‘Fillojeni ditën me një gotë ujë’

ISHP organizon aktivitet sensibilizues për Ditën Botërore të Veshkave

”Fillojeni ditën me një gotë ujë”. Ishte ky mesazhi i përcjellë më 13 mars, Ditën Botërore të Veshkave, në aktivitetet e shumta sensibilizuese e ndërgjegjësuese të organizuara në Tiranë.

Këto aktivitete u organizuan nga Departamenti i Promocionit Shëndetësor në Institutin e Shëndetit Publik, në bashkëpunim me shoqatën dhe klinikën e nefrollogjisë në QSUT, dhe ASHR-në e Tiranës. Gjithashtu në aktivitet morën pjesë nxënës vullnetarë të kryqit të kuq dhe studentë të Fakultetit të Mjekësisë. Aktiviteti u mundësua nga uji Qafshtama.

Aktivitetet sensibilizuese ishin të përqendruara në katër pika të ndryshme të Kryeqytetit, ku ishin të pranishëm specialistët e Departamentit të Promocionit në ISHP të cilët drejtonin aktivitetin.

U vu re një interesim shumë i madh i qytetarëve të Tiranës, të cilët kërkonin të dinin më shumë informacion mbi sëmundjet e veshkave, cili duhet të jetë kujdesi që duhet të tregojnë si dhe analizat që duhet të kryejnë.

Aktiviteti u shoqërua gjithashtu nga një interesim i madh i mediave të pranishme. Gazetarët u interesuan rreth gjithë informacionit të domosdoshëm për opinionin publik, informacion të cilin e morën nga mjekët e pranishëm, si Dr. Nestor Thereska, Alketa Kororshi, Myftar barbullushi,Arjana Strakosha,etj

Ndërkohë që nga ana e saj Dr. Jeta Lakrori,specialishte e departamentit të promocionit, iu përgjigj pyetjeve për mënyrën e jetesës për të pasur veshka sa më të shëndetshme. Ajo këshilloi qytetarët shqiptarë që të konsumojnë sa më shumë ujë, të kenë një ushqyerje të shëndetshme, të zhvillojnë sa më shumë aktivitet fizik dhe të kenë kujdes nga përdorimi pa kriter i disa ilaçeve. Të gjithë qytetarëve, që ishin të pranishëm, iu shpërnda nga një shishe uji dhe një fletë volante me disa të dhënat për sëmundjet e veshkave dhe rregullat e arta që duhet të kihen parasysh për të parandaluar këto sëmundje.