14 Nëntor 2016, Dita Botërore e Diabetit

Loading Events
  • This event has passed.
Description

Dita Botërore e Diabetit

 

Çdo vit në 14 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Federata Botërore e Diabetit (IDF) organizojnë Ditën Botërore të Diabetit.

Tema kryesore për vitin 2016 është:

 

Vëmendja te diabeti”

 

Në këtë ditë, aktivitetet dhe materialet ndërgjegjësuese fokusohen në promovimin e dy mesazheve:

  • Depistimi për diabetin tip 2 është i rëndësishëm për të modifikuar ecurinë e sëmundjes dhe për të reduktuar rrezikun e komplikacioneve.
  • Depistimi për komplikacionet e diabetit është një pjesë e rëndësishme e menaxhimit të të gjithë tipeve të diabetit.

Shumë komplikacione të sëmundjes së diabetit mund të kapen apo diagnostikohen në stadet e hershme të tyre nëpërmjet programeve të depistimit, të cilat bëjnë që këto komplikacione të trajtohen dhe të parandalohet rëndimi i tyre. Sipas Federatës Botërore të Diabetit afërsisht 193 milionë njerëz, apo gjysma e atyre që vuanin nga diabeti në vitin 2015, ishin të pavetëdijshëm për sëmundjen e tyre. Sa më herët që personi të diagnostikohet aq më shpejt fillon edhe trajtimin, duke reduktuar rrezikun për komplikacione të rrezikshme dhe të kushtueshme. Një njeri me diabet tip 2 mund të jetojë për disa vite pa dhënë asnjë shenjë apo simptomë të sëmundjes, por gjatë kësaj periudhe niveli i lartë i sheqerit në gjak në mënyrë të heshtur e dëmton trupin e tij. Ndaj është një nevojë urgjente depistimi, diagnostikimi dhe dhënia e trajtimit të duhur njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti. Në këtë ditë do të nxirren në pah zgjidhjet e realizueshme dhe sa më kosto-efektive të mundshme, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e njerëzve me diabet tip 2 të padiagnostikuar dhe të atyre të cilët janë në rrezik për ta shfaqur diabetin më vonë.

Diabeti është shkaku kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, verbërimit, (humbjes së shikimit) insuficiencës renale dhe amputieve të gjymtyrëve të poshtme. Më shumë se 1/3 e të gjithë njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti tip 1 dhe tip 2, zhvillojnë disa forma dëmtimi në sy të cilat çojnë në humbje të shikimit. Këto komplikacione mund të parandalohen apo të vonohet shfaqja e tyre duke mbajtur nivelin e glukozës në gjak, presionin e gjakut dhe nivelin e kolesterolit në gjak  sa më afër normës. Disa komplikacione mund të kapen në fazat e tyre të hershme nëpërmjet depistimit, duke mundësuar dhënien e trajtimit për parandalimin e  rëndimit të mëtejshëm të tyre. Në këtë ditë i vihet theksi nevojës apo rëndësisë së përfshirjes së depistimit për komplikacionet nga diabeti në kujdesin shëndetësor për njerëzit të cilët vuajnë nga diabeti.

  1. Depistimi për diabetin tip 2 është i rëndësishëm për të modifikuar ecurinë e sëmundjes dhe për të reduktuar rrezikun e komplikacioneve.

 

  • Diabeti është një sëmundje ku numri i të sëmurëve me diabet po rritet gjithnjë e më shumë: në vitin 2015 ishin 415 milionë njerëz të diagnostikuar me diabet dhe ky numër pritet të rritet në 642 milionë, ose 1 në 10 të rritur do të jenë me diabet në vitin 2040.
  • 1 në 2 adultë me diabet është i padiagnostikuar.
  • Përafërsisht 70% e rasteve me diabet tip 2 mund të parandalohen apo të shtyhet shfaqja e tij nëpërmjet një stili jete të shëndetshëm.
  • Diabeti tip 2 gjatë fëmijërisë po bëhet një problem botëror në shëndetin publik pasi në shumë vende të botës kemi një rritje të inaktivitetit fizik dhe të ushqyerjes jo të shëndetshme te fëmijët.
  • 12% e shpenzimeve botërore që bëhen në shëndetësi aktualisht shpenzohen në të sëmurët me diabet.
  • Numri i njerëzve me diabet në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të vazhdojë të rritet duke kërcënuar në këtë mënyrë zhvillimin e qëndrueshëm. P.sh. në vitin 2040 pritet që në Afrikë numri i njerëzve me diabet të dyfishohet.
  • Shumë njerëz jetojnë për një kohë të gjatë me diabetin tip 2 pa qenë të ndërgjegjshëm për praninë e kësaj sëmundjeje. Dhe në kohën kur ata diagnostikohen komplikacionet e diabetit tashmë janë të pranishme.

 

  1. Depistimi për komplikacionet e diabetit është një pjesë e rëndësishme e menaxhimit të të gjithë tipeve të diabetit.

 

  1. 1 në 2 njerëz me diabet mbeten të padiagnostikuar, gjë e cila i bën ata më të ndjeshëm ndaj komplikacioneve të diabetit, duke i çuar në paaftësi të qëndrueshme dhe vdekje të parakohshme.
  2. Më shumë se 640 milionë prej nesh do të jetojnë me sëmundjen e diabetit në vitin 2040. Vonesat në diagnostikimin e kësaj sëmundjeje nënkuptojnë që shumë njerëz me diabetin tip 2 do të kenë të paktën një komplikacion në momentin kur diagnostikohen për sëmundjen e diabetit.
  3. Në shumë vende të botës diabeti është shkaktari kryesor i verbimit, sëmundjeve kardiovaskulare, insuficiencës renale dhe amputacionit të pjesës së poshtme të gjymtyrëve.
  4. Shumë prej nesh mund të zhvillojnë dhe të jetojnë me diabetin tip 1. Depistimi për komplikacionet e diabetit është pjesë e rëndësishme e menaxhimit të sëmundjes për të siguruar një shëndet optimal.
  5. Në vitin 2015 kishte përafërsisht 415 milionë njerëz që ishin të diagnostikuar me diabet, dhe më shumë se 1/3 do të zhvillojnë disa forma të retinopatisë diabetike e cila është një komplikacion i diabetit që çon në çrregullime të shikimit deri në verbim.
  6. Më shumë se 93 milionë adultë, ose 1 në 3 të cilët vuajnë nga diabeti, aktualisht kanë retinopati diabetike.
  7. Menaxhimi i sëmundjes së diabetit dhe i komplikacioneve të tij fillon në kujdesin shëndetësor parësor ku duhet të përfshihet depistimi për retinopatinë diabetike.
  8. Zbulimi i hershëm dhe trajtimi në kohë i retinopatisë diabetike mund të parandalojë humbjen e shikimit dhe të reduktojë impaktin e diabetit tek individi, kujdestarët e tyre dhe në shoqëri.
  9. Menaxhimi i kujdesshëm i diabetit dhe depistimi për sëmundje të syrit mund të ndihmojnë në parandalimin e çrregullimeve të shikimit dhe verbimit.
  10. Shpenzimi botëror për trajtimin e diabetit dhe menaxhimin e komplikacioneve të tij është vlerësuar 673 miliardë dollarë në vitin 2015.

Fakte

  • Në vitin 2015 më shumë se 400 milionë njerëz vuanin nga diabeti.
  • Në vitin 2040 numri i njerëzve që do të vuajnë nga diabeti mendohet të shkojë 640 milionë, pra 1 në 10 njerëz do të vuajnë nga diabeti.
  • 75% apo 3/4 e njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti janë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
  • Pjesa më e madhe e njerëzve me diabet janë të moshës 40-59 vjeç.
  • 1 në 11 adultë vuajnë nga diabeti.
  • 1 në 2 (46%) e njerëzve me diabet janë të padiagnostikuar, dhe pjesa më e madhe e tyre kanë diabet tip 2.
  • Sëmundja e diabetit shkaktoi 5 milionë vdekje në vitin 2015, me një vdekje çdo 6 sekonda.
  • Më shumë se 542.000 fëmijë kishin diabet tip 1 në vitin 2015.
  • Më shumë se 20.9 milionë lindje ishin të prekura nga diabeti gjatë shtatzënisë në vitin 2015 – 1 në 7 lindje.
  • Në vitin 2015 për diabetin janë shpenzuar 673 miliardë dollarë (12%) në shpenzimet shëndetësore.

 

“Vëmendja te diabeti

Vepro sot për të ndryshuar të ardhmen!

Start Date - End Date

Nov 14, 2016 - Nov 30, 2016

Start Time - End Time

12:00 am - 12:00 pm

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Organizer

Organizer

Phone

Tel: 374 756 Fax: 370 058

Share This