Bregu-Ahart: Bashkëpunim të frytshëm për përmirësimin e performancës së ISHP-së
Bashkëshortja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ariel Ahart, zhvilloi një vizitë në mjediset e Institutit të Shëndetit Publik, ku pati dhe një bisedë me Drejtorin e Përgjithshëm të ISHP-së, Arjan Bregu. Znj. Ahart, me doktoraturë në Shëndet Publik nga Universiteti i Shëndetit Publik Johns Hopkins, ka eksperiencë 20 vjeçare në këtë fushë, të tillë si: kërkim shkencor, dizenjim dhe vlerësim programesh në fushën e shëndetit riprodhues dhe dhunës me bazë gjinore, dizenjim dhe kryerje studimesh cilësore, këshilltare teknike në zhvillimin e programeve parandaluese për HIV/AIDS, etj. Qëllimi i takimit ishte prezantimi i punës së Institutit të Shëndetit Publik dhe mundësia e bashkëpunimit me Znj. Ahart, për përmirësimin e cilësisë së shërbimit që ofron ISHP.
Gjatë bashkëbisedimi Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Arjan Bregu, pasi falënderoi znj. Ahart për pranimin e ftesës për këtë vizitë bëri një prezantim të shkurtër mbi misionin e ISHP-së, funksionin dhe strukturën e tij. Ai u ndal në mënyrë të veçantë në sfidat me të cilat po përballet aktualisht ISHP lidhur me përmirësimin e sistemit të raportimit dhe informacionit, veçanërisht për krijimin e regjistrave të sëmundjeve kronike, të cilat përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve në Shqipëri.
Në takim morën pjesë edhe drejtuesit e departamenteve të ISHP-së, të cilët prezantuan misionin e departamenteve që ata drejtojnë, përshkruan rolin dhe detyrat e specialistëve të tyre si dhe parashtruan sfidat me të cilat përballen gjatë përmbushjes së detyrave. Në takim është theksuar nevoja për bashkëpunim në fushën e ristrukturimit të ISHP-së nga ana organizative, lobimin për kryerjen e raundit të tretë të Studimit Demografik në Shqipëri dhe asistencë në dizenjimin e këtij studimi si dhe pjesëmarrjen në bordin editorial të Revistës Shëndetësore Shqiptare.
Znj. Ahart shprehu gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar në të gjitha fushat për të cilat ajo ka eksperiencë dhe që do të përmirësonin performancën e ISHP-së duke shpresuar që ky takim do të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm. Znj. Ahart, e shoqëruar edhe nga drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik vizitoi gjithashtu edhe disa nga laboratorët e ISHP-së.