Kujdesi shëndetësor në pacientët që dyshohen si të infektuar me COVID – 19 dhe që paraqesin simptoma të lehta, kontakteve te tyre dhe menaxhimi i kontakteve

 

Përmbledhje

Kjo është një përmbledhje që OBSH-ja ka hartuar për të dhënë një këshillim të shpejtë për rekomandimet e nevojshme për kujdesin ndaj pacientëve që trajtohen në kushtet e shtëpisë të dyshuar si të infektuar me COVID-19, që shfaqin simptoma të lehta, si dhe masat që duhet të ndërmarrë shëndeti publik lidhur me menaxhimin e kontakteve asimptomatike.

Dokumenti është i bazuar në udhëzimet me bazë shkencore publikuar nga OBSH-ja, duke përfshirë këtu parandalimin e infeksioneve dhe kontrollin e sëmundjeve respiratore akute në kujdesin shëndetësor, që mund të shkaktojnë epidemi apo pandemi: Udhëzuesi i brendshëm i OBSH-së (1), bazuar në informacionin më koherent ekzistues në lidhje me infeksionin COVID-19.

Ky dokument është një përshtatje e versionin origjinal që adreson MERS-CoV, publikuar në qershor 2018.

Ky këshillim i shpejtë është për profesionistët e shëndetit publik dhe ata të parandalimit dhe kontrollit, menaxherët e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor. Gjithsesi, situata po monitorohet nga afër për të dhëna të reja që mund të sinjalizojnë rishikimin e përmbajtjes së këtij udhëzuesi të shpejtë këshillimi.

Ju lutem referojuni dokumentit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) për përkufizimin e rastit:

 

Kujdesi shëndetësor në shtëpi për pacientët e dyshuar si të infektuar me COVID-19, me shenja të lehta.

Duke patur parasysh njohjen e kufizuar të deritanishme të sëmundjes së shkaktuar nga COVID-19 dhe mënyrës së transmetimit të tij, OBSH-ja rekomandon që rastet e dyshuara me COVID-19 të izolohen dhe monitorohen në kushte spitalore. Kjo do të çojë në sigurinë dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor (në rast se simptomat e pacientit përkeqësohen), si dhe sigurinë e shëndetit publik.

Sidoqoftë, për disa arsye të mundshme, përfshi dhe situatën kur kujdesi spitalor nuk është i disponueshëm ose është i pasigurt (p.sh. kapacitete të kufizuara dhe burime të pamjaftueshme për të përballuar nevojat për kujdes shëndetësor), apo në rastet e refuzimit të hospitalizimit, kushtet alternative[1] për sigurimin e kujdesit shëndetësor mund të merren në konsideratë.

Në rastin e kushteve të tilla, pacientët me simptoma të lehta[2] dhe pa mbivendosje me situata të tjera kronike si sëmundje të mushkërive apo të zemrës, probleme me veshkat apo me të dhëna kompromentuese të sistemit imunitar, që e vendosin atë në një rrezik të shtuar për të zhvilluar komplikacione, mund të trajtohet në ambientin e shtëpisë. I njëjti parim i kujdesit në kushtet e shtëpisë zbatohet edhe për pacientët simptomatikë që nuk kanë më nevojë për hospitalizim. Ky vendim kërkon një gjykim të kujdesshëm klinik dhe duhet të ndërmerret duke vlerësuar sigurinë e pacientit në kushtet e shtëpisë[3].

 

Një linjë komunikimi me punonjësin e kujdesit shëndetësor duhet të vendoset përgjatë periudhës së kujdesit në shtëpi, derisa pacienti të shërohet plotësisht. Personeli i kujdesit shëndetësor duhet të përfshihet në rishikimin e gjendjes shëndetësore aktuale për të parë progresin e simptomave3 nëpërmjet kontakteve me telefon, dhe në mënyrë ideale, nëse është e mundur, nëpërmjet vizitave ballë për ballë, në mënyrë të rregullt (p.sh. çdo ditë), duke kryer teste diagnostikuese specifike sipas nevojave.

Personeli i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) gjithashtu është i përfshirë në këtë proces, duke mbështetur personelin e kujdesit shëndetësor.

Nga ana tjetër, pacientët dhe anëtarët e tjerë të familjes duhen udhëzuar mbi higjienën personale, parandalimin bazë të infeksioneve, si dhe masat e kontrollit se si të kujdesen për anëtarët e infektuar të familjes në mënyrën më të sigurt të mundshme, dhe se si të parandalojnë përhapjen e infeksioneve me kontaktet e shtëpisë. Pacientit dhe familjes duhet t’iu jepet mbështetja, edukimi dhe monitorimi i vazhdueshëm. Ata duhet të ndjekin rekomandimet e mëposhtme:

  • Vendosja e pacientit në një dhomë të veçantë me ventilim të mirë.
  • Kufizimi i numrit të personave që përkujdesen për pacientin, mundësisht caktimin e një personi që është në gjendje të mirë shëndetësore, që nuk paraqet rreziqe të tjera shëndetësore. Të mos lejohen vizitorët!
  • Anëtarët e tjerë të shtëpisë duhet të qëndrojnë në një dhomë tjetër, ose nëse është e mundur, të mbajnë një distancë 1 m nga personi i sëmurë (p.sh. të flenë në krevat më vete)[4].
  • Kufizimi i lëvizjes së pacientit dhe minimizimi i sipërfaqjes që ndan me të tjerët. Të merren masa që sipërfaqet e përbashkëta (p.sh. kuzhina, banjo) të jenë të ajrosura mirë p.sh. të mbahen dritaret hapur.
  • Kujdestari duhet të mbajë një maskë mjekësore të puthitur mirë në fytyrë, kur ndodhet në të njëjtën dhomë me personin e sëmurë. Maska nuk duhet prekur apo lëvizur gjatë përdorimit. Nëse maska laget apo bëhet pis me sekrecione, duhet të ndërrohet menjëherë. Flakeni maskën pas përdorimit dhe zbatoni higjienën e duarve pas heqjes së maskës.
  • Zbatimi i higjienës së duarve (2), pas çdo kontakti me personin e sëmurë apo në ambientin ku ata ndodhen. Higjiena e duarve duhet të zbatohet gjithashtu edhe përpara apo pas përgatitjes së ushqimit, përpara ngrënies, pas përdorimit të banjos, si dhe sa herë duart duken të ndotura. Nëse duart nuk duken në pamje të parë të ndotura, mund të përdoret dezinfektuesi me bazë alkooli. Zbatoni higjienën e duarve duke përdorur ujë dhe sapun, kur duart duken që janë të ndotura. Bëni të ditura kushtet e sigurisë (p.sh. gëlltitjen aksidentale apo rrezikun për zjarr) para se të rekomandoni dezifektantët me bazë alkooli për përdorim në kushtet e shtëpisë.
  • Kur përdorni ujë dhe sapun, përdorimi i letrave me një përdorim për fshirjen e duarve do të ishte i parapëlqyer. Nëse nuk është e mundur, përdorni peshqirë të posaçëm, që nëse lagen duhet t’i ndërroni.
  • Praktikimi i higjienës respiratore duhet sidomos për personat e sëmurë, gjatë gjithë kohës. Higjiena respiratore do të thotë që të mbulohet goja dhe hunda sa herë kollitesh apo teshtin, duke përdorur maskat mjekësore, maskat prej cohe, letrat apo parakrahun dhe të pasohet me higjienën e duarve.
  • Hidhni materialet që janë përdorur për të mbuluar gojën apo hundën, ose pastrojini ato plotësisht pas përdorimit (p.sh. duke përdorur sapun normal apo detergjent dhe ujë).
  • Shmangni kontaktin e drejtpërdrejtë me lëngjet e trupit, veçanërisht me sekrecionet orale dhe ato respiratore, si dhe me jashtëqitjen. Përdorni doreza me një përdorim, për të siguruar kujdesin oral dhe respirator sa herë jeni në kontakt me jashtëqitjen, urinën dhe mbetje të tjera. Zbatoni higjienën e duarve, para dhe pas heqjes së dorezave.
  • Dorezat, letrat, maskat dhe mbetjet e tjera të përdorura nga personat e sëmurë, apo ata që kujdesen për personat e sëmurë, duhet të vendosen në një kosh me qese në dhomën e personit të sëmurë, përpara se të hidhen bashkë me mbeturinat e tjera të shtëpisë[5].
  • Shmangni ekspozimet e tjera të mundshme me personat e sëmurë apo me sendet e kontaminuara në ambientin e tyre të ngushtë (p.sh. shmangni përdorimin e përbashkët të furçës së dhëmbëve, cigareve, enëve të kuzhinës, pijeve, peshqirëve, sfungjerëve dhe çarçafëve). Enët e kuzhinës duhet të pastrohen me sapun apo detergjent dhe ujë pas përdorimit, dhe mund të ripërdoren në vend që të hidhen.
  • Pastroni dhe dezinfektoni vazhdimisht sipërfaqet e prekura si komodinat e dhomës së gjumit, kokën e krevatit dhe mobilje të tjera të dhomës së gjumit çdo ditë, duke përdorur dezifenktant për shtëpinë që përmban solucion me ujë të oksigjenuar të holluar[6] (1 pjesë ujë i oksigjenuar dhe 99 pjesë ujë).
  • Pastroni dhe dezinfektoni banjon dhe sipërfaqet e tualetit të paktën një herë në ditë me dezifektant të zakonshëm shtëpije që përmban një përzierje ujë të oksigjenuar6 (1 pjesë ujë i oksigjenuar dhe 99 pjesë ujë).
  • Pastroni teshat, çarçafët, peshqirët e banjos dhe të duarve etj. të personave të sëmurë, duke përdorur sapun/detergjentë dhe ujë, apo në makinë larëse në temperaturë 60 – 900 Celcius, dhe thajini mirë. Vendosni çarçafët e kontaminuar në një kosh rrobash të palara. Mos i shkundni rrobat e ndotura dhe shmangni kontaktin e drejtpërdrejtë të lëkurës dhe rrobave me materialet e kontaminuara.
  • Përdorni dorezat me një përdorim dhe veshjet mbrojtëse (p.sh. përparëse plastike) kur pastroni sipërfaqet, rrobat/çarçafët e ndotur me lëngjet e trupit. Zbatoni higjienën e duarve para dhe pas heqjes së dorezave.
  • Personat me simptoma duhet të qëndrojnë në shtëpi derisa simptomat të zhduken, bazuar në gjetjet klinike dhe laboratorike (dy teste negative RT-PCR me të paktën një diferencë 24 orëshe).
  • Gjithë pjesëtarët e familjes duhet të konsiderohen si kontakte dhe shëndeti i tyre duhet të monitorohet si më poshtë.
  • Nëse një anëtar i familjes zhvillon simptomat e një infeksioni akut respirator, përfshi këtu dhimbje fyti dhe vështirësi në frymëmarrje, ndiqni rekomandimet e shëndetit publik si më poshtë.

 

Punonjësit e kujdesit shëndetësor që japin kujdesin shëndetësor në shtëpi duhet të bëjnë vlerësimin e rrezikut për të përzgjedhur Masat Mbrojtëse Personale (MMP) e përshtatshme.

 

Menaxhimi i kontakteve dhe vetëkarantina

Në kuadrin e të dhënave për transmetimin nga njeriu tek njeriu të virusit SARS-CoV-2, personat (përfshi punonjësit shëndetësorë) që mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet të këshillohen që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm, dhe të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre.

Përgjatë periudhës së vetëkarantinës duhet të vendoset një linjë komunikimi me një punonjës të kujdesit shëndetësor, si dhe të shëndetit publik në NJVKSH-të përkatëse. Personeli i kujdesit shëndetësor duhet të përfshihet në rivlerësimin e gjendjes shëndetësore së kontakteve të tyre nëpërmjet telefonit, dhe në mënyrë ideale, nëse është e mundur, me vizita ballë për ballë dhe të rregullta (p.sh. përditë), duke kryer teste specifike diagnostikuese sipas nevojave, si dhe kryhet vetëkarantina duke u mbështetur nga NJVKSH-të.

Punonjësi i kujdesit shëndetësor apo NJVKSH-ja duhet të japë paraprakisht udhëzime se ku duhet kërkuar kujdesi shëndetësor kur një kontakt sëmuret. Cila duhet të jetë mënyra më e përshtatshme e transportimit, kur, dhe në cilën qendër shëndetësore duhet shkuar, dhe cilat masa kontrolli parandaluese duhen ndjekur.

  • Lajmëroni numrin 127 për çdo problem që mund të keni.
  • Lajmëroni qendrën e caktuar shëndetësore për kontaktin simptomatik që do të shkojë në qendrën e tyre.
  • Ndërsa udhëtoni, për të kërkuar kujdesin shëndetësor, personi i sëmurë duhet të mbajë maskën mjekësore.
  • Shmangni transportin publik për të shkuar në qendrën shëndetësore, nëse është e mundur; thërrisni një ambulancë apo mjet transporti për personin e sëmurë, dhe hapni dritaret nëse është e mundur.
  • Kontakti i sëmurë duhet të këshillohet që të zbatojë gjithmonë higjienën respiratore dhe atë të duarve; të qëndrojë sa më larg të tjerëve (të paktën 1 m) kur është në lëvizje, dhe kur ndodhet në qendrën shëndetësore.
  • Higjiena e përshtatshme e duarve duhet të zbatohet nga kontaktet e sëmura dhe personat që kujdesen për ta.
  • Çdo sipërfaqe që ndotet më sekrecione respiratore apo lëngje trupore gjatë transportit, duhet pastruar dhe dezinfektuar me dezifektantë të zakonshëm të shtëpisë që përmbajnë një solucion me ujë të oksigjenuar të holluar6 (1 pjesë ujë i oksigjenuar dhe 99 pjesë ujë).
  • Gjithashtu, masat e përshkruara për rastet e dyshuara zbatohen edhe në rastet e vetëkarantinimit të kontakteve.

 


[1] Këtu përfshihen kushtet për kujdes në kushtet e shtëpisë

[2] . Temperaturë e ulët, kollë, dobësi, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti pa shenja të tjera shqetësuese si për shembull vështirësi në frymëmarrje, frymëmarrje e shtuar ( si p.sh. sputum apo hemoptizi) shenja gastro – intestinale si pështjellim stomaku, të vjella dhe/ose diarre dhe pa ndryshime në gjendjen mendore ( si p.sh. konfuzion apo letargji).

[4] Një përjashtim mund të përbëjnë nënat që ushqejnë me gji. Duke patur parasysh të mirat e ushqyerjes me gji dhe rolin e papërfillshëm që ka qumështi i gjirit në transmetimin e viruseve respiratore, nëna duhet të vazhdojë ushqyerjen me gji. Nëna duhet të mbajë një maskë mjekësore, kur është afër foshnjes dhe të përmbushë me kujdes higjenën e larjes së duarve, para se të jetë në kontakt të ngushtë me foshnjen. Ajo gjithashtu duhet të zbatojë dhe masa të tjera të higjenës të përshkruara anë këtë document.

[5] Vendet mund të marrin masa për t’u siguruar që mbetjet të depozitohen në një landfill sanitar dhe jo në një kosh plehrash të pamonitoruar, sa herë që të jetë e mundur. Masa të tjera shtesë mund të nevojiten për të parandaluar ripërdorimin johigjienik të dorezave, maskave, kontaktin e drejtpërdrejtë me lëkurën dhe rrobat me materialin e kontaminuar.

[6] Shumica e solucioneve pastruese të shtëpisë përmbajnë 5% hipklorit natriumi .