8 Miliardë Arsye për të Vepruar!  

Deri në vitin 2035, gjysma e popullsisë së botës – rreth 4 miliardë njerëz – parashikohet të jetojnë në kushtet e mbipeshës ose obezitetit.  

Kjo nuk është vetëm çështje e të rriturve. Obeziteti tek  fëmijët në moshë shkollore është rritur gati pesëfish që prej vitit 1975, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.  

Obeziteti në fëmijëri shpesh vazhdon deri në moshën e rritur, duke shtuar rrezikun e sëmundjeve serioze jongjitëse, si: diabeti, sëmundjet e zemrës dhe disa kancere.  

Obeziteti nuk ndodh i izoluar.  

Varfëria, stigma, qasja e pabarabartë në arsim dhe kujdes shëndetësor, disponueshmëria e kufizuar e ushqimeve dhe mjediseve që nuk e mbështesin jetesën e shëndetshme, të gjitha forcojnë rrezikun.

 Gati 3 miliardë njerëz, përfshirë mbi 400 milionë fëmijë në moshë shkollore, tashmë jetojnë me mbipeshë ose obezitet – një shifër që parashikohet të arrijë 4 miliardë deri në vitin 2035.  

Këto rezultate nuk janë të pashmangshme.  

Duke kuptuar obezitetin, në vend që ta stigmatizojmë, duke vendosur në qendër përvojën e jetës dhe duke siguruar qasje të barabartë në kujdes, ne mund të ndryshojmë drejtimin. Dita Botërore e Obezitetit – 2026, është një thirrje për veprim për të gjithë “8 miliardët” e planetit. Së bashku, ne mund të ndryshojmë historinë e mbipeshës.

Dita Botërore e Obezitetit inkurajon zgjidhje praktike për t’i ndihmuar njerëzit të arrijnë dhe të mbajnë një peshë të shëndetshme. Të dhënat na tregojnë  se obeziteti është trefishuar  që nga viti 1975 dhe është rritur pothuajse pesë herë tek fëmijët dhe adoleshentët, duke prekur njerëzit e të gjitha moshave, të të gjitha grupeve sociale, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim. Obeziteti është një faktor kryesor rreziku për sëmundje të ndryshme jo të transmetueshme (NCD), si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare, hipertensioni dhe goditjet në tru, dhe forma të ndryshme të kancerit.

Njerëzit me obezitet druhen dhe targetohen vazhdimisht, sepse shumë – duke përfshirë mjekët, politikëbërësit dhe të tjerë – nuk i kuptojnë plotësisht shkaqet e mbipeshës, të cilat shpesh janë një përzierje komplekse e faktorëve: dietetikë, stil  jetese, gjenetikë, psikologjikë, sociokulturorë, ekonomikë dhe mjedisorë.  Është koha që të thyejmë ciklin e “turpit” dhe “fajit” dhe të rivlerësojmë qasjen tonë për adresimin e këtij problemi kompleks global të shëndetit publik.

Së bashku ne mund të bëjmë një ndryshim. Ne mund të bëjmë shumë, duke përfshirë kufizimin e marketingut  të ushqimeve dhe pijeve për fëmijë të cilat përmbajnë sasi të larta të yndyrnave, sheqerit dhe kripës; taksimit të pijeve me sheqer dhe sigurimit të  aksesit më të mirë në ushqime të përballueshme dhe të shëndetshme. Në qytetet dhe qytezat tona, ne duhet të krijojmë hapësirë për ecje, çiklizëm dhe rekreacion të sigurt. Ne duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë zakone të shëndetshme që herët.

OBSH-ja po i përgjigjet krizës globale të obezitetit në shumë fronte, duke përfshirë monitorimin e tendencave dhe prevalencës globale, zhvillimin e një game të gjerë udhëzuesish që adresojnë parandalimin dhe trajtimin e mbipeshës dhe obezitetit, dhe ofrimin e mbështetjes dhe udhëzimeve për zbatim.