11 Shkurt 2020, Informacion i përditësuar/ Situata e Gripit

 

Nga të dhënat e raportimit sipas survejancës së infeksioneve akute respiratore të sipërme dhe të poshtme të sistemit ALERT, survejancës sentinel të sëmundjeve të ngjashme me Gripin (ILI) në rrethin e Tiranës, dhe survejancës së infeksioneve respiratore akute të rënda (SRRA) në spitalet kryesore në të gjithë vendin si dhe raportimit rutinë, vërejmë se prirja e infeksioneve respiratore paraqet intesitet shumë të lartë.

Jemi në pikun e viruseve stinore, ku në javën e 5 të vitit vërehet se prirja e infeksioneve respiratore paraqet 23% rritje, pra intensitet shumë të lartë dhe me përhapje në të gjithë vendin  në krahasim me javën paraardhese.

 Janë në qarkullim 3 viruse gripi (A/H1, A/H3 dhe B). 

Në javën e 05 të vitit 2020 vërehet një prirje në rritje e numrit të infeksioneve Respiratore të Sipërme dhe të Poshtëme dhe ky numër është 4% më i lartë  krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Infeksionet respiratore të sipërme në nivel kombëtar paraqiten me 17.760 raste gjatë javës së 5-të të vitit 2020; ndërsa infeksionet respiratore të poshtëme në nivel 7.530 raste. Në javën 05/2020 aktiviteti i Infeksioneve Respiratore Akute paraqet: prirje në rritje, aktivitet gjeografik të përhapur, intensitet shumë të lartë, impakt mesatar.

 

Prej javës 43 (21-27 Tetor 2019) deri në javën 05 (27 Janar–2 Shkurt 2020) janë grumbulluar 576 mostra nazofaringeale nga qendrat e survejancës ILI dhe SRRA apo STRRA.

Nga testimi i tyre në 163 (28.3%) mostra janë identifikuar viruset e gripit, nga të cilat: 118 (20.5%) virusi i tipit A dhe 45 (7.8%) virusi i tipit B. Nga 118 viruset e tipit A 42 (35.6%) janë të nëntipit A/H1pdm09 dhe 39 (33.1%) të nëntipit A/H3 ndersa 37 (31.4%) janë në procesin e nëntipizimit.

 

Është situatë e pritshme për sezonin, sikundër po ndodh në kontinentin Europian, ku aktiviteti i gripit në Evropë vazhdon të paraqesë rritje, disa vende paraqesin intensitet të lartë sidomos Greqia.

Kemi kapacitetet e nevojshme në ISHP për analizimin e mostrave të mbledhura nga qendra e survejancës dhe të gjitha mostrat janë testuar me metodën molekulare të Real-Time RT PCR.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Socile i ka paraprirë situatës në të cilën jemi, ku fluksi është i lartë, duke hapur 4 qendra shëndetësore 24 orëshe në Tiranë, për të shfryrë fluksin në Urgjencën Pediatrike të QSUT në mënyrë që qytetarët të mos presin në rradhë të gjata, por ta marrin shërbimin afër vendbanimit, në kohë dhe me cilësi.