Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut mbahet çdo vit më 14 Qershor si një homazh special për miliona dhurues gjaku vullnetarë që u japin të tjerëve një shans të dytë në jetë, gjë e cila forcon komunitetet dhe mishëron frymën e solidaritetit. Është një moment për të thënë “faleminderit”, por edhe për të vënë në dukje nevojën e vazhdueshme dhe urgjente për dhurime të sigurta dhe të rregullta gjaku.

DITA krahas ndërgjegjësimit global për nevojën për gjak të sigurt dhe produkte gjaku për transfuzion, synon:

Evidentimin e kontributit të pazëvendësueshëm të dhuruesve vullnetarë (të papaguar) të gjakut në sistemet kombëtare shëndetësore;

Ofrimin e një mundësie reale për të thirrur në veprim qeveritë dhe autoritetet kombëtare shëndetësore për të siguruar burime të përshtatshme në përputhje me nevojat e shtuara për gjak;

Miradministrimin e gjakut me fokus personat që kanë nevojë për transfuzion.

Është fakt, se miliona pacientë në të gjithë botën mbështeten në transfuzionet e gjakut sistematikisht; çdo pikë gjaku, çdo dhurim është një akt madhor në shërbim të jetës dhe të ardhmes.

Fokusi i Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut 2025, është: “Dhuroni gjak, jepni shpresë: Së bashku shpëtojmë jetë”

 

Objektivat e fushatës:

 

  • Rritja e ndërgjegjësimit publik në lidhje me nevojën kritike për dhurime gjaku dhe plazme, dhe ndikimin që ato kanë në jetën e pacientëve;
  • Inkurajimi i dhuruesve të rinj të gjakut (krahas atyre ekzistues) për të qenë koherent, duke ndihmuar në sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm dhe të mjaftueshëm me gjak;
  • Nxjerrja në pah e ndikimit pozitiv të dhuruesve të gjakut në shëndetin dhe mirëqenien e të tjerëve dhe promovimi nëpërmjet shembullit konkret i vlerave të solidaritetit dhe dhembshurisë;
  • Sensibilizimi dhe mobilizimi i qeverive dhe partnerëve të zhvillimit për të investuar dhe mbështetur programet kombëtare të gjakut, për të arritur akses universal në transfuzion të sigurt në të gjithë botën.
  • Rritja e ndërgjegjësimit global për nevojën për gjak të sigurt dhe produkte gjaku për transfuzion;
  • Mbështetja e shërbimeve kombëtare të transfuzionit të gjakut, organizatave të dhuruesve të gjakut dhe organizatave të tjera joqeveritare në forcimin dhe zgjerimin e programeve të tyre të dhurimit vullnetar; përforcimi i fushatave në çdo lloj niveli.

 

Aktivitete të tjera që do të ndihmonin në promovimin e sloganit të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut të këtij viti mund të përfshijnë: ceremonitë e vlerësimit të dhuruesve, transmetimet e posaçme në media, fushatat e rrjeteve sociale – postimet që paraqesin dhurues individualë gjaku (shoqëruar me sloganin), takime dhe seminare, ngjarje muzikore dhe artistike për të falënderuar dhuruesit e gjakut dhe përcjellë frymën e solidaritetit, si dhe ngjyrosja me të kuqe e detajeve apo momenteve ikonë.