Dita Botërore pa Duhan 31 Maj 2019

Loading Events
  • This event has passed.
Description

31 Maj 2019

Dita Botërore pa Duhan

 

“Duhani dhe shëndeti i mushkërive”

 

Çdo vit, më 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët globalë organizojnë Ditën Botërore pa Duhan. Tema e këtij viti fokusohet në lidhjen midis duhanit dhe shëndetit të  mushkërive.

Duhanpirja aktive dhe pasive rrisin rrezikun për shumë sëmundje dhe ndikojnë në shëndetin e mushkërive në mënyra të ndryshme:

-Kanceri i mushkërive. Pirja e duhanit është përgjegjëse për më shumë se dy të tretat e vdekjeve nga kanceri i mushkërive në nivel global, ndërsa duhanpirja pasive rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të mushkërive për joduhanpirësit. Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjes nga kanceri në shumicën e vendeve të rajonit europian të OBSH-së. Përafërsisht 430 000 njerëz vdiqën nga kanceri i mushkërive në këtë rajon në vitin 2018, dhe gjatë kësaj periudhe u diagnostikuan më shumë se gjysmë milion raste të reja. Ndalimi i pirjes së duhanit zvogëlon rrezikun e kancerit të mushkërive; 10 vjet pas lënies së duhanit rreziku ulet në rreth gjysmën e asaj të një duhanpirësi.

-Sëmundjet kronike të frymëmarrjes, si sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK) dhe astma. Pirja e duhanit është shkaku kryesor i SPOK-ut, një gjendje që rezulton me kollë të dhimbshme dhe vështirësi në frymëmarrje. Kjo gjendje përkeqëson astmën, e cila kufizon aktivitetin dhe ndikon në aftësinë e kufizuar. Sipas të dhënave të fundit, 3.6% e totalit të vdekjeve në rajonin europian ishin për shkak SPOK-ut në vitin 2017. Ndërprerja e hershme e pirjes së duhanit është mënyra më efektive e ngadalësimit të progresit të SPOK-ut dhe përmirësimit të simptomave të astmës.

-Fëmijët e ekspozuar ndaj tymit të duhanit kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar infeksione të shpeshta të frymëmarrjes, si dhe për t’u prekur nga astma, pneumonia dhe bronkiti. Përbërësit kimikë të tymit të duhanit mund të shkaktojnë infeksione latente të tuberkulozit (TB). Pirja e duhanit mund të rrisë gjithashtu rrezikun e paaftësisë dhe vdekjes nga bllokimi i frymëmarrjes te njerëzit me TB aktiv.

 

Fushata për Ditën Botërore pa Duhan synon të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet që shkakton tymi i duhanit në mushkëri, dhe rolin themelor që ato luajnë në shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë njerëzve. Veprimet dhe masat e mundshme që audiencat kyçe, duke përfshirë publikun dhe qeveritë, mund të marrin për të zvogëluar rreziqet që sjell duhani në shëndetin e mushkërive.

Këto veprime përfshijnë masat e kontrollit të duhanit të përshkruara në Konventën Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (WHO FCTC) të tilla si rritja e taksave të duhanit, zbatimi i politikave “pa tym duhani”, mbështetja e njerëzve për të lënë duhanin, ngritja e vetëdijes përmes mjeteve masive të komunikimit dhe zbatimi i ndalimeve në të gjitha format e promovimit. Zbatimi i plotë i Konventës Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit dhe i masave të tjera të kontrollit të duhanit do të përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë, si dhe do të shpëtojnë jetë.

 

 

 

Qëllimet e Fushatës së Ditës Botërore pa Duhan

 

Masa më efektive për të përmirësuar shëndetin e mushkërive është ulja e përdorimit të duhanit dhe shmangia e ekspozimit ndaj tymit të tij. Në disa vende, informacioni lidhur me pasojat që sjell pirja e duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij në shëndetin e mushkërive është i ulët në masën më të madhe të publikut të gjerë, dhe veçanërisht në mesin e duhanpirësve.

 

Fushata e Ditës Botërore pa Duhan synon të rrisë ndërgjegjësimin për:

-Rreziqet që sjell në shëndet pirja e duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij.

-Pasojat që sjell pirja e duhanit në shëndetin e mushkërive.

-Rritjen e numrit të vdekjeve dhe sëmundjeve në nivel global nga sëmundjet e mushkërive të shkaktuara nga duhani, duke përfshirë sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe kancerin e mushkërive.

-Lidhjen midis pirjes së duhanit dhe vdekjeve nga tuberkulozi.

-Ndikimin që ka ekspozimi ndaj tymit të duhanit për shëndetin e mushkërive të njerëzve në të gjithë grup-moshat.

-Rëndësinë e shëndetit të mushkërive në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien.

-Veprimet dhe masat e mundshme që audiencat kyçe, duke përfshirë publikun dhe qeveritë, mund të marrin për të zvogëluar rreziqet që sjell duhani në shëndetin e mushkërive.

Tema e këtij viti shërben si një mundësi për angazhimin e palëve të interesuara në të gjithë sektorët, si dhe për fuqizimin e vendeve për të forcuar zbatimin e masave të provuara të kontrollit të duhanit të MPOWER që gjenden në Konventën Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit.

-Arritjen e objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm “Reduktimi i një të tretës së vdekshmërisë së parakohshme nga sëmundjet jo të transmetueshme deri në vitin 2030”, ku kontrolli i duhanit duhet të jetë një prioritet për qeveritë dhe komunitetet në mbarë botën. Aktualisht, bota nuk është në rrugën e duhur për të përmbushur këtë objektiv.

Vendet duhet t’i përgjigjen epidemisë së duhanit nëpërmjet zbatimit të plotë të Konventës Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit, si dhe duke miratuar masat e MPOWER, që përfshijnë zhvillimin dhe zbatimin e politikave më efektive të kontrollit të duhanit me qëllim uljen e kërkesës për duhan.

Prindërit dhe anëtarët e tjerë të bashkësisë duhet gjithashtu të marrin masa për të promovuar shëndetin e tyre dhe atë të fëmijëve të tyre duke i mbrojtur ata nga dëmet e shkaktuara nga duhani.

 

Start Date - End Date

May 31, 2019 - May 31, 2019

Start Time - End Time

12:00 am - 11:59 pm

Share This