Java Europiane e Imunizimit 20 – 26 Prill

Loading Events
  • This event has passed.
Description

 

OBSH-ja ka përcaktuar vitin 2020-të, si Viti Ndërkombëtar i Infermierëve dhe Mamive. Infermierët dhe mamitë punojnë në të gjitha nivelet e sistemeve shëndetësore si dhe në mjedise dhe kontekste të ndryshme duke ofruar një kujdes shëndetësor cilësor, duke udhëhequr ekipe, duke kryer kërkime, duke ndikuar dhe zbatuar politikat e nevojshme, si dhe edukimin e gjeneratës tjetër të infermierëve dhe mamive për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur shëndetin. Ata, gjithashtu, sëbashku me vaksinatoret luajnë një rol të rëndësishëm në informimin, ndërgjegjësimin dhe këshillimin e prindërve për imunizimin,dhe në disa kontekste edhe në administrimin e vaksinimeve. Roli i tyre është thelbësor për të patur një nivel të lartë të vaksinimit, si dhe në sigurinë e vaksinave. OBSH-ja për rajonin e Europës do të shfrytëzojë mundësinë e Javës Europiane të Imunizimit për të  theksuar fuqishëm këtë rol, si dhe të vlerësojë vaksinatoret/infermierët për ndihmën që japin në  mbajtjen e shëndetshme të komuniteteve të tyre përmes imunizimit.

OBSH-ja organizon çdo vit Javën Europiane të Imunizimit (EIW), me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e imunizimit në parandalimin e sëmundjeve dhe mbrojtjen e jetës. Vaksinimi si një nga ndërhyrjet shëndetësore më kosto efektive, është një gur themeli i mbulimit shëndetësor universal dhe jetik për arritjen e shëndetit optimal për të gjithë dhe kudo. Këtë vit, kjo javë ka qëllim të tregojë vlerën e vaksinave si një investim për një shëndet të mirë dhe mirëqenie përgjatë gjithë jetës.

Mesazhet kyçe

Në vitin e 15-të të Javës Europiane të Imunizimit, OBSH-ja ka si qëllim të nxjerrë në pah veçanërisht rolin jetësor që luajnë vaksinatoret/infermierët dhe mamitë, dhe ndihmën që ata japin për të mbrojtur shëndetin për të gjithë përmes imunizimit.

Gjatë kësaj jave vendet e rajonit Europoian do të nxjerrin në pah mënyrat e shumta me të cilat imunizimi kontribuon në shëndetin dhe mirëqenien duke ndihmuar për:

  • Parandalimin e sëmundjeve që mund t’i marrin jetën fëmijëve ose ndikojnë përgjithmonë në të ardhmen e tyre;
  • Mbështetjen për familje të shëndetshme apo moshimin e shëndetshëm;
  • Parandalimin e disa llojeve të kancerit;
  • Zvogëlimin e kërcënimit nga rezistenca antimikrobike.

 

 

 

Mesazhet kyçe për javën e imunizimit janë:

Viti i Infermierit dhe Mamisë

  • Vaksinatoret/Infermierët dhe mamitë janë kampionët e vaksinimit për të mbrojtur shëndetin për të gjithë.
  • Vaksinatoret nëpërmjet vaksinimit ndihmojnë nënat që të mbajnë foshnjat e tyre të sigurta.
  • Profesionistët e shëndetit janë burimi më i besueshëm i informacionit në lidhje me vaksinat.
  • Duke shkëmbyer faktet dhe informacionet për vaksinat, mjekët, infermierët/vaksinatoret dhe mamitë rritin ndërgjegjësimin, si dhe shpëtojnë jetë.

Mbrojtje e përgjithshme shëndetësore

  • Të gjithë kanë të drejtë për të patur standardin më të lartë të arritshëm të shëndetit. Kjo e drejtë përfshin qasje të barabartë në vaksinim.
  • Vaksinimi parandalon sëmundjet dhe është një bazë e fortë për shëndetin dhe mirëqënien përgjatë jetës.
  • Vaksinat ndihmojnë fëmijët të bëhen adultë të shëndetshëm.
  • Vaksinimi ul pabarazitë në shëndet dhe arsimim.
  • Vaksinimi ndihmon në trajtimin e kërcënimit të rezistencës ndaj antibiotikëve.

Parandalimi i sëmundjes

  • Vaksinimi është një mënyrë e sigurt dhe efektive për të parandaluar fruthin dhe ndërlikimet serioze që vijnë prej tij.
  • Vaksinimi i fëmijëve kundër rubeolës mbron fëmijët e tyre të ardhshëm nga vdekja e parakohshme dhe defektet e lindjes.
  • Vaksinimi kundër hepatitit “B” mbron nga sëmundja kronike dhe kanceri i mëlçisë që shkaktohet nga ky hepatit.
  • Për sa kohë që poliomieliti ekziston diku në botë, ne duhet të vaksinojmë kudo. Le të punojmë së bashku pë t’i dhënë fund poliomielitit.

 

 

 

 

Start Date - End Date

Apr 20, 2020 - Apr 27, 2020

Start Time - End Time

8:00 am - 5:00 pm

Share This

Calendar powered by The Events Calendar