja e rekomanduar e natriumit është 5-6 gram kripë në ditë. Kjo përfshin kripën që ndodhet në ushqimet tuaja. (rreth një lugë çaji). Për të reduktuar marrjen e kripës, përpiquni të kufizoni sasinë e ushqimit të përpunuar dhe atij të restorantit dhe mos shtoni kripë në ushqim. Do të jetë më e lehtë të kontrolloni marrjen e kripës nëse e përgatisni vetë ushqimin me përbërës të freskët.

Kontrolloni dhe mbajeni në kontroll niveli e sheqerin në gjak
Rreth gjysma e njerëzve që kanë diabet nuk e dinë që kanë diabet. Prandaj, duhet të kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak si pjesë e kontrollit të përgjithshëm të trupit (check up). Kjo është e rëndësishme sidomos për ata që po i afrohen moshës së mesme ose më të madhe. Rreth gjysma e
njerëzve që kanë diabet zhvillojnë dëmtime të veshkave; por nëse diabeti kontrollohet mirë kjo mund të parandalohet/kufizohet. Kontrolloni rregullisht funksionin e veshkave me analizate gjakut dhe të urinës.

Kontrolloni dhe mbajeni nën kontrollon presionin e gjakut
Rreth gjysma e njerëzve që kanë presion të lartë të gjakut nuk e dinë se kanë presion të lartë të gjakut. Prandaj, duhet të kontrolloni presionin e gjakut si pjesë e kontrollit të përgjithshëm të trupit. Kjo është e rëndësishme sidomos për ata që po i afrohen moshës së mesme ose moshës më të madhe. Presioni i lartë i gjakut mund të dëmtojë veshkat tuaja. Kjo është e mundshme sidomos kur shoqërohet me faktorë të tjerë si diabeti, niveli i lartë i kolesterolit në gjak dhe sëmundjet kardio-vaskulare. Rreziku mund të reduktohet me kontroll të mirë të presionit të gjakut. Tek të rriturit niveli normal i presionit të gjakut është 120/80. Hipertensioni diagnostikohet nëse, kur matet në dy ditë të ndryshme, leximet e presionit të gjakut sistolik në të dyja ditët janë ≥140 mmHg dhe/ose leximet e presionit diastolik të gjakut në të dyja ditët janë ≥90 mmHg (OBSH). Nëse presioni juaj i gjakut është vazhdimisht i ngritur mbi kufirin normal (veçanërisht nëse jeni i ri), duhet të konsultoheni me mjekun tuaj për të diskutuar rreziqet, nevojën për modifikimin e stilit të jetesës dhe trajtimin me medikamente.

Merrni sasinë e duhur të lëngjeve
Për çdo individ niveli i duhur i marrjes së lëngjeve varet nga shumë faktorë duke përfshirë aktivitetin fizik, klimën, kushtet shëndetësore, shtatzëninë dhe ushqyerjen me gji. Normalisht për një person të shëndetshëm dhe në kushte klimaterike të mira rekomandohet të konsumojnë 8 filxhanë ose afërsisht 2 litra (litra) lëngje në ditë. Në kushte jo të mira klimaterike sasia e lëngjeve duhet të rregullohet nga vetë individi. Gjithashtu marrja e lëngjeve mund të duhet të rregullohet nëse keni sëmundje të veshkave, zemrës ose mëlçisë. Konsultohuni me mjekun tuaj për marrjen e duhur të lëngjeve sipas gjendjen tuaj.

Mos pini duhan
Pirja e duhanit ngadalëson rrjedhjen e gjakut në veshka. Kur në veshka shkon më pak gjak, kjo gjë mund të ulë aftësinë e tyre për të funksionuar normalisht. Pirja e duhanit gjithashtu rrit rrezikun e kancerit të veshkave me rreth 50 për qind.

Mos merrni rregullisht medikamente anti-inflamatore/pa recetë kundër dhimbjeve
Medikamentet e zakonshme anti-inflamatore jo-steroide apo qetësuesit e dhimbjeve (p.sh. barnat si ibuprofeni) mund të dëmtojnë veshkat nëse merren shpesh. Nëse keni sëmundje të veshkave ose funksion të zvogëluar të veshkave, marrja e vetëm disa
dozave mund të dëmtojë veshkat tuaja. Nëse keni dyshime, konsultohuni me mjekun tuaj.

Kontrolloni funksionin e veshkave nëse keni një ose më shumë nga faktorët “me rrezik të larte”.

  • keni diabet
  • keni hipertension
  • jeni obez
  • keni një histori familjare të sëmundjes së veshkave

 

Si është lidhja e sëmundjes së veshkave me sëmundjet e tjera?

  • Hipertensioni dhe sëmundja e veshkave

Lidhja midis hipertensionit dhe sëmundjes së veshkave
Hipertensioni mund të shkaktojë sëmundje të veshkave dhe në shumë vende të botës është një nga shkaktarët kryesor të insuficiencës së veshkave. Presioni i lartë i gjakut mund të dëmtojë enët e gjakut në veshka, duke reduktuar aftësinë e tyre për të funksionuar siç duhet. Nëse enët e gjakut në veshka dëmtohen, ato mund të ndalojnë largimin e mbeturinave dhe lëngjeve shtesë nga trupi. Patja e lëngjeve shtesë në enët e gjakut mund të rrisë edhe më shumë presionin e gjakut, duke krijuar një cikël të rrezikshëm. Por sëmundja e veshkave gjithashtu mund të shkaktojë presion të lartë të gjakut dhe kur kjondodh presioni i lartë i gjakut bën që veshkat të përkeqësohen më shpejt. Përafërsisht 9 nga 10 persona me CKD në fazën nga 3-5 kanë presion të lartë të gjakut. Hipertensioni konsiderohet të jetë shkaku kryesor i CKD.

Cilat janë simptomat e presionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve të veshkave?
Hipertensioni nuk ka simptoma fillestare, por mund të çojë në sëmundje dhe komplikacione afatgjata, duke përfshirë dëmtimin e zemrës, syve dhe veshkave. Dëmi mund të ndodhë gradualisht gjatë shumë viteve, pa e ndjerë atë. Në disa raste të hipertensionit, pacientët mund të kenë dhimbje koke.Sëmundja e veshkave gjithashtu nuk ka simptoma në fazat e hershme. Presioni i lartë i gjakut diagnostikohet përmes një sërë matjesh të kryera me aparatin e presionit të gjakut. Diagnostikohesh me hipertensionit nëse presioni i gjakut është vazhdimisht mbi vlerat 140/90mmHg.Sëmundja e veshkave diagnostikohet me kontrolle të urinës dhe gjakut.

A mund të parandalohen apo ngadalësohen hipertensioni dhe sëmundjet e veshkave?
Marrja e hapave për të ulur presionin e gjakut do të ndihmojë në ngadalësimin ose parandalimin e sëmundjeve të veshkave. Presioni i gjakut mund të kontrollohet me medikamente, si dhe me një ndryshim të thjeshtë të stilit të jetesës.
Ndryshimet e stilit të jetesës përfshijnë:

  • Ushqimi i shëndetshëm – adoptoni një dietë për të ndaluar hipertensionin që:
  • Përmban ushqime me pak yndyrë dhe kolesterol
  • Përmban qumësht dhe produkte qumështi pa yndyrë ose me pak yndyrë, peshk, shpendë dhe arra
  • Sugjeron më pak mish të kuq, ëmbëlsira, sheqerna të shtuar dhe pije me sheqer
  • Është i pasur me lëndë ushqyese, proteina dhe fibra
  • Aktivitet fizik
  • Mbajtja/ruajtja e një peshe të shëndetshme
  • Lënia e duhanit
  • Menaxhimi i stresit

Kontrolli i presionit të gjakut me ilaçe dhe ndryshime të stilit të jetesës ndihmon në mbrojtjen e veshkave nga dëmtimet e mëtejshme. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që njerëzit që kanë presion të lartë të gjakut të testohen për sëmundje të veshkave.

  • Diabeti dhe sëmundja e veshkave

Çfarë është diabeti?
Diabeti është shkaktari kryesor i insuficiencës së veshkave. Në shumë vende, gjysma e të gjithë njerëzve që fillojnë dializën kanë insuficiencë të veshkave të shkaktuar nga diabeti.

Çfarë është sëmundja e veshkave diabetike?
Sëmundja kronike e veshkave e shkaktuar nga diabeti quhet nefropatia diabetike, (sëmundja diabetike e veshkave). Nëse keni diabet, keni nivele të larta të glukozës (sheqer) në gjakun tuaj. Glukoza e tepërt në gjakun për një kohë të gjatë mund të dëmtojë shumë pjesë të trupit, duke përfshirë zemrën dhe veshkat. Shumë njerëz me diabet zhvillojnë gjithashtu presion të lartë të gjakut. Presioni i lartë i gjakut dhe diabeti konsiderohen si shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të veshkave. Niveli i lartë i sheqerit në gjak, kur diabeti është i pakontrolluar, dëmton enët e vogla të gjakut në veshka dhe ndryshon filtrimin nga veshkat. Në shumicën e rasteve, sëmundja e veshkave diabetike nuk manifestohet me asnjë simptomë. Mënyra e vetme për ta diagnostikuar është kryerja e analizave (gjak dhe urinë). Shenja e parë e këtij dëmtimi është gjetja e albuminës në urinë. Nëse ka albuminë në urinë, nevojitet edhe një test gjaku për të kontrolluar funksionin e veshkave (eGFR).

Kush është në rrezik më të lartë të sëmundjes së veshkave diabetike?
Ju jeni në rrezik më të lartë nëse:

  • keni patur diabet për një kohë të gjatë
  • keni diabet dhe niveli i sheqerit në gjak është shumë i lartë
  • keni diabet dhe presioni i gjakut është shumë i lartë
  • keni diabet dhe pini duhan
  • vuni nga diabeti dhe konsumoni ushqime të pasura me kripë
  • nuk jenifizikisht aktiv
  • jeni në mbipeshë
  • keni sëmundje të zemrës
  • keni një histori familjare me insuficiencë të veshkave

Ju duhet të testoheni çdo vit për sëmundje të veshkave nëse keni:
1. diabet të tipit 2
2. diabet të tipit 1 për më shumë se 5 vjet
Si mund t’i mbani veshkat tuaja të shëndetshme nëse vuani nga diabeti?
Mënyra më e mirë për të ngadalësuar ose parandaluar sëmundjen e veshkave të lidhura me diabetin është të përpiqeni të arrini vlerat e duhura të nivelit të glukozës në gjak dhe të presionit të gjakut. Një stili jete i shëndetshëm dhe marrja e rregullt e medikamenteve sipas recetës mundm t’ju ndihmojë të arrini këto vlera dhe të përmirësoni shëndetin tuaj në përgjithësi.

  • Arrini vlerat tuaja të glukozës në gjak

Bëni një test të hemoglobinës së glukozuar në gjak për të parë nivelin tuaj mesatar të glukozës në gjak gjatë 3 muajve të fundit. Sa më e lartë të jetë vlera e saj, aq të larta kanë qenë nivelet e glukozës në gjak gjatë 3 muajve të fundit. Objektivi i vlerave të hemoglobinës së glukozuar për shumë njerëz me diabet është nën 7 përqind.

  • Kontrolloni presionin e gjakut

Presioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë atak në zemër, goditje në tru dhe sëmundje të veshkave.Objektivi i presionit të gjakut për shumicën e njerëzve me diabet është nën vlerat 140/90 mmHg. Medikamentet që ulin presionin e gjakut mund të ndihmojnë gjithashtu në ngadalësimin e dëmtimit të veshkave.

  • Zhvilloni ose mbani zakone të shëndetshme të jetesës

Mbajtja e një stili jete të shëndetshëm mund t’ju ndihmojë të arrini qëllimet tuaja të vlerave të glukozës në gjak dhe të presionit të gjakut. Ndjekja e
hapave të mëposhtëm gjithashtu do t'ju ndihmojë të mbani veshkat tuaja të shëndetshme:
o Punoni me një dietolog për të hartuar një plan ushqimi për diabetin dhe
për të kufizuar kripën dhe natriumin
o Ndaloni duhanin
o Bëjeni aktivitetin fizik pjesë të rutinës suaj.
o Qëndroni ose arrini në një peshë të shëndetshme.
o Flini mjaftueshëm gjumë. Synoni për 7 deri në 8 orë gjumë çdo natë.
o Merrni medikamentet sipas recetës

Për të gjitha medikamentet që merrniflisni me mjekun tuaj të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë edhe medikamentet pa recetë. Shumë medikamente pa recetë për dhimbje koke, ftohje ose temperaturë janë barna anti-inflamatore josteroidale (NSAID) dhe mund të jenë të dëmshme për veshkat.

  • Sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundja e veshkave

Lidhjet midis sëmundjes së veshkave dhe sëmundjeve kardiovaskulare
Shumica e organeve të trupit tonë kanë lidhje të forta dhe ndërvarësi me njëra tjetrën. Zemra dhe veshkat nuk bëjnë përjashtim. Ekziston një lidhje e fortë midis sëmundjeve të veshkave dhe sëmundjeve kardiovaskulare (të zemrës dhe enëve të gjakut). Njerëzit që vuajnë nga CKDpër shkak të ndryshimeve në qarkullimin e gjakut të shkaktuar nga sëmundjet e veshkavekanë një rrezik në rritje për goditje në tru ose atak në zemër në një moshë të re.

Çfarë është sëmundja e zemrës?
Sëmundjet e zemrës përfshijnë çdo problem që e pengon zemrën tuaj të pompojë gjak ashtu sic duhet. Problemi mund të fillojë në enët e gjakut ose në zemrën tuaj. Problemet e zemrës dhe enëve të gjakut përfshijnë:

  • akumulimi i pllakave të yndyrës (aterosklerotike) në muret e enëve të gjakut
  • një mpiksje gjaku që bllokon rrjedhjen e gjakut në zemër
  • atak në zemër—dëmtimi i zemrës i shkaktuar nga mungesa e gjakut dhe oksigjenit në zemër

Kush sëmuret nga zemra dhe veshkat?
Ju keni më shumë gjasa të vuani/zhvilloni sëmundje të zemrës nëse keni:

  • Diabet
  • Presion të lartë të gjakut
  • Sëmundje të veshkave
  • Nivel të lartë të kolesterolit në gjak
  • Një histori familjare të sëmundjeve të hershme të zemrës
  • dhe nëse ju: pini duhan; jeni mbipeshë; nuk kryeni aktivitet fizik, jeni një burrë i moshës 45+; jeni një grua e moshës 55+

Si lidhen sëmundja e veshkave dhe ajo e zemrës?
Zemra dhe veshkat janë të lidhura dhe të varura nga njëra-tjetra. Dhe sëmundjet e zemrës dhe veshkat ndajnë një sërë faktorësh të njëjtë rreziku, përfshirë:

Diabetin
Nëse keni diabet, ju keni nivele të larta të glukozës në gjak, të quajtur edhe sheqer. Glukoza e tepërt në gjakun tuaj për një kohë të gjatë mund të dëmtojë shumë pjesë të trupit, duke përfshirë zemrën dhe veshkat tuaja.

Hipertensioni
Presioni i gjakut është forca e gjakut që shtyn kundër mureve të enëve të gjakut. Me presionin e lartë të gjakut, zemra juaj punon më shumë për të pompuar gjakun, gjë që mund ta tendos zemrën. Presioni i lartë i gjakut mund të dëmtojë enët e gjakut. Nëse presioni i lartë i gjakut dëmton enët e vogla të gjakut në veshka, veshkat tuaja nuk do të filtrojnë gjakun ashtu siç duhet. Presioni i lartë i gjakut nuk është vetëm shkaktar i sëmundjes së veshkave; sëmundja e veshkave është gjithashtu shkaktar i presionit të lartë të gjakut. Kur keni veshka të dëmtuara, ato mund të mos jenë në gjendje të filtrojnë ujin dhe kripën e tepërt nga trupi juaj. Presioni i lartë i gjakut që vjen nga kjo mund të përkeqësojë sëmundjen e veshkave. Përkeqësimi i sëmundjes së veshkave mund të rrisë përsëri presionin e gjakut. Pra kemi një cikël të rrezikshëm pasi çdo sëmundje e përkeqëson tjetrën.

A mund të parandalohen sëmundjet e veshkave dhe sëmundjet e zemrës?
Ndërsa nuk mund të parandaloni gjithmonë sëmundjet e veshkave dhe sëmundjet e zemrës, mund të ulni mundësinë për të pasur sëmundje të veshkave dhe sëmundje të zemrës duke marrë hapat e mëposhtëm:

  • Vizitoni rregullisht mjekun tuaj
  • Mbajtjen e vlerave të presionit të gjakut nën 140/90 mmHg
  • Nëse keni diabet kontrolloninivelineglukozës në gjak.
  • Përpjekje për të mbajtur vlerat kolesterolit në një nivel të shëndetshëm.
  • Kontrolloni peshën tuaj dhe ushqehuni shëndetshëm.
  • Jini fizikisht aktiv 30 minuta në ditë në shumicën e ditëve të javës.

 Obeziteti dhe veshkat
Të qënurit në mbipeshë mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë diabetin, sëmundjet kardiovaskulare, hipertensionin, sëmundjet e veshkave dhe shumë të tjera. Deri në vitin 2025, obeziteti do të prekë 18% të meshkujve dhe 21% të femrave në mbarë botën. Në disa vende, obeziteti është tashmë i pranishëm në më shumë se një të tretën e popullsisë së rritur dhe kontribuon ndjeshëm në shëndetin e përgjithshëm të dobët dhe në kostot e larta mjekësore vjetore.

Çfarë është Obeziteti?
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e përkufizon mbipeshën dhe obezitetin si “akumulim jonormal ose i tepruar i yndyrës që mund të dëmtojë shëndetin”. Përkufizimet e obezitetit bazohen më shpesh në Indeksin e Masës Trupore ose BMI (BMI = pesha në kg pjesëtuar me lartësinë në katror në m 2 ). Tek të rriturit, BMI midis 18.5 dhe 25 kg/m 2 konsiderohet nga OBSH si peshë normale, një BMI midis 25 dhe 29.9 kg/ m 2 si mbipeshë dhe një BMI më shumë se 30 kg/ m 2 si obez.

Cila është lidhja midis sëmundjeve të veshkave dhe obezitetit
Sëmundja e veshkave ka më shumë gjasa të zhvillohet te njerëzit obezë, përfshirë ata me diabet dhe hipertension. Për më tepër, si një shkak indirekt, obeziteti rrit rrezikun e faktorëve kryesorë të rrezikut për CKD, diabetin e tipit 2 dhe presionin e lartë të gjakut. Një shkak i drejtpërdrejtë do të ishte kur veshkat duhet të punojnë më shumë, duke filtruar mbi nivelin normal, të quajtur hiperfiltrim, për të përmbushur kërkesat metabolike të rritjes së indeksit të masës trupore (BMI) tek individët e prekur nga obeziteti. Kjo rritje e funksionit normal të veshkave shoqërohet gjithashtu me një rrezik më të lartë të zhvillimit të CKD në periudhë afat gjatë. Njerëzit që janë mbipeshë ose obezë kanë 2 deri në 7 shanse më shumë për të zhvilluar sëmundjen e veshkave të fazën përfundimtare (ESKD) në krahasim me ata me peshë normale. Obeziteti mund të çojë në CKD si në mënyrë indirekte duke rritur diabetin e tipit 2, hipertensionin dhe sëmundjet e zemrës, dhe gjithashtu duke shkaktuar dëmtim të drejtpërdrejtë të veshkave duke rritur ngarkesën e veshkave dhe të mekanizmave të tjerë. Njerëzit që vuajnë nga pesha shtesë janë gjithashtu në një rrezik më të lartë të dëmtimit akut të veshkave (AKI), një gjendje e rëndë që zhvillohet papritur, shpesh zgjat një kohë të shkurtër dhe mund të zhduket plotësisht pasi të jetë trajtuar shkaku themelor, por gjithashtu mund të ketë pasoja të qëndrueshme me probleme gjatë gjithë jetës.

A mund të parandalohet dhe/ose trajtohet obeziteti?
Në shumë raste, obeziteti është i parandalueshëm, por ai është gjithashtu i trajtueshëm. Zakonisht, problemi mund të zgjidhet me ndryshime në stilin e jetës, por ndonjëherë pacienti mund të kërkojë ndihmë mjekësore për të humbur peshë. Nëse jeni mbipeshë, humbja e 5% të peshës trupore mund të ulë rrezikun për disa sëmundje. Humbja e ngadaltë dhe e qëndrueshme e peshës prej 0,5 deri në një kilogram në javë, dhe jo më shumë se 1.4 kg në javë, është mënyra më e sigurt për të humbur peshë. Këtu janë disa shembuj të mënyrave për të humbur peshë në mënyrë të sigurt dhe të shëndetshme (kur është e mundur):
 Të paktën 300 min në javë aktivitet fizik
 Ushtrime për forcimin e muskujve të paktën dy herë në javë
 Ushqimi i shëndetshëm dhe kontrolli i porcionit
 Në disa raste, kirurgjia bariatrike (humbje peshe) mund të jetë një opsion
Për të parandaluar mbipeshën dhe obezitetin duhet të ndërmerrni tre hapa të thjeshtë:
1. Kufizoni marrjen e energjisë nga yndyrnat dhe sheqernat totale;
2. Shtoni konsumin e frutave dhe perimeve të freskët.
3. Angazhohuni në aktivitet fizik të rregullt (60 minuta në ditë për fëmijët dhe 150 minuta në javë për të rriturit)

Dëmtimi akut i veshkave
Dëmtimi akut i veshkave është humbja e papritur dhe dramatike e funksionit të veshkave. Kjo mund të ndodhë shpejt, shpesh në vetëm disa ditë. Në shumë raste veshka mund të shërohet pothuajse plotësisht nga insuficienca akutee veshkave, por ndërsa pritet që veshkat të rikuperohen mund të jetë i nevojshëm trajtimi urgjent duke përfshirë dializën. Nëse dëmtimi akut i veshkave (AKI) zbulohet herët, përpara se të ketë insuficiencë të plotë akute
të veshkave, trajtimi mund të parandalojë insuficiencën e plotë të veshkave dhe t’u mundësojë atyre të rikuperohen më shpejt. Në situatat kur ekziston një rrezik i lartë i zhvillimit të insuficiencës akute të veshkave, trajtimet e thjeshta shpesh nuk mund të parandalojnë zhvillimin e problemit të veshkave.

Çfarë e shkakton dëmtimin akut të veshkave?
Dëmtimi akut i veshkave ka tre shkaqe kryesore:
 Një rënie e papritur dhe serioze e rrjedhjes së gjakut në veshka.
 Dëmtime nga disa medikamente, helme ose infeksione.
 Një bllokim i papritur që ndalon rrjedhjen e urinës nga veshkat.
Ju keni mundësi më të mëdha për të patur dëmtim akut të veshkave nëse:
 Jeni në një moshë të thyer.
 Ju keni një problem shëndetësor afatgjatë si sëmundje të veshkave ose mëlçisë, diabeti, presioni i lartë i gjakut, insuficiencë të zemrës ose obezitet.
 Ju jeni tashmë shumë i sëmurë dhe jeni në spital, veçanërisht në njësinë e kujdesit intensiv (ICU). Kirurgjia e zemrës ose barkut ose transplantimi i palcës së kockave mund t’ju bëjë më të prirur që të keni insuficiencë të veshkave.

Cilat janë simptomat?
Simptomat e dëmtimit akut të veshkave mund të përfshijnë:

  • Dalja e pakët ose aspak e urinës.
  • Ënjtje, veçanërisht në këmbët dhe shputat tuaja.
  • Mungesë të dëshirës për të ngrënë.
  • Nauze dhe të vjella.
  • Ndjenja e konfuzionit, e ankthit, e shqetësimit, ose e përgjumur.

Disa njerëz mund të mos kenë asnjë simptomë ndërsa për njerëzit që janë mjaft të sëmurë, problemi që e shkakton insuficiencën akute të veshkave mund të jetë duke shkaktuar edhe simptoma të tjera. Shumë raste të AKI mund të parandalohen thjesht duke ndërgjegjësuar dhe edukuar komunitetin dhe punonjësit shëndetësorë lokalë për parandalimin dhe shenjat paralajmëruese të hershme që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme Pra, nevojitet një ndërgjegjësim më i madh për AKI tek të gjithë punonjësit e shëndetësisë.