Loading Events
  • This event has passed.
Description

 

10 Shtator 2018

                  Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes

Të punojmë sëbashku për parandalimin e vetëvrasjes

Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes, që prej vitit 2003 është vendosur në 10 Shtator të çdo viti.

Slogani i këtij viti “Të punojmë sëbashku për parandalimin e vetëvrasjes”, është zgjedhur si më efektive për një parandalim efektiv në nivel global të vetëvrasjes.

Secili ka një rol për të luajtur ne këtë drejtim dhe për të tejkaluar sfidat me të cilat përballet shoqëria në këtë aspekt.

Në këtë ditë synohet të:

 

  • Rritet ndërgjegjësimi se vetëvrasja mund të parandalohet
  • Shpërndahet informacion lidhur me ndërgjegjësimin për parandalimin e vetëvrasjes
  • Uljen e stigmës lidhur me vetëvrasjen

 

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 800,000 njerëz vdesin çdo vit si pasojë e vetëvrasjes që do të thotë një person çdo 40 sekonda. Deri në 25 herë më shumë, numërohen të jenë tentativat për vetëvrasje. Afërsisht 3000 persona sipas OBSH vdesin çdo ditë si pasojë e vetëvrasjes. Për çdo person që kryen një vetëvrasje, 25 apo më shumë tentojnë një gjë të tillë.

Kështu, disa milionë njerëz preken apo përjetojnë eksperienca të lidhura me të çdo vit. Vetëvrasja përbën ndër arsyet kryesore të vdekjes në moshën 15-29 vjeç. Gjithësesi vlerësohet që shifrat të jenë shumë më të larta, por këto shifra reflektojnë stigmën lidhur me vetëvrasjen, mungesën e besimit në procedurat për rregjisrimin e vdekjes si dhe sanksionet ligjore dhe fetare ndaj vetëvrasjes në disa vende.

Pavarësisht se është e vështirë të përcaktohet shifra e saktë, vetëvrasja mbetet një humbje tragjike e jetës. Vështirë të imagjinohet dhimbja e madhe psikologjike që mund të çojë një person të mendojë që vetëvrasja është veprimi më i përshtatshëm. Të shpëtosh  një person në këtë gjendje, mund të bëjë diferencën.

Vetëvrasja është një shkak i parandalueshëm i vdekjes së parakohshme, e ndikuar nga faktorë rreziku psikosocialë, kulturorë dhe mjedisorë. Parandalimi mund të realizohet vetëm duke adresuar faktorët e rrezikut të sipërpërmendur. Ka të dhëna, se një parandalim efektiv mund të reduktojë shifrat e vetëvrasjes.

 

Vetëvrasja dhe stigma

Vetëvrasja është një ngjarje e rëndë për familjet, shokët dhe komunitetin që preket. Ata mund të përjetojnë një rang të gjerë emocionesh përfshirë dhimbjen, zemërimin, fajin, mosbesimin vetëfajësimin etj. Shpesh atyre u duket sikur nuk i ndajnë dot këto ndjenja me të tjerët. Kështu, të qëndruarit pranë një personi që ka humbur një të afërm për shkak të vetëvrasjes është po ashtu shumë e rëndësishme.

Si rezultat i stigmës që shoqëron vetëvrasjen, ata që janë të prekur nga vetëvrasja, përgjithësisht, përceptohen ndryshe nga ata që humbin një të afërm nga një tjetër shkak. Ata që kanë humbur të afërm si pasojë e vetëvrasjes, shpesh ndjejnë se të tjerët mund të mos e kuptojnë intensitetin e përgjigjes emocionale si pasojë e kësaj vdekje.

Përsëri, vlen të theksohet se një dëgjim jogjykues mund të bëjë ndoshta diferencën. Ti japësh një personi që ka humbur një person të dashur si pasojë e vetëvrasjes mundësinë për të folur për ndjenjat e veta, për këtë humbje, mund të jetë një ndihmë e madhe për të. Ti mundësosh atyre të shprehin ndjenjat mund të jetë lehtësuese por edhe i ndihmon ata të hedhin një hap nga dhimbja.

Organizmat ndërkombëtarë bashkëpunojnë vazhdimisht me qeveritë dhe aktorët lokalë për të mundësuar reduktimin e stigmës ndaj vetëvrasjes. Nga ky bashkëpunim synohet gjithashtu të ndërtohet një lidership dhe veprim politik për të zhvilluar një përgjigje kombëtare lidhur me parandalimin e vetëvrasjes dhe ndërtimin e kapaciteteve për implementimin e masave parandaluese. Kjo ditë, i inkurajon të gjithë të marrin në konsideratë rolin që mund ketë secili në parandalimin e vetëvrasjes.

Veprimi i të treguarit kujdes dhe shqetësim ndaj dikujt që mund të jetë vulnerabël ndaj vetëvrasjes, mund të sjellë një ndryshim të madh. Të pyeturit e tyre nëse janë mirë, të dëgjuarit e asaj çfarë kanë për të thënë si dhe të bërët e qartë që po kujdeseni për ta, mund të kenë të gjitha një ndikim të konsiderueshëm. Izolimi mund të shtojë rrezikun e vetëvrasjes e nga ana tjetër patja e lidhjeve të forta sociale është faktor mbrojtës.

 

Të ndihmojmë njerëzit të jenë në kontakt me shërbimet

Megjithëse mbështetja e miqve dhe të afërmve mund të jetë domethënëse për ata persona që janë në rrezik për vetëvrasje si dhe ata që kanë humbur një të afërm në këtë mënyrë mund të jetë efektive, jo gjithmonë është e mjaftueshme. Në shumicën e rasteve, nevojitet një ndihmë e specializuar. Kjo ndihmë mund të marrë forma të ndryshme. Në vendin tonë, kjo ndihmë lidhet me qendrat e shëndetit mendor, spitale (Klinika e Toksikologjiisë dhe Adiktologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, klinika private të specializuara në këtë drejtim, ose organizata që punojnë në këtë drejtim.

Të arrijmë të parandalojmë…

Ka shumë organizata në botë të cilat janë të përqëndruara në përpjekjet për të parandaluar vetëvrasjen. Mund të shkëmbehen eksperiencat në mënyrë që të ofrohet një ndërhyrje efektive. Mendohet se mund të jetë shumë e sukseshme marrja e modeleve më të mira në këtë fushë pasi mendohet se kjo gjë ndoshta mundëson reduktimin e numrit të presonave që vdesin si pasojë e vetëvrasjes si dhe të personave tek të cilët këto vdekje kanë efekt shkaktërrues. 

Vetëvrasja është një problem serioz në shëndetin publik. Disa raste të vetëvrasjeve janë të parandalueshme, mund të mblidhen të dhëna për to, si dhe mund të hartohen programe parandalimi dhe ndërhyrjeje. Për të qenë ndërhyrjet sa më efektive, është e domosdoshme të ketë një bashkëpunim multisektorial në hartimin e strategjive.

OBSH-ja e vlerëson vetëvrasjen si një proritet të shëndetit publik. Raporti i parë i OBSH-së mbi vetëvrasjen “Parandalimi i vetëvrasjes: një domosdoshmëri globale”, publikuar në vitin 2014, ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e parandalimit të vetëvrasjes në shëndetin publik, si dhe për ta kthyer parandalimin e vetëvrasjes në një prioritet në axhendën globale të shëndetit publik. Gjithashtu, ai synon të inkurajojë dhe të ofrojë mbështetje për vendet anëtare në lidhje me zhvillimin dhe forcimin e strategjive kombëtare si një qasje multisektoriale. Në Planin e Veprimit për Shëndetin Mendor 2013-2020 të OBSH-së, anëtarët janë angazhuar të punojnë drejt një targeti global për reduktimin e shifrave të vetëvrasjes me 10% deri në vitin 2020.

 

Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes, synon të vërë në dukje se është detyrë e secilit në shoqëri, si pjesë e një komuniteti, të hedhë një vështrim tek ata që po kalojnë një periudhë të vështirë dhe t’i inkurajojë të flasin për problemet e tyre në mënyrë që të mund të shkohet drejt zgjidhjes. Krijimi i një bote ku ofrohet kujdes dhe mbështetje, ku ofrohet dëgjim pa u gjykuar mund të bëjë diferencën e madhe. Këto vlejnë veçanërisht për specialistët, të cilët duke pikasur individë me probleme në komunitet, mund të parandalojnë shumë probleme të mëtejshme, përfshirë vetëvrasjen. Individët që jetojnë me mendimet apo tentativat për vetëvrasje mund t’u mësojnë të tjerëve sesi fjalët dhe veprimet janë shumë të rëndësishme për individë, të cilët ndodhen në këtë situatë. Shpesh, këta individë pranojnë se në ato kohë të errëta, në të vërtetë, donin shumë që dikush të fliste me ta e t’i shpëtonte.

 

Kush është më në rrezik?

 

Ndërsa lidhja ndërmjet vetëvrasjes dhe problemeve të shëndetit mendor (sidomos depresionit dhe çrregullimeve të përdorimit të alkoolit) është e njohur në vendet me të ardhura të larta, shumë vetëvrasje ndodhin papritur, në momente krize, kur individi ndjen vështirësi për t’u përballur me streset e jetës, si: problemet financiare, problemet në marrëdhëniet sentimentale, sëmundje apo dhimbje kronike.

 

Po ashtu, përballja me konflikte, fatkeqësi natyrore, dhunë, abuzim, humbje apo izolim është e lidhur ngushtë me sjelljen vetëvrasëse. Shifrat e vetëvrasjes janë të larta te grupet që përballen me diskriminim, si: refugjatët, emigrantët dhe migrantët; popullatat indigjene, individët gei, lezbike dhe transgjinorë dhe të burgosurit. Gjithsesi, faktori më i madh i rrezikut ngelet tentativa e mëparshme e vetëvrasjes.

 

Metodat e vetëvrasjes

Është vlerësuar se afërsisht 30% e vetëvrasjeve në nivel global ndodhin si pasojë e helmimit, kryesisht me pesticide, të cilat, më së shumti, ndodhin në zona rurale dhe në vendet me të ardhura të ulëta ose mesatare. Mënyra të tjera të përhapura të kryerjes së vetëvrasjes janë varja dhe armët e zjarrit. Njohja e mënyrave më të përdorura të vetëvrasjes i ndihmon specialistët të hartojnë strategji efektive të parandalimit, si kufizimi i aksesit.

 

Parandalimi dhe kontrolli

Vetëvrasja është e parandalueshme. Ka disa masa që mund të ndërmerren, në nivel popullate të përgjithshme, sub-popullate, si dhe në nivel individual, që synojnë parandalimin e vetëvrasjes dhe të tentativave vetëvrasëse. Këto përfshijnë:

 

  • Reduktimin e aksesit te mënyrat e mundshme të vetëvrasjes (pesticide, medikamenteve të caktuara, armë zjarri, etj).
  • Raportimin nga mediat në mënyrë të përshtatshme.
  • Ndikimin me anë të strategjive të alkoolit për reduktimin e përdorimit të dëmshëm të tij.
  • Identifikimin e hershëm, trajtimin dhe kujdesin për individët me probleme të shëndetit mendor, të përdorimit të substancave, dhimbjeve kronike dhe stresit akut.
  • Trajnimet për punonjës të sistemit shëndetësor, të cilët nuk janë të specializuar, lidhur me vlerësimin dhe menaxhimin e sjelljes vetëvrasëse.
  • Kujdesin në vazhdim për individë, të cilët kanë tentuar vetëvrasje dhe mundësimi i mbështetjes nga komuniteti për ta.

 

Vetëvrasja është një çështje komplekse dhe, si e tillë, përpjekjet për parandalimin e saj kërkojnë një koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet shumë sektorëve të shoqërisë, përfshirë sistemin shëndetësor, sistemin arsimor, të punësimit, bujqësor, të biznesit, të drejtësisë, të ligjit, të mbrojtjes, politik, mediat. etj. Këto përpjekje duhet të jenë të qarta dhe të integruara në formë të tillë që të jenë, mbi të gjitha, qasjet e vetme dhe të kenë impakt në këtë çështje komplekse.

Stigma, sidomos ajo që rrethon problemet e shëndetit mendor dhe vetëvrasjen, nënkupton se shumë njerëz që po mendojnë t’i japin fund jetës së tyre apo që kanë tentuar vetëvrasjen nuk e kërkojnë ndihmën për të cilën kanë nevojë apo nuk e marrin, edhe nëse e kërkojnë. Parandalimi lidhur me vetëvrasjen mund të mos ketë qenë aq shumë efektiv për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit për vetëvrasjen, si një problem madhor i shëndetit publik, si dhe për tabunë që ekziston në shumë shoqëri për të folur hapur për të. Aktualisht, vetëm pak vende kanë përfshirë parandalimin e vetëvrasjes në strategjitë e tyre të shëndetit, dhe vetëm 28 vende në botë kanë strategji kombëtare të parandalimit të vetëvrsasjes.

 

Statistika globale

 

  • Afërsisht 800.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të vetëvrasjes. Çdo 40 sekonda në botë vetëvritet një individ.

 

  • Numri i tentativave është shumë më i lartë.

 

  • Tentativa për vetëvrasje konsiderohet një faktor rreziku shumë i lartë.

 

  • Vetëvrasja përbën shkakun e dytë të vdekjes ndërmjet idividëve 15-29 vjeç dhe shkakun e tretë të vdekjeve për individët 15-44 vjeç.

 

  • Në nivel global, 78% e vetëvrasjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme.

 

  • Helmimi, varja dhe armët e zjarrit janë ndër metodat më të përdorura të vetëvrasjes në nivel global.

 

Vetëvrasja është 4 herë më e lart te meshkujt. Tentativat vetëvrasëse janë 3 herë më të larta te femrat. Po ashtu edhe mendimet suicidale (CDC). Te meshkujt mënyra më e zakonshme është ajo me armë zjarri, ndërsa te femrat helmimi.

Vihet re një rritje e shifrave të vetëvrasjes mbi moshën 50 vjeç, sidomos te meshkujt, individët që jetojnë vetëm, janë të ve ose të divorcuar.

Faktet dëshmojnë se ka shumë më shumë njerëz të cilët kanë tentuar vetëvrasje ose kanë qenë të afërt me dikë që ka tentuar një gjë të tillë. Dhe kjo hedh dritë mbi faktin se vetëvrasja është e parandalueshme.

 

Vendosja e lidhjes me ata që kanë tentuar vetëvrasjen ose kanë humbur një njeri të dashur për shkak të vetëvrasjes, është shumë e rëndësishme, për të çuar më tej përpjekjet për parandalimin e vetëvrasjes. Edhe pse vetëvrasja, si akt tek çdo individ është e ndryshme, ka disa mësime të përbashkëta për të patur parasysh. Ata që kanë qenë vetë në prag të vetëvrasjes mund të ndihmojnë të kuptohet bashkëveprim kompleks i ngjarjeve dhe rrethanave që i kanë çuar ata në atë moment, si dhe çfarë i shpëtoi ose ndihmoi ata të zgjedhin jetën. Ata që kanë humbur dikë për shkak të vetëvrasjes, apo kanë ofruar mbështetje për dikë që ka tentuar vetëvrasje, mund të japin njohuri për mënyrën se si ata u zhvendosën  përpara në udhëtimin e tyre të jetës. Numri i madh i njerëzve të cilët janë të prekur nga vetëvrasja do ta bënte këtë rrjet edhe më funksional. Natyrisht, këto lidhje duhet të jenë të dyanshme. Ka shpesh raste kur ata që kanë tentuar vetëvrasje, dhe ata që mund të kenë humbur persona të dashur për shkak të vetëvrasjes, të kenë nevojë për mbështetje. Kujdesi i vazhdueshëm për ta, mund të jetë i nevojshëm. Lidhja sociale, është parë se zvogëlon rrezikun për vetëvrasjeve, kështu që duke qenë atje për dikë, që në mënyrë jonormale është shkëputur, mund të jetë një akt që e shpëton jetë. Lidhja formale  dhe joformale me ta, mund të ndihmojë për të parandaluar vetëvrasjen. Këtu kanë përgjegjësi të gjithë; individët, organizatat dhe komunitetet. Komunikimi i hapur shpesh është jetësor nëse përpiqemi të parandalojmë vetëvrasjen. Në shumë komunitete, vetëvrasja mbahet e fshehtë, ose flitet për të vetëm si diçka tabu. Është e nevojshme të diskutohet për vetëvrasjen si për çdo çështje tjetër të shëndetit publik, gjë që do të ndihmonte për të larguar mitet në lidhje me të dhe për të zvogëluar stigmën përreth saj. Kjo nuk do të thotë që vetëvrasja të konsiderohet sjellje apo zgjidhje normale. Duhet patur në vëmendje që mesazhet që drejtohen për parandalimin e vetëvrasjes duhet të jenë shumë të kujdeshme pasi grupe të caktuara mund mund të mos e kuptojnë ashtu siç duhet këtë informacion. Mesazh të kujdesshme  rreth vetëvrasjes dhe parandalimit e saj janë të nevojshme, duke qenë të vetëdidjshëm se  grupe të ndryshme të individëve mund të marrin dhe të interpretojnë këtë informacion në mënyra ndryshme. Aftësimi i specialistëve që të komunikojnë në mënyrë efektive me ata që mund të jenë më vulnerabël për të kryer për të vetëvrasjes, është një pjesë e rëndësishme e strategjive për parandalimin e vetëvrasjes. Të flasësh për një temë të tillë shpesh është e vështirë, dhe këto llojet e bisedave jo pak herë janë shmangur. Kjo sepse është shumë e vështirë të flasësh në mënyrë të thjeshtë për këtë çështje. Personat të cilët kanë kaluar episode të tentativave për vetëvrasje, duke u përfshirë në biseda sensitive të cilat kanë nivelin e duhur të dhe dhembshurisë, rezulton goxha efektive në të ndihmuarin e tyre për te zgjedhur jetën.  Mediat kanë gjithashtu një rol të rëndësishëm për të luajtur në parandalimin e vetëvrasjes. Disa lloje të raportimit të vetëvrasjes (për shembull tregime duke dhënë detaje, kanë rezultuar në shtimin e numrit të vetëvrasjeve. Politikë-bërësit gjithashtu duhet të vendosin kujdesin e nevojshëm për parandalimin e vetëvrasjes, për të bërë atë një përparësi, dhe për të financuar atë në një nivel që është në përputhje me rëndësinë e saj si një problem në shëndetin publik. Mjekët, stafet psikosociale dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, duhet të bëjnë përpjeket të vazhdueshme në lidhje me parandalimin e vetëvrasjes. Po ashtu, komunitetet duhet të kujdesen për të dhënë mbështetjen e duhur për ata persona që janë në një rrezik të shtuar.Mbi të gjitha, duhet të sigurohemi që të gjithë të kujdesen për veten e tyre.  Më 10 Shtator, politikëbërësit, specialistët, personat e prekur nga vetvrasja, duhet të përqëndrojnë përpjekjet e tyre drejt një qëllimi të përbashkët, atë të parandalimit të vetëvrasjes.   

 

 

Start Date - End Date

Sep 10, 2018 - Sep 10, 2018

Start Time - End Time

12:00 am - 11:59 pm

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Share This